Institucionet mikrofinanciare pësuan rritje të lehtë vitin e kaluar. Shoqëritë po punojnë më shumë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, në mënyrë që të ruajnë pozitat e tyre në treg
Institucionet e mikrofinancës kanë ngadalësuar ritmet e rritjes që pas efektit që dha kriza financiare ndërkombëtare në ekonominë tonë. Në fund të vitit të kaluar, stoku i kredisë për këto shoqëri u rrit gati 5% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2009, rritja ishte gati 10%. Sipas të dhënave të institucioneve mikrofinanciare, totali i kredisë aktive është pak më shumë se 150 milionë dollarë. Me ritme pak më të larta (5.5%) u rrit vlera e aktiveve. Në fund të vitit të kaluar numëroheshin gati 190 milionë dollarë aktivet e institucioneve mikrofinanciare. Rritja e tyre është ngadalësuar, po të shohim zgjerimin prej 10% që pësuan aktivet e tyre në 2009-n. Vitin e kaluar, rritjen më të madhe e patën në numrin e klientëve që shtuan përreth tyre, Fondi Besa, Unioni i Kursim Kreditit, Unioni Jehona, NOA dhe Fondi i Zhvillimit të Zonave Malore numëron së bashku pak më shumë se 61.5 mijë klientë. Krahasuar me një vit më parë, numri i tyre u rrit gati 10.4%, pothuajse me të njëjtin ritëm të një viti më parë. Të dhënat bëhen të ditura nga Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancës.
Pavarësisht se ritmet e rritjes së këtij tregu janë ngadalësuar krahasuar me rreth dhjetë vite më parë (kur shifrat e rritjes ishin 20-30%), drejtuesit e institucioneve mikrofinanciare shprehen të kënaqur me ecurinë e aktivitetit të tyre.
Zana Konini, drejtuese e Unionit të Shoqërive të Kursim-Kredisë (Unioni SHKK), tregon se “ritmet e rritjes së aktivitetit kanë qenë të mira edhe për 2010-n, si p.sh. 3.1% për tepricën e kredisë, 13.7% për total aktive dhe 18% për portofolin e depozitave”.
Të ndikuar nga tkurrja e ritmeve të rritjes së vitit 2009, kompanitë janë treguar më racionale në objektivat e tyre për vitin e kaluar. Megjithatë, për disa prej tyre, shifrat rezultuan më të mira se pritshmëritë.
Drejtori i marketingut, trajnimit dhe zhvillimit pranë Fondit Besa, Altin Muça, shprehet për “Monitor” se, “me gjithë vështirësitë që krijoi kriza financiare botërore, Fondi Besa arriti të realizojë dhe tejkalojë objektivat financiare të planifikuara. Në vitin 2010, zgjeruam aktivitetin bazë: kreditimin e biznesit të vogël”. Kredia e dhënë nga kjo kompani ishte 4% më shumë se një vit më parë.
Duke kërkuar të ruajnë një pozicion të mirë në treg, ekspertët e shoqërisë së Mikrokredisë NOA (deri vitin e kaluar e njohur si “Opportunity”) synojnë të dallojnë në cilësinë e shërbimit. Irma Shkreta, drejtuese e NOA-s, pohon se “ne nuk jemi institucioni që “shesim para”, por jemi kompania që “shet shërbime”, duke u bërë partnerë në ide zhvillimi biznesi, mbështetës financiarë të nevojave të klientëve tanë, duke respektuar kohën e tyre, ndaj jemi proaktiv dhe shërbejmë produktet tona jo vetëm në 19 degë në të gjithë vendin, por dhe në ambientet e punës, biznesit apo familjarë të klientëve tanë. Në vitin e kaluar, portofoli i kredive të kësaj shoqërie është rritur gati 8% nëpërmjet kreditimit të më shumë se 9 mijë individëve që zotërojnë aktivitete të vogla biznesi. Kjo rritje ka qenë e shpërndarë njëtrajtësisht midis sektorëve të tillë si shërbime, prodhime dhe bujqësi e blegtori dhe tregti.
