Ngecja e mikrokredisë

29/04/2013 3:24 PM 0 komente

Institucionet mikrofinanciare në përgjithësi kanë qëndruar në stanjacion gjatë vitit 2012. Megjithatë, ky sektor paraqet një nivel shumë më të ulët të kredive me probleme, në raport me sistemin bankar. Nga ana tjetër, kriza po i vë ata në vështirësi në sigurimin e fondeve…

Në linjë me ngadalësimin e ritmeve të ekonomisë dhe ngecjen e sistemit bankar, ky i fundit sidomos në drejtim të kredisë, edhe mikrofinanca ka ulur xhirot e motorit gjatë periudhës 2011-2012.

Të dhënat e raportuara për “Monitor” nga institucionet kryesore mikrofinanciare në vend (Fondi Besa; Unioni SHKK; Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a;) flasin për ritme shumë të ulëta zgjerimi të portofolave të kredisë gjatë 2012-s, me përjashtim të Fondit Besa, i vetmi që ka shënuar rritje dyshifrore.

Në total, stoku i huasë së mikrofinancës në vend, duke përfshirë institucionet financiare jo bankë që ushtrojnë aktivitet huadhënës në vend[1] dhe shoqëritë e kursim kreditit[2] është rreth 15 miliardë lekë në fund të vitit 2012, duke qëndruar në pothuajse të njëjtat nivele si në 2011-n, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2011 dhe raportimeve të institucioneve kryesore për 2012-n. Përveç dy grupimeve të mësipërme, janë të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe dy institucione financiare jobankare për dhënien e mikrokredisë, Vision Fund dhe Capital Invest, por stoku i portofolit të tyre mbetet mjaft i vogël, sipas të dhënave zyrtare të institucionit qendror.

Pjesën më të madhe të portofolit të mikrofinancës e zotërojnë institucionet financiare jo bankë që ushtrojnë aktivitet huadhënës në vend, me rreth 68% të totalit, të ndjekura nga shoqëritë e kursim-kreditit, me 29% të totalit dhe institucionet financiare jobankare për dhënien e mikrokredisë zënë vetëm 3%, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2011.

“Në përgjithësi, ngërçi i kredive dhe rënia ekonomike po e detyrojnë mikrofinancën të ngadalësojnë rritjen e portofolit të tyre të mikrokredisë. Kjo vërehet si tek institucionet në Shqipëri ashtu dhe tek institucionet simotra në rajonin tonë”, pohon prof. asoc. dr. Bajram Muçaj. Sipas tij, rezultatet e vitit 2012 dhe parashikimi i vitit 2013 tregojnë se periudha e rritjes së shpejtë ka ndaluar. “Kjo periudhë 2-3-vjeçare do të jenë vite kyç për të provuar qëndrueshmërinë e mikrofinancës ndaj trazirave makroekonomike”.

E të njëjtit mendim është dhe Zana Konini, drejtore ekzekutive e Unionit SHKK. “Viti 2012 është karakterizuar nga një stanjacion apo ngadalësim i rritjes së aktivitetit të mikrofinancës në vend. Ajo që vihet re është se ritmet e rritjes së kredisë kanë qenë më të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme”, pohon ajo.

Kriza ka nxjerrë në pah dhe një tjetër problem për institucionet mikrofinanciare në vend. “Për sektorin e mikrofinancës, institucionet që nuk kanë mundësi të grumbullojnë depozita, problem kryesor mbetet kostoja e lartë e fondeve në të cilat kanë akses. Mbështetja e këtij sektori me fonde me kosto të pranueshme do të jetë një ndihmë e madhe për këtë sektor”, thotë z. Bajram Korsita, drejtori ekzekutiv i “Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF”.

Fondi Besa është institucioni më i madh financiar jo bankë në vend, i orientuar në mikrofinancë, duke zotëruar rreth 33% të portofolit të kredisë prej 15 miliardë lekësh të mikrofinancës. Aktori i dytë më i madh është Unioni SHKK, me 25% të portofolit të mikrofinancës në total (dhe 82% të portofolit total të unioneve të kursim kreditit), i ndjekur nga NOA dhe FAF, që zotërojnë përkatësisht nga 18% dhe 16% të portofolit të huasë.

Një zhvillim pozitiv në tregun e mikrofinancës është niveli i ulët i huave me probleme, në raport me sistemin bankar. Sipas raportimeve të institucioneve mikrofinanciare, portofoli në risk rezulton midis 5-8%, kur në sistemin bankar, niveli i huave me probleme ka arritur në rreth 23%.

 

INTERVISTAT

Flet Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçaj, drejtor ekzekutiv i Fondit Besa

Portofoli i kredisë u rrit 12%


Si ka qenë ecuria e Fondit Besa gjatë vitit 2012 në shifra (ndryshimi i stokut të kredisë, aktiveve etj., kreditë me probleme etj.)?
Viti 2012 tregoi vazhdimësinë në konsolidimin e qëndrueshmërisë dhe rritjes financiare të Fondit Besa. Treguesit e rezultatit financiar janë në nivele të kënaqshme krahasuar me periudhën e një viti më parë. Gjendja e kapitalizimit dhe e likuiditetit të veprimtarisë paraqitet e mirë. Objektivat për disbursimin dhe nevoja për të përmirësuar cilësinë e kredisë, përbënin sfidën kryesore të stafit të Fondit Besa gjatë vitit 2012.

