Statistikat afatshkurtra të xhiros së bizneseve, indikatori më i hershëm i ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë për një ngadalësim të ndjeshëm afër zeros të aktivitetit të sipërmarrjeve në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum pasqyron rritje prej 0,3% në aktivitetet ekonomike të mbuluara në anketë, krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2015 ishte me rritje 1,9%. Ndikimi kryesor në këtë rënie ka ardhur nga industria nxjerrëse, që ka rënë me 36% si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme të çmimeve. Në rënie ka qenë dhe energjia, me -2.4%, ndërsa shërbimet janë zgjeruar me 5.5%. Aktivitetet me ecuri më të mirë janë hotelet, me rritje 24.8% dhe informacioni dhe komunikacioni me 20.3%. Ndërtimi u zgjerua me 2.9%.
Industria
Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Industri” (përfshirë industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet rënie 16,9% krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 36,0%.
Referuar së njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 3,3% ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” paraqitet me rënie 2,4%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin “Industri”, paraqet rritje 8,6% krahasuar me tremujorin e parë 2016. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Industri përpunuese” me 8,2%.
Aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 13,5%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” paraqitet me rënie 19,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndryshimi vjetor i volumit të prodhimit industrial në “Industri” shënoi një rënie prej 20,2%. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 30,5%. Ndërkaq, aktiviteti “Industri përpunuese” shënoi rënie prej 5,6% referuar së njëjtës periudhë krahasimore.
Gjatë tremujorit të dytë 2016, ndryshimi tremujor i volumit të prodhimit industrial shënoi rritje me 12,2% krahasuar me tremujorin paraardhës, ku ndikimin më të madh e dha grupi “Industri përpunuese” me 16,9%.
Referuar së njëjtës periudhë krahasimore, volumi i prodhimit në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi rritje prej 19,8%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” shënoi rënie 14,1%.
Ndërtimi
Në aktivitetin “Ndërtim”, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e dytë 2016 paraqet rritje prej 2,9% krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Volumi i ndërtimit paraqet rritje prej 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë.
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e dytë 2016 paraqet rritje prej 4,2% krahasuar me tremujorin e dytë 2015, shoqëruar me rritje të fondit të pagave, prej 1,1% gjatë së njëjtës periudhë.
Në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, paraqet rritje prej 22,5% krahasuar me tremujorin e parë 2016, ndërkaq volumi i ndërtimit është rritu me 25,7% gjatë së njëjtës periudhë.
Shërbimet
Në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime” shënoi rritje me 5,5 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndikuar kryesisht nga aktiviteti “Hotele” me 24,8 % dhe pasuar nga “Informacion dhe komunikim” me 20,3 %.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Shërbime” në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e parë 2016, është rritur 12,2 %. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Hotele” me 64,0%.
Në aktivitetin “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2016, ka një rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 9,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë rritje e kanë dhënë kryesisht aktivitetet “Transport dhe magazinim” me 11,5 % dhe “Tregti” me 11,2%.
Ndryshimi tremujor në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2016, paraqet rënie të numrit të të punësuarve me pagesë me 2,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2016. Në këtë rënie kanë ndikuar negativisht aktiviteti “Tregti” me 4,8% dhe pozitivisht aktivitetet “Informacion dhe komunikim” dhe “Transport dhe magazinim” respektivisht me 2,7 dhe 2,6%.
Në aktivitetin “Shërbime”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e dytë 2016, paraqet një rritje të fondit të pagave me 9,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Agjenci udhëtimi” me 33,9%.
Tregtia me shumicë dhe Tregtia me pakicë e shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave
Ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e dytë 2015, në aktivitetet “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve e motoçikletave” paraqet rritje me 14,6%, ndërkaq “Tregti me shumicë” paraqet rritje me 3,4 %.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin “Tregti me shumicë” paraqitet me rritje 15,2 %, ndërkaq aktiviteti “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” paraqet një rritje 5,0% në tremujorin e dytë 2016 në krahasim me tremujorin parë 2016.
Transport dhe Magazinim (përfshirë dhe aktiviteti “Postë”)
Në aktivitetin “Transport dhe magazinim”, shifra e afarizmit në volum ka shënuar rritje me 0,8%, në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me tremujorin e dytë 2015.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetet “Transport dhe magazinim” ka shënuar rritje 16,2%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.