“Kriza ekonomike, sigurisht goditi dhe segmentin e klientëve të NOA-s, por mund të them se pavarësisht rritjes së kredive me probleme, portofoli mbetet në parametra të mirëmenaxhueshëm. Në mbajtjen nën kontroll të një problemi të tillë ka ndihmuar kompozimi i portofolit. Kemi zgjedhur modelin e biznesit, duke kredituar shuma të vogla dhe në afate të shkurtra”, pohojnë drejtuesit e NOA-s.
Përfaqësuesit e sektorit të mikrofinancës, tregojnë se ritmet e rritjes mbeten të ulëta po të krahasohet me vitet e kaluara, kur mesatarja e zgjerimit të aktivitetit ishte mbi 10%.
Shoqëritë, pozicione të qëndrueshme në treg
Në tregun shqiptar operojnë pesë institucione mikrofinanciare, me shtrirje kryesisht në zonat rurale. Fondi Besa, Fondi i Financimit të Zonave Malore dhe NOA janë licencuar vetëm për operacionet e dhënies së kredive, ndërsa dy shoqëritë e tjera, Union ShKK dhe Unioni Jehona, krahas kreditimit kanë të drejtë të grumbullojnë edhe depozita. Ndryshimi mes dy shoqërive të kursim-kreditit qëndron te format e grumbullimit të fondeve. Ndërsa Union ShKK mbështetet te kapitale të ndryshme, siç mund të jenë kreditë bankare, Unioni Jehona krediton vetëm falë fondeve të grumbulluara nga depozitat e anëtarëve.
Pesë kompanitë që operojnë në tregun e mikrokredisë, pak e ndryshuan pozicionin e tyre vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë. Ndërsa të gjitha vlerësohet të kenë pësuar një rritje të kënaqshme, duke parë kushtet e tregut, NOA rriti lehtësisht peshën në portofolin e kredisë (vetëm 1 pikë përqindje). Për sa i përket numrit të klientëve aktivë, kryeson Unioni SHKK me 18.5 mijë klientë të shpërndarë në zona të ndryshme të vendit. Klientët e saj përbëjnë 30% të totalit të klientëve të shoqërive të kursim-kredisë.
Të ndryshme në kreditim
Sektorët dhe klientët që financojnë këto institucione prekin atë pjesë të tregut, e cila për një arsye apo tjetër nuk arrin të ketë akses për kreditimin te bankat dytësore. Pavarësisht se këto të fundit kanë zgjeruar gamën e shërbimeve edhe për sektorët e tregtisë dhe bujqësisë, mbeten gjithsesi sektorët që arrijnë të hapin derën e “borxhit” tek institucionet e mikrokredisë. Por, po të shohim shoqëritë kryesore (tri prej tyre) vërehet një ndryshim i dukshëm i sektorëve që kanë kredituar më shumë.
Tek Unioni SHKK, bujqësia e blegtoria zënë 58% të nivelit të kreditit. “Kjo shpjegohet me orientimin e aktivitetit tonë, i cili synon që të përmbushë më së miri nevojat dhe kërkesat e anëtarësisë dhe klientelës sonë, që banon dhe punon në zonat rurale” shprehet znj. Konini. Fushat dhe subjektet që krediton Unioni SHKK janë aktivitetet dhe sipërmarrjet që gjenerojnë të ardhura. Sipas Zana Koninit, në fushën e bujqësisë, këtë vit janë intensifikuar kreditë për sera, pemëtari, ullishte, vreshtari ndërsa në blegtori jemi të orientuar më shumë në kreditimin për mbarështim lopësh, derrash e delesh. Fondi Besa krediton vetëm aktivitete që gjenerojnë të ardhura dhe sipas z. Altin Muça, kreditimi në fushën e tregtisë zë gati gjysmën e totalit të kredisë (49%).
Në kreditë e dhëna nga NOA, kryesojnë ato që kanë shkuar për mbështetjen e shërbimeve (përjashtuar tregtinë). Sipas drejtuesve të kësaj kompanie, vlera e kredituar në këtë sektor përbën 44% të totalit të kredisë së dhënë nga Shoqëria.