Duke vlerësuar rreziqet me të cilat ndeshet sektori bankar, dhe në veçanti ai mikrofinanciar, situata tregon për rezistencë të sektorit bankar dhe mikrofinanciar ndaj zhvillimeve të pafavorshme në disa tregues makroekonomikë dhe financiarë.

Rezultatet e vitit 2012, duke marrë në konsideratë situatën e konkurrentëve dhe tregut financiar në tërësi, tregojnë për një aftësi të mirë të menaxhimit të Fondit Besa për të përballuar sfidat e kohës që po kalon ekonomia shqiptare.

Për sa u takon zhvillimeve tona financiare, konstatohet që portofoli i kredisë në aktivet e bilancit arritën në nivelin 5,037 milionë lekë, duke zënë 80.5% të totalit të aktiveve financiare. Huamarrja e bizneseve dhe individëve gjatë vitit 2012 është zhvilluar me ritme të kënaqshme pozitive. Kundrejt vitit 2011, rritja e kreditimit (disbursimi) vlerësohet me një rritje në masën 28.01% në numër dhe 29.56% në vlerë, gjë e cila ka rritur tepricën e portofolit me rreth 578 milionë lekë ose 12.14%. Portofoli në risk për vitin 2012 ka rezultuar në 3.27%, kundrejt 3.37% të një viti më parë. Veprimtaria e FB vlerësohet e mirëkapitalizuar, ku treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në nivelin 18.3%, kundrejt 10% që është norma e BoA. FB ruan qëndrueshmëri në rritjen e të ardhurave neto nga interesat dhe të fitimit bruto. Rezultati financiar për vitin 2012 është pozitiv në vlerën 155 milionë lekë. Kthimi mbi aktivet, i kthyer në bazë vjetore, ka rezultuar në masën 2.73%. Kthimi mbi kapitalin, i kthyer në bazë vjetore, ka rezultuar në masën 14.4%. Rezultati financiar kushtëzohet nga rritja e fondeve rezervë për mbulimin e rrezikut të kredisë nëpërmjet provigjionimit, si dhe në rritjen e kostos së veprimtarisë.

Të gjitha sa konstatohen sa më sipër, si dhe vlerësimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Presidenti i Republikës kanë rritur në mënyrë të kënaqshme reputacionin e Fondit Besa në tregun e kredisë SME në Shqipëri dhe më gjerë. Referuar shifrave të aktivitetit dhe performancës financiare, Fondi Besa mbetet institucion lider në tregun vendas të kredidhënies të institucioneve financiare jobankare dhe atyre mikrofinanciar.

Në fund të vitit 2012, Fondi Besa sh.a. ka rezultuar me 53 zyra, të organizuara në 20 zyra rajonale dhe 33 zyra satelite, të cilat mbulojnë praktikisht pjesën më të madhe të territorit shqiptar.

Kundrejt vitit 2011, viti 2012 shënoi një rritje stafi me rreth 27%. Aktualisht Fondi Besa ka një staf prej 350 punonjësish, nga të cilët 76% staf operacional dhe 24% staf administrativ.

Portofoli i kredisë është diversifikuar pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, por peshën kryesore e zë sektori i tregtisë dhe ai i shërbimeve.

 

 

Sa ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e aktivitetit tuaj, sidomos në drejtim të rritjes dhe menaxhimit të portofolit të kredisë me probleme?
Gjatë vitit 2012, përveç vlerësimit nëpërmjet treguesve financiarë dhe operacionalë, Fondi Besa vlerësohet edhe nëpërmjet këtyre treguesve:

Ka investuar në rritjen e stafit dhe zgjerimin e rrjetit të veprimtarisë pothuajse në gjithë territorin e vendit;

-Ka investuar në përmirësimin e informatizimit të rrjetit, logjistikës mbështetëse dhe në veçanti trajnimit të stafit;

-Diversifikimi dhe zgjerimi i bazës së financimit nga donatorët, si ato vendase ashtu dhe institucionet jashtë vendit;

-Adaptimi i politikave të termave të kredisë, të produkteve duke iu përshtatur rrjedhës së tregut dhe duke ruajtur një normë të ulët të marzhit të fitimit.

-Kreditimi kryesisht në ndihmë të biznesit mikro-të vogël – dhe të mesëm, pa lënë jashtë vëmendjes bizneset start-up, duke ruajtur një mesatare kredie relativisht të ulët.

Fenomenet më tipike që janë reflektuar nga kriza në sektorin mikrofinanciar janë:

Konkluzionet e efektit të krizës së importuar dhe asaj vendase në sistemin mikrofinanciar mund të përmblidhen si më poshtë:

-Huamarrësit, të cilët punojnë në prodhim, tregti të vogël, dhe bujqësi janë më të prekur nga kriza. Ka një fluks të mbylljes së bizneseve të vogla, për mospërballim të kostove dhe kërkesës së ulët konsumatore.

-Rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburantit gjatë viteve 2010-2012 u pasua nga një rënie financiare dhe ekonomike në tërësi. Çmimi i karburantit, si një ndikues direkt në kostot e prodhimit dhe konsumit vetëm në këto tre vjet është dyfishuar.

-Në përgjithësi, klientët në zonat suburbane janë më të prekurit nga kriza.

-Parashikohet një përkeqësim i mëtejshëm në konsumin e ushqimit dhe ripagimin e kredive në shumë tregje, për shkak të çmimeve të larta ushqimore dhe rënies së të ardhurave. Ashtu si në krizat e mëparshme, më të pambrojtur janë veçanërisht familjet e varfra.

Rezultatet e vitit 2012 dhe parashikimi i vitit 2013 tregojnë se periudha e rritjes së shpejtë ka ndaluar.

