Ngec projekti 38.9 milionë USD i shëndetësisë, BB: Ministria akoma në tranzicion post-zgjedhor

12/06/2018 10:00 AM 0 komente

Kur po bëhet një vit nga zgjedhjet elektorale që u pasuan më pas nga krijimi i qeverisë “Rama 2” në shtator, duket se një pjesë e institucioneve akoma janë në fazë tranzicioni. Kjo situatë ka krijuar edhe vonesa në projekte të rëndësishme siç është edhe ai me vlerë financimi 38.9 milionë dollarë i njohur si “Projekti i Përmirësimit te Sistemit Shëndetësor”. Banka Botërore në rishikimin e fundit të ecurisë së programit e ka vlerësuar në të paktën tre aspekte ku ecuria drejt arritjes së objektivave konsiderohet si “mesatarisht jo e kënaqshme”, dhe e njëjta vlen edhe për zbatimin e përgjithshëm të projektit ndërkohë që risku i përgjithshëm është cilësuar si “i konsiderueshëm”.

Banka shprehet se zbatimi i projektit ka vijuar me vonesa. “Arsyet kryesore që fshihen pas kësaj situate janë: së pari ristrukturimi i brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë që ka vonuar ngritjen e e grupeve të punës dhe koordinatorëve për komponentët dhe aktivitetet kryesore të projektit dhe së dyti një vendim i Këshillit të Ministrave (dhjetor 2017) për të forcuar përfshirjen e Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit në zbatimin e aktiviteteve të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Shëndetësor.

Ndërkohe zbatimi i disa aktiviteteve aktualisht është drejt kompletimit siç është shpërndarja e pajisjeve për spitalet rajonale, finalizimi i projektimit për rehabilitimin fizik të Spitalit Pediatrik nën Qendrën Spitalore Universitare (QSUT) shumica e aktiviteteve të tjera kanë ngecur” thuhet në raportin e rishikimit.

Sipas dokumentit është rënë dakord që rishikimi i radhës të mbahet diku mes 16-26 korrik 2018 dhe në të janë marrë një sërë angazhimesh.

“Deri atëherë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do konfirmojë prioritetet e saj dhe do të vijojë me hapat kyçë të reformës në sektorin shëndetësor, e-shëndetin, dhe reformën e pagesave. Më e rëndësishme vëmendje e menjëhershme do t’i jepet procesit të përzgjedhjes së firmës që do të punojë për rishikimin e planit të Master Plani i Spitalit dhe kontraktimi dhe e kompanisë së përzgjedhur për asistencën teknike që do të përgatisë termat e referencës për Sistemin e Informacionit të Shëndetit” vlerëson Banka Botërore.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz