Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit mbledh së bashku drejtuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore të Brezit Bregdetar për ti njohur me masat e qeverisë për Sezonin Turistik 2014 dhe nismat e ndërmara në fushën e planifikimit të territorit.
Me urdher të Kryeministrit është ngritur Task – Forca e Menaxhimit Turistik Veror, e cila do të jetë përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin e masave që do të garantojnë standarte, siguri dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Për herë të parë, të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik veror; Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencitë e saj të varësisë AKT dhe AKB, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Kufirit, Ministria e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Ujërave dhe Pyjeve , Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të zbatojnë një plan masash të detajuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Ky plan masash do të garantojë përmirësimin e standarteve dhe ofrimin e kushteve në drejtim të pastrimit të territorit, akseve nacionale dhe rrugeve dytësore. Do të garantojë rendin, qetësinë publike si dhe sigurinë në ujrat e brendshme, sigurinë rrugore dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe grupeve turistike. Masat parashikojnë dezinsektimin e zonave bregdetare dhe higjenë maksimale në këto zona.
Ministrja Gjermeni i njohu drejtuesit e njësive vendore me Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendëshme në thellësi të territorit”, e cila përmban kontratën “TIP” që lidh pushteti vendor me subjektet qe marin me qera stacionet e plazheve. Këto masa janë të detyrueshme dhe synojnë rritjen e standarteve dhe cilësisë së shërbimit turistik në strukturat “stacione plazhi” dhe mbrojtjen e konsumatorit të këtyre shërbimeve.
Celja e sezonit turistik do të kryhet në bashkëpunim me AKT-në përmes aktiviteteve promovuese në bashkitë e qyteteve bregdetare. Gjatë këtij sezoni turistik dotë realizohet edhe projekti I vendosjes së kullave të vrojtimit në 5 plazhe pilote dhe do të ristrukturohen “infopoint” të Durrësit dhe Rinasit.
Ministrja Gjermeni prezantoi nismat në fushën e planifikimit të territorit, si dhe ndryshime të reja ligjore që do ti vijnë në ndihmë drejtuesve të Njësive të Qeverisjes Vendore për ushtrimin e detyrave të tyre funksionale në fushën e ndërtimit.
Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit njohën drejtuesit e njësive vendore me ecurinë mbi Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin.
Gjatë takimit me drejtuesit e njësive vendore të zonave bregdetare u prezantuan ndryshimet ligjore në VKM “Për miratimin e rregullores model të planifikimit ” e cila ka për qëllim zgjerimin e subjekteve përfitues duke përfshirë strukturat me funksion zhvillimin prodhues, ekonomik, industrial, bujqësor, blektorial. Kjo do të bëjë të mundur që organet e planifikimit edhe nëse nuk kanë të miratuar instrumentat vendorë të planifikimit, do japin leje zhvillimore edhe për këto kategori, duke lehtësuar kështu bisnesin.
Drejtuesit e njësive vendore u njohën edhe me udhëzuesin që ka hartuar MZHUT dhe AKPT për mënyrën e zbatimit të kësaj VKM-je.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.