Në përgjithësi, ngërçi i kredive dhe rënia ekonomike po e detyrojnë mikrofinancën të ngadalësojë rritjen e portofolit të tyre të mikrokredisë. Kjo vërehet si tek institucionet në Shqipëri ashtu dhe tek institucionet simotra në rajonin tonë.

Kufizimet e likuiditetit janë ende të pranishëm, por ato janë më pak dramatike se rënia e rritjes së portofolit dhe rritja e madhe e kredive joperformuese, gjë e cila ndoshta pasqyron vështirësitë ekonomike në rritje të klientëve.

Kjo periudhë 2-3-vjeçare do të jenë vite kyç për të provuar qëndrueshmërinë e mikrofinancës ndaj trazirave makroekonomike.

Megjithatë, në Fondin Besa, efektet e krizës nuk janë ndier shumë në burimet e fondeve, pasi burimet nga tregu i brendshëm, sistemi bankar, ka qenë i bollshëm si rezultat i tkurrjes së kredidhënies nga ky sistem dhe tepricës së fondeve nga mosinvestimi me risk të lartë. Nga ana tjetër, ritmet e kredidhënies kanë qenë të kënaqshme, ndonëse risku ka qenë më prezent.

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë këtë konkluzion:

“Bizneset shqiptare me pakicë po përballen me një rënie të fuqisë blerëse të konsumatorëve që llogaritet deri në 15-20%. Rënia e besimit te konsumatori, sipas BoA, ka çuar në rritje të kursimeve në sistemin bankar ku si 9-mujor llogaritet me një rritje prej rreth 10%. Ndërkohë kur niveli i kreditimit u rrit vetëm 2.8%”.

Gjatë vitit 2012, Fondi Besa ka shtuar dy zyra të reja rajonale, respektivisht: 4 zyra rajonale në Tiranë, 2 zyra rajonale në Durrës, me qëllim rritjen e efektivitetit të institucionit, duke iu përgjigjur në kohë reale kërkesave të klientëve, si dhe për një organizim sa më të mirë të Zyrave Rajonale Durrës dhe Zyrave Rajonale Tiranë. Po kështu, gjatë vitit 2012, Fondi Besa e zgjeroi aktivitetin e tij dhe me tri zyra satelite, respektivisht në qytetet: e Tiranës (Kamëz), Përmetit dhe Çorovodës.

Donatorët prezent janë; Banka Botërore (IDA) nëpërmjet qeverisë shqiptare, Instituto de Credito Official (qeveria e Spanjës), CoopEst, ResponsAbility (Symbiotics), BERZH, Tirana Bank, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale Albania, Raiffeisen Bank, Fondacioni ABC, etj.

Në fund të vitit 2012, rezultati financiar pas taksave paraqitet si më poshtë:

-Fitimi Operacional Neto 165.3 milionë lekë.

-Treguesi i vetëmbajtjes Operacionale është 115.17%

-Treguesi i vetëmbajtjes Financiare është 108.42%

Gjatë viteve të fundit, Fondi Besa ka arritur nivele pozitive të përfitueshmërisë. Gjatë vitit 2012, kthimi mbi asetet dhe kapitalin janë respektivisht 2.81% dhe 15.53%.

Më 31 dhjetor 2012, mjetet e vetë Fondit Besa arritën 1.147 miliardë lekë ose 16.83% më shumë se një vit më parë.

Risku i kredisë, sipas standardeve të network-ut të mikrofinancës, i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, mbetet risku kryesor për Fondin Besa, ku në fund të vitit, ai arriti në 3.27% të portofolit të përgjithshëm të kredive, kundrejt 2.49% në vitin 2010, dhe 3.37% në vitin 2011. Ndërsa duke iu referuar riskut sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit rezultoi portofol në risk rreth 6,66%, kundrejt 7.90% në fund të vitit 2010, dhe 8.07% në 2011, në një kohë që sistemi bankar gjendet në nivelin e rreth 22%.

Portofoli në risk, ndonëse është në parametra të kënaqshëm, krahasuar me sistemin bankar në përgjithësi dhe atë mikrofinanciar në veçanti, përsëri është shqetësues, pasi presionet e situatës së përkeqësuar ekonomike të bizneseve po ndihen gjithnjë e më fort. Fondi Besa i është përshtatur situatës, duke bashkëpunuar me klientët e tij dhe ka marrë masa si në drejtim të ndihmës ndaj klientëve nëpërmjet ristrukturimit të kredive, ashtu edhe nëpërmjet konsulencës së vazhdueshme, në sugjerimin e gjetjes së rrugëve të përmirësimit të situatës financiare të bizneseve.
 Cilat janë pritshmëritë për këtë vit për kompaninë tuaj dhe sektorin e mikrofinancës në përgjithësi?

Fondi Besa sh.a, në ambicien e tij permanente për të qenë një aktor shumë i rëndësishëm në tregun mikrofinanciar dhe për të konsoliduar të gjithë treguesit e tij operacionalë dhe financiarë, ka projektuar një rritje të qëndrueshme dhe dinamike të aktivitetit, e cila e konkretizuar në shifra për vitin 2013 do të jetë:

disbursimi i kredisë rreth 4.84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 11%;

teprica e portofolit të kredisë në fund të vitit në rreth 5.62 miliardë lekë, për 26,650 klientë aktivë, ose me një rritje prej 11.5% në vlerë dhe 16.4% në numër klientësh;

portofoli në risk i kredisë mbi 30 ditë jo më shumë se 4% e portofolit aktiv;

staf prezent eficient për rreth 370 punonjës.