Interesat, nuk ndryshojnë
Për të ruajtur pozitat e tyre në treg, vitin e kaluar, shoqëritë mikrofinanciare vlerësohet të kenë qenë më agresive në zgjerimin e paketës së kredisë, si për fushat specifike, normat e interesit për periudha të ndryshme dhe mbi të gjitha asistencë teknike. Zana Konini e Unionit SHKK, shprehet se “normat e interesit që ofrojmë për kreditë që jepen për anëtarët e SHKK-ve janë më konkurrueset në treg. Duke ditur që SHKK-ja operon në zemër të fshatit dhe në qeverisjen e saj janë pjesëtarë të komunitetit të zonës ku ajo operon, atëherë edhe shërbimet dhe produktet që ofrojmë kanë përfitime, dobi ekonomike dhe sociale për anëtarësinë e SHKK-së. Aktualisht, interesi që aplikohet për kredinë është 16% në vit”.
Unioni SHKK ofron depozitat e kursimit për anëtarët depozitues me kushte dhe interesa të kënaqshme. Në varësi të afatit të maturimit, interesat e depozitës në lekë shkojnë deri në 7.3%, ndërsa të depozitave në euro variojnë nga 1.5 deri në 4%. (p.sh. depozitat në lekë me afat 6-mujor dhe 12-mujor ofrohen respektivisht me interes 6 dhe 6.6%, ndërsa depozitat në euro me afat 6 dhe 12-mujor ofrohen respektivisht me interes 3 dhe 3.5%). SHKK-ja ofron edhe produktin e depozitës për fëmijë me interes vjetor 7.5%.
Sipas drejtuesve të shoqërisë, gjatë këtij viti, interesat e kredisë nuk kanë ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa interesat e depozitave kanë pësuar ndryshim të lehtë, si përgjigje e ndryshimeve të ndodhura në tregun financiar.
Pranë Fondit BESA, ofrohen norma interesi 1.5-2% në muaj (mbi bazë zbritëse”, sipas drejtuesve të këtij fondi.
Drejtuesit e shoqërive po përpiqen t´u shkojnë përshtat kërkesave të tkurrura ose në rastin më të paktë të ndryshuara të klientëve. Këtë vit, NOA ka ndryshuar strategjinë e kreditimit. Sipas drejtores ekzekutive të saj, “në vitin 2011 kreditë po ofrohen me norma të diferencuara interesi, në varësi të tipologjisë së klientit, shumave, afateve dhe qëllimit të përdorimit kredisë”.
Kreditë me probleme, jo shqetësuese
Për institucionet e mikrokredisë nuk përbën shqetësim niveli i kredisë me probleme. Sipas vlerësimeve të Unionit SHKK, “cilësia e kredisë vazhdoi të jetë e lartë dhe në fund të vitit 2010 portofoli në risk mbi 30 ditë rezultoi në nivelin 3.8%. Ky është një nivel shumë më i ulët se ai në sistemin financiar bankar. Gjithsesi krahasuar me një vit më parë, niveli i portofolit të kësaj kredie është rritur. Për vitin 2009, portofoli në risk ishte rreth 2%.
Brenda kufirit të përcaktuar nga Fondi Besa është vërtetuar niveli i kredisë me probleme vitin e kaluar. Përfaqësuesi i saj Altin Muça, shprehet se “portofoli i kredisë me probleme vazhdon të jetë brenda kufirit të përcaktuar në planet tona 2.49%”.
Në total për institucionet e mikrokredisë, ka pasur një tendencë rritjeje të lehtë të kredive me probleme. Sipas të dhënave të Shoqatës së Institucioneve të Mikrofinancës, rritjen më të madhe e pësuan në vitin 2008, kur arritën në 4%. Në vitin 2007, ato zinin vetëm 2% të totalit të kredisë.
Zana Konini, drejtore ekzekutive e Unioni SHKK
Aktiviteti i Grupit Union SHKK vazhdoi të rritet edhe gjatë vitit 2010. Vitin e kaluar, Grupi Union SHKK u zgjerua në 80 fshatra të reja, duke rritur numrin e anëtarësisë me 2,800 anëtarë të rinj. Me këtë rritje, numri i fshatrave ku operon Unioni është 1,075 në 16 rrethe të vendit dhe numri i anëtarësisë është mbi 31 mijë.