Portofoli i institucioneve financiare jo-banka dhe mikrofinanciare pritet të ketë një rritje në vlerën prej 1.2-1.5 miliardë lekësh (bruto), ose në rreth 5-7% më shumë se viti 2012. Pesha që zë portofoli i kredisë i institucioneve financiare jo-banka ndaj portofolit total të sistemit bankar përllogaritet në jo më shumë se 3.5%.

 

Deri ku kanë shkuar planet tuaja për t’u kthyer në bankë?

Nisur nga tendencat e tregut financiar dhe veçanërisht atë të kredisë dhe burimeve të fondeve të institucioneve mikrofinanciare, nga eksperienca botërore në fushën e ndërmjetësve bankarë dhe mikrofinanciarë, nga nevojat në rritje të biznesit të vogël, të mesëm dhe start up në vendin tonë, ne mendojmë se ka ardhur koha të mendojmë dhe veprojmë për ngritjen e strukturave të reja ndërmjetëse bankare dhe mikrofinanciare të tipit “Gati banke” ose “Bankë Mikrofinanciare”. Këta lloj ndërmjetësish nuk janë një zbulim i ri në tregun botëror financiar, ndërsa për Shqipërinë do të ishte një plotësim i tregut financiar për ndërmjetësimin e fondeve nga njësitë suficitare tek ato deficitare, gjithnjë duke u fokusuar te biznesi mikro, i vogël dhe i mesëm. Sigurisht kjo nismë kërkon edhe nisma të tjera ligjore dhe rregullatore, ku roli i Bankës Qendrore është vendimtar në këtë drejtim.

Ne kemi bërë një studim në këtë drejtim dhe kemi dalë me konkluzione të drejtpërdrejtë se ekonomisë shqiptare do t’i shërbente më së miri një institucion bankar mikrofinanciar.
 

Intervistë me Zana Konini, drejtore ekzekutive e Unionit SHKK

Rritje e kujdesit dhe forcim i masave mbrojtëse

Si ka qenë ecuria e Unionit SHKK gjatë vitit 2012 në shifra (ndryshimi i stokut të kredisë, aktiveve etj., kreditë me probleme, etj.)

Unioni përfaqëson bashkimin vullnetar të Shoqërive Kursim Kredi në zonën rurale, të krijuara dhe të organizuara me qëllim ofrimin e shërbimeve financiare për anëtarët e tyre. Gjatë 20 viteve të aktivitetit në mikrofinancën rurale, Unioni ka dhënë dhjetëra mijë kredi, duke mbështetur fermerët për të kaluar vështirësitë ekonomike dhe më pas për të krijuar, konsoliduar e zhvilluar bizneset e tyre.

Unioni është institucioni i vetëm që zotëron një ndërhyrje të gjerë në zonat rurale të vendit. Aktualisht, Unioni ka 97 shoqëri kursim kredi të anëtarësuara, të cilat mbulojnë një territor gjeografik prej 1,073 fshatrash në 16 rrethe të vendit. Popullata target që shërbehet nga shoqëritë e kursim-kreditit anëtare të Unionit përbën rreth 50% të popullsisë rurale në vend. Në shoqëritë e kursim-kreditit ka një total prej 33,500 anëtarësh, ndër të cilët, 15,500 janë klientë aktivë.

Grupi Union-SHKK zotëron një tepricë kredie prej 3.8 miliardë lekësh dhe portofol depozitash në shumën 1.38 miliardë lekë. Vetëm gjatë vitit 2012, Unioni SHKK rriti numrin e anëtarësisë me 2300 anëtarë të rinj.

Aktiviteti i Grupit Union-SHKK, edhe gjatë vitit 2012, paraqet qëndrueshmëri në aktivitetin e financimit të fermerëve. Janë disbursuar në total 6300 kredi të reja, me një shumë prej 2.3 miliardë lekësh. Ne kreditojmë vetëm aktivitete dhe sipërmarrje në zonën rurale që gjenerojnë të ardhura, kryeisht në:

-fushën e bujqësisë, ku këtë vit janë intensifikuar kreditë për sera, pemëtari, ullishte, vreshtari

-në fushën e blegtorisë (mbarështim lopësh, derrash, delesh etj.)

-në fushën e tregtisë, shërbimeve, artizanatit, prodhim përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale

Treguesi i depozitave vazhdon të rritet ndjeshëm vit pas viti. Gjatë 2012-s, depozitat e anëtarësisë në SHKK u rritën me 9%, duke arritur në shumën 1.38 miliardë lekë.

 

 

Si e vlerësoni ecurinë e kompanisë suaj dhe gjithë tregut të mikrofinancës për 2012-n?
Viti 2012 është karakterizuar nga një stanjacion apo ngadalësim i rritjes së aktivitetit të mikrofinancës në vend. Ajo që vihet re është se ritmet e rritjes së kredisë kanë qenë më të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme.

Edhe Unioni SHKK, që bën pjesë në tregun mikrofinanciar që prej 20 vitesh, ka pasur ngadalësim relativ të rritjes së aktivitetit gjatë 2012, për shkak të rritjes së kujdesit dhe forcimit të masave mbrojtëse. Megjithatë, gjatë këtij viti janë disbursuar në total 6,300 kredi të reja me një shumë prej 2.3 miliardë lekësh.

Unioni i ka kushtuar kujdes të veçantë cilësisë së portofolit dhe në fund të vitit 2012, norma e riskut të kredisë për Unionin rezultoi në nivelin e 4.7%. Kjo shifër, megjithëse 1.2% më e lartë se fundi i vitit 2011, provon se ne kemi arritur të menaxhojmë në mënyrë të kënaqshme riskun e kredisë.

Një konstatim i përgjithshëm në vendet e rajonit është se mikrofinanca po ndihet gjithmonë e më shumë në vështirësi në gjetjen e burimeve të financimit. Unioni SHKK vlerëson vazhdimisht efektet e krizës globale financiare dhe ndikimi negativ të mundshëm, duke orientuar politikat e veta të menaxhimit drejt minimizimit të efekteve negative të pritshme. Në këtë kontekst, gjatë 2012-s Unioni ka realizuar një partneritet me Bankën Credins në funksion të gjetjes së burimeve të financimit dhe përdorimit të teknologjive të reja për SHKK-të, si një nga masat efektive për t’i bërë ballë krizës.

Pavarësisht efekteve të lehta, të ndikuara nga kriza globale, rezultatet e Unionit SHKK konfirmojë aftësinë e tij, për të ruajtur eficiencën dhe qëndrueshmërinë financiare të aktivitetit.

 
 Sa ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e aktivitetit tuaj, sidomos në drejtim të rritjes dhe menaxhimit të portofolit të kredisë me probleme?

Siç thamë më sipër, aktiviteti i Unionit ka demonstruar qëndrueshmëri dhe kapacitet për absorbimin e efekteve negative të mjedisit. Përveçse operon në fushën e mikrofinancës, Unioni SHKK është një institucion që mbështetet fort në filozofinë e kooperativës financiare.

Nga analizat e bëra, rezulton se kooperativat financiare zotërojnë disa tipare kryesore që i veçojnë dhe i bëjnë më të mbrojtur në kohë krizash. Në mënyrë specifike për Unionin SHKK, mund të përmendim:

-Zbatimi i një modeli të ndryshëm banking-u, model që i vendos anëtarët dhe klientët në zemër të tij;

-Ushtrimi i një mekanizmi kontrolli nga edhe poshtë-lart;

-Skema të brendshme të garantimit të depozitave;

-Kapitalizimi dhe qëndrueshmëria e mirë;

-Përfshirja e gjerë e anëtarëve në vendimmarrje, etj.

Ekzistenca e skemave mbrojtëse, mekanizmave të kontrollit të ndërthurura, marrja e vendimeve sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe përgjegjësia sociale janë avantazhe që e bëjnë Unionin tepër të adaptueshëm dhe të mbrojtur kundrejt pasojave negative të mjedisit. Qeverisja e bazuar në parimin “një njeri, një votë” është një përparësi që, edhe pse në kohë krize, Unioni ka treguar bindshëm se di të përballojë me sukses efekte negative të shkaktuara, si në aspektin psikologjik ashtu edhe atë financiar, duke ruajtur ritme pozitive të rritjes së aktivitetit, si dhe duke menaxhuar me efikasitet portofolin e kredisë.

 

Cilat janë pritshmëritë për këtë vit?

Synimet e Unionit SHKK për vitin 2013 janë që të vazhdojë të ruajë profilin konkurrues në treg dhe të konsolidojë pozitën e tij si institucioni kryesor i financimit në zonat rurale me aktivitetin më të madh ekonomik në Shqipëri.

Për vitin 2013, Unioni parashikon që të përshpejtojë ritmet e rritjes duke rritur numrin e anëtarësisë dhe duke zgjeruar aktivitetin e tij financiar në zonat rurale dhe gjysmë-urbane të vendit.

Ndër prioritetet e rëndësishme të Unionit mbetet përmirësimi i infrastrukturës së shërbimeve financiare, duke synuar modernizimin e mëtejshëm të tyre, për t’i shërbyer anëtarëve tanë me shpejtësi dhe me profesionalizëm të lartë.

Konkretisht, Unioni pritet që të rrisë zgjerimin gjeografik duke synuar të shtrijë zonën e ndërhyrjes dhe në rrethe të reja si Korçë, Mallakastër e Lezhë. Krijimi i SHKK-ve në këto rrethe, do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve financiare edhe për afro 75 fshatra të reja, gjë që do të bëjë që numri total i fshatrave të shkojë në 1,150 në fund të 2013-s.

Unioni parashikon që të rrisë portofolin e kredisë në rrjetin SHKK me një normë vjetore prej 8%. Synimi është që kërkesat e anëtarësisë në SHKK të plotësohen jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Gjithashtu, parashikohet që numri i anëtarëve të arrijë në 36,000 në fund të 2013-s, gjë që do të rrisë kërkesat potenciale për të përfituar shërbime financiare në SHKK.

Krahas rritjes së portofolit të kredisë, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së portofolit të depozitave në rrjet. Rritja e vazhdueshme e portofolit të depozitave reflekton besimin që kanë anëtarët tek Unioni SHKK. Gjatë vitit 2013, ky tregues parashikohet të rritet me 8%, duke përshtatur produktin dhe duke përmirësuar ofertën. Diversifikimi i produkteve të depozitave dhe prezantimi i termave më konkurruese për depozitat në SHKK, pritet që të japë ndikimin e vet pozitiv në drejtim të rritjes së numrit tË depozituesve dhe volumit të depozitave të anëtarësisë për vitin 2013.