Aktualisht, Grupi Union SHKK zotëron një portofol kredie mbi 4 miliardë lekë dhe depozita në vlerën e rreth 1,4 miliardë lekëve. Ai e ka rritur kapitalin e vet vit pas viti dhe aktualisht mban vlerën e 1,4 miliardë lekëve. Rezultatet e deritanishme kanë bërë që Unioni SHKK të jetë institucioni lider në sektorin e mikrofinancës dhe ofruesi ekskluziv i shërbimeve financiare në zonat rurale të vendit. Vetëm në vitin 2010 u disbursuan rreth 6,900 kredi me një shumë totale prej mbi 2,6 miliardë lekësh.
Ritmet e rritjes së aktivitetit kanë qenë të mira edhe për 2010-n, si p.sh. 3.1% për tepricën e kredisë, 13.7% për total asete dhe 18% për portofolin e depozitave.
Me fillesa në vitin 1992, Unioni SHKK i ka rrënjët në modelin e kooperativave financiare, që është një model i njohur dhe i zbatuar nga bankat e mëdha kooperative që sot operojnë në Europë si “Raiffeisen”, “Credit Mutuel”, “Rabobank”, “Credit Cooperatif”.
Altin Muça, drejtor i marketingut, trajnimit dhe zhvillimit pranë Fondit Besa
Fondi Besa, që nga fillimi i aktivitetit huadhënës ka shpërndarë më shumë se 69.5 mijë kredi, duke përmbushur në këtë mënyrë nevojat e atij segmenti tregu që mbulon, i cili has vështirësi të plotësojë nevojën e tij në sistemin bankar, për arsye të shumave të vogla që kërkon, për mungesë kolaterali, si dhe për riskun që paraqet. Ne kemi kapacitetet e nevojshme për mbulimin e kërkesave për kredi, por duke qenë të orientuar drejt riskut, e kemi përqendruar vëmendjen në zgjedhjen e një klientele potencialisht të aftë për të përdorur siç duhet kredinë dhe për ta shlyer atë sipas kushteve të caktuara. Gjithsesi, fakti që aktiviteti ynë huadhënës ka ardhur në rritje çdo vit, tregon se nevoja për kredi është në rritje dhe potencialet e zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri janë në rritje. Fondi Besa sh.a. në përputhje me statusin e saj si Institucion Financiar Jo-Bankar dhe me Licencën e Bankës së Shqipërisë, ka si objekt të veprimtarisë: të gjitha format e kredidhënies, duke përfshirë kredinë konsumatore e hipotekore etj; ofrimit të shërbimit, garancive dhe marrjen e angazhimeve; shërbime këshilluese, ndërmjetësuese dhe shërbime të tjera ndihmëse për të gjitha veprimtaritë e listuara më sipër. Në aktivitetin huadhënës, ne kreditojmë vetëm aktivitete që gjenerojnë të ardhura. Me një aktivitet të filluar në vitin 1994, ajo ka mbështetur përmes huasë 67 mijë biznese të vogla që të krijohen, zgjerohen apo konsolidohen.
Irma Shkreta, Drejtuese e NOA
NOA nuk ka pozicionin e kompanisë me kredi të lira apo të shtrenjta, sepse këto terma janë relative kur ato shoqërohen me mënyrën sesi ofrohen këto produkte kredie dhe kostot respektive që shoqërojnë ato. Ajo çfarë mund të themi është që “ne nuk jemi institucioni që ‘shesim para´, por jemi kompania që ‘shet shërbime´, duke u bërë partnerë në ide zhvillimi biznesi. Vitin e kaluar, portofoli i kredive të kësaj shoqërie është rritur gati 8% nëpërmjet kreditimit të më shumë se 9 mijë individëve që zotërojnë aktivitete të vogla biznesi. Kjo rritje ka qenë e shpërndarë njëtrajtësisht midis sektorëve të tillë si shërbime, prodhime dhe bujqësi e blegtori dhe tregti. NOA është ndër kompanitë që ka mbulimin më të madh gjeografik territorial të klientelës së saj, gamën absolute të plotë të produkteve të kredisë, duke filluar nga kredia me shumë qëllime e deri tek ajo hipotekore, hapësira për kreditimin e një baze të gjerë klientele; individë, biznese të vogla e të mesme, në zona urbane apo rurale sikurse dhe kreditimin në të gjitha llojet e industrive, veçanërisht në industrinë e agrobiznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.