 

 

Intervistë me drejtorin ekzekutiv të Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF, z. Bajram Korsita

Kredidhënie normale, pavarësisht vështirësive të krizës

Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a

Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a është një kompani që trashëgoi aktivitetin e Fondacionit FFZM, në zbatim të Strategjisë “Për shndërrimin e ‘Fondit të Financimit të Zonave Malore – FFZM’”, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 904, datë 27.06.2008. Në përputhje me strategjinë e miratuar, Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a është një shoqëri me pronësi shtetërore e hapur ndaj çdo investitori të mundshëm strategjik.

Si një shoqëri me mision të orientuar, Shoqëria FAF Sh.a trashëgoi ish-FFZM-në, që ka pasur një portofol të mirë aktivesh dhe të qëndrueshëm, që është aftësuar të zhvillojë me sukses operacionet në 27 degë dhe zyra apo në 85% të të gjithë territorit të Shqipërisë, si dhe me një histori vetëmjaftueshmërie financiare efektive për një nivel të pranueshëm rreziku.

Misioni i Shoqërisë FAF sh.a është: “Të kontribuojë në rritjen ekonomike të zonave malore në Shqipëri, kryesisht atyre të varfra, duke ju siguruar klientëve të synuar, hyrje në shërbimet e duhura financiare dhe mbështetje në përputhje me nevojat e tyre investuese, si dhe me qëllimet e veprimtarisë së tyre”.

 

 

Si ka qenë ecuria e FAF sh.a. për vitin 2012?

Viti 2012 është karakterizuar nga vështirësi dhe situata jo komode për aktivitetin kredidhënës. Fakti që kredidhënia ka pasur rënie dhe kredia me probleme është rritur, vërteton ndikimin direkt dhe indirekt të krizës së përgjithshme që po kalon vendi ynë. Gjendja jo e mirë e likuiditetit të bizneseve ka bërë që ato të jenë në vështirësi për likuidimin e kësteve të kredisë. Gjatë vitit 2012, aktiviteti kredidhënës për Shoqërinë e Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a), nuk ka vazhduar me ritme të kënaqshme, por megjithatë portofoli i kredive paraqitet me rritje jo të konsiderueshme në krahasim me fillimin e vitit 2012.

Kërkesat për kredi gjatë këtij viti kanë pasur rënie, por me një punë më të mirë të bërë për krijimin e besueshmërisë reciproke të klientëve ekzistues është arritur që aktiviteti kredidhënës të jetë në parametra normal. Në këtë aspekt, ndikim kryesor ka pasur mjaftueshmëria e fondeve për të përballuar në kohë kërkesat për kredi. Rritja e burimeve të fondeve për vitin 2012 ka qenë e mjaftueshme.

Në këtë drejtim ka ndikuar edhe mbështetja nga qeveria në lidhje me sigurimin e fondeve nga donatorë të ndryshëm.

Zbatimi i politikave të kreditit dhe pagave kanë rritur aftësinë kredituese të punonjësve të kreditit të FAF sh.a dhe gjithnjë e më shumë është bërë kujdes për selektimin e klientëve përsëritës dhe sa më cilësorë.

Portofoli i kreditit nga 2,259,379,167 lekë në fillim të vitit, në fund të vitit 2012, ishte 2,283,096,379 lekë ose mbi 23 milionë lekë më shumë se në fillim të vitit.

Në fund të vitit 2012, numri i klientëve SME u rrit me 193 klientë ndërsa numri i klientëve për kredi individuale është ulur me 343. Në lidhje me numrin e klientëve është treguar vëmendje për kreditimin e klientëve përsëritës, të cilët janë vërtetuar si klientë të rregullt, duke mënjanuar rritjen pa kriter të numrit të klientëve.

Disa nga treguesit kryesorë të aktivitetit kredidhënës dhe menaxhimit të riskut të tyre për vitin 2012, krahasuar me gjendjen në fillim të këtij viti janë në tabelën 1:

 

Në mos rritjen e tepricës së huave të parashikuara për vitin 2012 kanë ndikuar kryesisht këta faktorë:

-Mosrealizimi i disbursimeve të parashikuara.

-Kthimi i parakohshëm i disa kredive të mëdha, gjë e cila reflektohet në nivelin e realizimit të arkëtimeve të principalit, kështu nga 603.6 milionë që ishin parashikuar për të arkëtuar, janë realizuar 634.3 milionë lekë ose mbi 30 milionë lekë më shumë.

-Përfshirja e FAF sha dhe institucioneve të tjera të mikrofinancës në Regjistrin e Kreditit pranë Bankës së Shqipërisë ka bërë që të mënjanohen kërkesat për kredi të klientëve, të cilët kanë detyrime në banka dhe institucione të tjera jobanke.

Në rritjen e portofolit të kredisë, prioritet i është dhënë realizimit të objektivit për kreditë SME, që në fund të vitit 2012 kanë rritjen më të madhe prej mbi 54 milionë lekësh, ndërsa për kreditë individuale ka një ulje të tepricës prej mbi 31 milionë lekësh.

Ecuria e tepricës së huave, sipas periudhave nga fillimi i vitit 2012 paraqitet në grafikun si më poshtë:

 

Teprica e huave, sipas periudhave

Gjithashtu, meqenëse FAF sh.a është me status të tipit sh.a, prioritet iu është dhënë kredive për biznese, të cilat gjenerojnë të ardhura.

Duke analizuar në këtë këndvështrim, arrihet në konkluzionin se është bërë një punë e mirë në drejtim të orientimit, kryesisht në rritjen e kredive SME, të cilat janë me më pak risk dhe krijojnë më shumë ndikim pozitiv në rritjen e punësimit dhe rritjen e nivelit të të ardhurave për zonat ku operon shoqëria.

 

Si e vlerësoni ecurinë e institucionit tuaj dhe gjithë tregut të mikrofinancës?

Në përputhje me misionin, Shoqëria FAF-Sh.a ka mbështetur me financime në formë kredie mikrobiznese, investime me përmasa të vogla dhe të mesme, si dhe plotësimin e nevojave për shërbime financiare sipas kushteve që kërkon tregu. Kjo ka shërbyer për një përhapje më të gjerë të produkteve dhe të shërbimeve financiare në zonat malore, rurale dhe në zonat që cilësohen të pafavorshme.

Gjatë vitit 2012, Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit (FAF. Sh.a.) ka treguar një performancë të mirë në ecurinë e drejtimit statutor të veprimtarive të veta dhe ka pasur përmirësime të dukshme në mbarëvajtjen e administrimit të fondeve dhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Megjithëse me një infrastrukturë jo shumë të favorshme dhe në kushtet e konkurrencës gjithnjë në rritje në tregun e huadhënies, FAF sh.a. dhe institucionet e mikrofinancës në tërësi kanë vazhduar të punojnë dhe të krijojnë ndikim pozitiv në zonat ku operojnë, duke u bërë faktor pozitiv në financimin dhe mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.

FAF sh.a. operon kryesisht në zona rurale, nënurbane e urbane, ku bankat nuk preferojnë të përfshihen për vetë shkallën e lartë të rrezikut që paraqesin këto zona për aktivitetin kredidhënës.

Këto dy vitet e fundit, FAF sh.a. është përfshirë në disa marrëveshje me AZHBR-në që japin subvencione të normës së interesit në masën 70% për huamarrës, të cilët investojnë në grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale, zhvillimin e blegtorisë, mekanizimin e bujqësisë etj.

Duke pasur parasysh që huamarrësit në zonat ku operon FAF sh.a. nuk kanë garanci të mjaftueshme për të përfituar financime, për bërë të mundur mbulimin me kolaterale, FAF sh.a. është përfshirë në marrëveshjen e garancisë për mbështetjen e kreditimit me Agjencinë e Zhvillimit të Zonave Malore (MADA). Me këtë marrëveshje, huamarrësit, të cilët nuk sigurojnë kolateralet e mjaftueshme për mbulimin e kërkesës për financime përfshihen në këtë skemë, duke bërë të mundur që bizneset e tyre të mos pengohen për zhvillimin sa më normal të tyre.

Nga eksperienca e deritanishme, arrihet në përfundimin se ka akoma hapësirë për t’u thelluar më shumë bashkëpunimi me institucione që ofrojnë mbështetje për zhvillimin e agrobiznesit në Shqipëri, sidomos në drejtim të subvencionimit të normës së interesave, pasi kjo është një masë lehtësuese për efektivitetin e bizneseve bujqësore e blegtorale.

Tregu i mikrofinancës në Shqipëri vlerësohet si një treg i konsoliduar dhe në rritje, dhe që ka  ndikim pozitiv në vetëpunësimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por që ka nevojë dhe meritojnë të mbështeten edhe më shumë, pasi këto plotësojnë atë pjesë të tregut kredidhënës që bankat nuk i preferojnë.

 

Sa ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e aktivitetit tuaj, sidomos në drejtim të rritjes dhe menaxhimit të portofolit të kredisë me probleme?

Natyrisht që kriza ekonomike nuk mund të mos ndikojë edhe në institucionet e mikrofinancës, por duhet theksuar fakti që ndikimi i saj është në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Fakti që treguesit sasiorë të kredisë dhe cilësia e portofolit të kreditit nuk janë në parametrat normalë konfirmon efektin që ka dhënë kriza e përgjithshme në ecurinë e FAF sh.a. dhe të institucioneve të mikrofinancës në tërësi.

Cilësia e portofolit të huave është treguesi më sintetik që shpreh qartë efektivitetin kredidhënës të oficerëve të kreditit në degë dhe të stafit kreditues në qendër. Për këtë arsye, menaxhimi i tregueseve cilësorë të portofolit të kreditit është një nga aspektet më të rëndësishme të punës sonë në qendër dhe në degët e FAF sh.a.

Treguesi i kredive me probleme për vitin 2012 ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithë stafit në qendër dhe në degë.

Gjatë gjithë vitit 2012 është treguar kujdes për treguesin e kredive me probleme, por sidomos gjatë tremujorit të katërt është bërë një punë e konsiderueshme në trajtimin dhe ndjekjen e kredive me probleme në degët që këtë tregues e kishin në nivele të larta.

Megjithëse në kushte të njëjta ose edhe më të vështira, disa nga degët e FAF sh.a. si, Elbasani, Puka, Hasi, Lushnja, Tropoja, Tirana, Erseka, Bulqiza, Librazhdi, Durrësi e Lezha, treguesin e kredisë me probleme e kanë në nivel të ulët.

Edhe gjatë këtij viti, vazhdon puna për kthimin në normalitet të disa kredive që janë në shuma të konsiderueshme dhe që japin ndikim në përmirësimin e kredisë me probleme.

 

 

Cilat janë pritshmëritë për këtë vit për institucionin tuaj dhe sektorin e mikrofinancës në tërësi?

Për treguesit e kreditit dhe ata financiarë janë caktuar objektiva konkretë, me afate për rritjen e sasiore dhe cilësore të portofolit të kredive.

Ndër objektivat kryesorë të caktuara për vitin 2013 janë:

Shtrirja në zonat malore, rurale, nënurbane dhe urbane do të jetë një objektiv, i cili do të bëjë të mundur rritjen e kapaciteteve kredidhënëse dhe do të japë ndikim pozitiv në zhvillimin e bizneseve, rritjen e punësimit si dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike e sociale të banorëve në këto zona.

Në fund të vitit 2013 është parashikuar një rritje e shtrirjes së aktivitetit në një numër më të madh fshatra dhe qendra të banuara. Në fund të vitit 2013, kjo shtrirje pritet të jetë në rreth 1069 njësi vendore.

Në fund të vitit 2013, objektivi është që të zgjerojmë aktivitetin edhe në 162 njësi të tjera vendore, duke operuar në mbi 1,230 fshatra dhe zona urbane e nënurbane.

Konsolidimi i degëve ekzistuese do të jetë një objektiv tjetër i rëndësishëm që do ndikojë në rritjen e aftësisë kredidhënëse të FAF sh.a. dhe rritjen e efektiviteti të tyre.

Teprica e huave në fund të vitit 2013 do të jetë 2.6 miliardë lekë, e cila krahasuar me tepricën e pritshme në fund të vitit 2012 do të rritet me një shumë prej 222.6 milionë lekësh ose 9.4% më lartë se gjendja në fundin e vitit 2012.

Disbursimet e kredive parashikohet të jenë 847 milionë lekë, nga rreth 800 milionë lekë që janë parashikuar të arrihen në fund të vitit 2012.

Disbursimet do të fokusohen kryesisht në kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke i dhënë prioritet kreditimit të SME-ve. Mbi 92% e disbursimeve do të orientohen në kreditimin e SME-ve, ndërsa pjesa tjetër, rreth 8%, për kredi individuale.

Sipas fushave të kreditimit, disbursimet do të orientohen kryesisht në aktivitetin bujqësor e blegtoral dhe agroindustri, makineri bujqësore, agroturizëm e shërbime artizanale, që të gjitha së bashku zënë mbi 64% të totalit të disbursimeve. Aktiviteti tregtar do të zërë afro 36% të disbursimeve, por edhe aktiviteti tregtar do të jetë kryesisht në zonat rurale, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, ndikon në rritjen e biznesit në këto zona.

Numri i klientëve në fund të vitit 2013 parashikohet të jetë mesatarisht rreth 5,000 klientë nga 4550 klientë që mendohet të jetë në fund të vitit 2012. Vëmendja kryesore do të përqendrohet në konsolidimin e klientelës dhe rritjen e numrit të klientëve përsëritës dhe të suksesshëm. Ky objektiv do të arrihet: duke rritur praninë e specialistëve të shoqërisë në të gjithë terrritorin e vendit me një kosto të ulët në lidhje me kushtet e parasë dhe të kohës, ruajtjen e tregut dhe depërtim në financimet mikro dhe atyre të SME-ve, duke aplikuar mjete marketingu agresive, trajtime të shitjeve të kryqëzuara etj., mundësi për ndarjen e kostove të mjeteve financiare të rritura nga partneriteti me palët e treta (p.sh, me investitorë strategjikë), dhe zbatimi i teknikave dhe i teknologjisë efektive bankare.

Përmirësimi i cilësisë së portofolit të huave do të jetë një nga objektivat kryesore të punës sonë. Objektivi primar për vitin 2013 do të jetë që kreditë me probleme të mbahen nën kufirin e lejuar nga Banka e Shqipërisë për monitorimin e institucioneve financiare jobanka siç është rasti i FAF sh.a. Në kushtet kur situata e kredive me probleme në të gjithë sistemin bankar dhe aq më tepër për institucionet e mikrofianancës dhe mikrokredive është në nivele më të larta se vitet paraardhëse, në terma konkretë ne synojmë që kreditë me probleme të jenë në nivele të pranueshme. Për arritjen e këtij objektivi do të forcohet më shumë analiza dhe studimi i rasteve qysh në fazën e parë të aplikimit dhe më vonë me ndjekjen dhe trajtimin e huave sipas procedurave të miratuara në manualin e administrimit të huasë.

Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF sh.a është projektuar të vazhdojë fuqizimin dhe zgjerimin e produkteve ekzistuese dhe të jetë një institucion financiar me fonde të veta, i cili financon projekte/përfituesit, duke siguruar që ato të jenë ekonomikisht të justifikueshme, dhe të ndikojë në arritjen e objektivave për rritjen e punësimit dhe reduktimin e varfërisë.

Rritja e cilësisë së portofolit të huave dhe në përgjithësi përmirësimi i treguesve të kreditit janë objektivi ynë kryesor për periudhën në vazhdim.

Për sektorin e mikrofinancës, institucionet që nuk kanë mundësi të grumbullojnë depozita, problemi kryesor mbetet kostoja e lartë e fondeve në të cilat kanë akses. Mbështetja e këtij sektori me fonde me kosto të pranueshme do të jetë një ndihmë e madhe për këtë sektor.

Tregu për mikrokredi është në rritje dhe mbështetja e mikrofinancës është një rrugë efikase për rritjen e punësimit.

Nga studimet e ndikimit që kemi bërë rezulton se mesatarisht çdo kredi arrin të punësojë apo të mbajë në punë 1.7 të punësuar direkt dhe 0.5 të punësuar indirekt.

 



[1] Fondi Besa; NOA sh.a.- ish -Opportunity Albania; Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sh.a sh.a.; Tranzit ltd.; dhe Ak-Invest sh.a.;

[2] Unioni Shqiptar i kursim kreditit dhe Unioni Jehona janë dy organizmat kryesore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of