Ngrin tregu i trojeve

30/12/2011 9:56 AM 0 komente

Agjentët imobilarë konfirmojnë “ngrirjen” e shit-blerjeve të trojeve. Transaksionet thuajse janë zeruar, ndërkohë që ofertuesit vazhdojnë të mos ulin çmimet.

Nëse udhëton me makinë nga Tirana në Durrës, aty ku ndodhet edhe zona më e zhvilluar industriale në Shqipëri, janë të shpeshta tabelat që shkruajnë: “Toka shitet ose jepet me qira”. Të gjitha janë të vendosura mbi troje bosh të shtrira përgjatë këtij aksi, në pritje për t´u “njohur” me blerësin e radhës.

Ndonëse aksi Tiranë-Durrës konsiderohet si një nga më të preferuarit për investitorët, shumë prej këtyre tabelave “dergjen” aty prej muajsh, duke konfimuar se ende askush nuk është dukur me “para në dorë”.

Dhe sipas ekspertëve imobilarë, gjasat janë të qëndrojnë ashtu edhe për një kohë më të gjatë.

“Tregu i shit-blerjes së trojeve është i ngrirë për momentin dhe kjo përfshin thuajse të gjithë vendin, që nga zonat industriale dhe deri tek ato në bregdet”, – thotë për “Monitor”, drejtuesi i agjencisë imobilare “Inf´93”, Lefter Sila

Të njëjtin fakt na e konfirmon edhe menaxherja e “Colliers International” në Shqipëri, Stela Dhami. Sipas saj, tregu i tokave është “pezull” për momentin, pasi transaksionet janë thuajse 0.

“Nuk mund të themi që nuk ka kërkesë, por edhe ato që vijnë me interesin për të blerë stepen sapo informohen se çmimet janë po të njëjta me një vit më parë”, – thotë Dhami. Sipas saj, investitorët që po kërkojnë të blejnë aktualisht mund të etiketohen si “oportunistë”, pasi duan çmime të ulëta duke u nisur nga situata jo fort e mirë ekonomike. Por këtë fakt nuk e gjejnë në Shqipëri, ku çmimet nuk kanë ndryshuar.

“Të gjithë ata që kanë në pronësi trojet nuk mund t´i shesin nëse nuk ofrojnë çmime deri në 20% më të lira”, – thotë Sila.

çmimet mbeten njësoj, Tiranë-Durrës aksi më i shtrenjtë

Sipas të dhënave nga agjencitë imobilare në vend, çmimi i trojeve ka mbetur i pandryshueshëm nëse e krahasojmë me 1 vit më parë. Në aksin Tiranë Durrës – çmimet luhaten 100-200 euro/m2, kjo në varësi të vendondodhjes.

Më e shtrenjtë është zona nga Tirana në Vorë dhe sidomos trojet që gjenden në brezin e parë të rrugës, ku çmimet mund edhe t´i kalojnë 200 euro/m2. Ndërkohë, kur kalon Vorën çmimet luhaten nga 150 deri 100 euro/m2.

Mjaft i shtrenjtë mbetet edhe Gjiri i Lalzit, ku çmimet arrijnë deri në 100 euro/m2, por edhe këtu si në mjaft zona të vendit ka probleme me pronësinë.

“Gjiri i Lalzit mbetet një zonë mjaft e preferuar, por problemet e shumta me pronësinë po pengojnë kryerjen e transaksioneve”, – thotë Gjin Biba, drejtues i “Century 21” në Shqipëri.

Sipas tij, një rënie të lehtë të çmimeve ka patur në zonën e Farkës, por edhe këtu çmimet kanë zbritur në normalitet pas një “fryrje” artificiale që shënuan në muajin prill.

“Në muajin prill çmimet në këtë zonë arritën deri në 200 euro/m2 si pasojë e nisjes së investimit për ngritjen e një qendre të madhe tregtare në këtë zonë. Por tashmë mund të themi se kanë arritur në normalitet, 120-150 euro/m2“, -thotë Biba.

Investimi në zonat bregdetare ende të virgjëra është parë gjithnjë me mjaft interes.

Përmirësimi i situatës, ndoshta në fund të vitit 2009

Duket se ajo që kishin parashikuar ekspertët imobilarë në fillim të shtator-tetorit po ndodh. Kriza ndërkombëtare financiare pritej të sillte një stopim të investimeve në këtë treg. Tani kompanitë e mëdha, sidomos ato të huaja, po mendohen më shumë para se të derdhin paratë e tyre në një investim të ri.

“Problemi qëndron më shumë tek investitorët e huaj, të cilët të ndodhur përballë një krize në vendin e tyre, kanë ndaluar së investuari”, – thonë agjentët.

Por megjithatë, të gjithë agjentët theksojnë se Shqipëria mbetet një vend mjaft interesant dhe i sigurtë për aq kohë sa këtu çmimet janë shumë më të lira se në shtetet e tjera fqinje.

Për Stela Dhami të “Colliers International” Shqipëria është nga të paktët në Rajon që në një periudhë të tillë krizë nuk i ka ulur çmimet e pasurive të patundshme: “Nëse bëjmë një vëzhgim në të gjitha vendet e rajonit çmimet janë ulur dhe p.sh., në Mal të Zi ato janë deri në 30-40%, ndërkohë që në Shqipëri ato nuk kanë lëvizur fare”.

Të gjithë agjentët imobilarë të anketuar nga “Monitor” konfirmojnë se nuk po vënë re asnjë luhatje çmimesh, megjithë situatën aspak pozitive në tregun e shit-blerjeve. Sipas tyre, ata që në përgjithësi kanë vënë në shitje troje janë individë me likuiditete dhe në këtë periudhë nuk e kanë parë veten në vështirësi financiare.

“Një fakt tjetër është se tregu në Shqipëri është mjaft kaotik e i segmentuar dhe operatorët nuk ndikojnë te njëri-tjetri ashtu siç ndodh në çdo vend të Rajonit, rreth nesh”, – shton Dhami e “Colliers”.

Për agjentët imobilarë tregu pritet të ketë një përmirësim nga fundi i këtij viti, ku pritet të ketë rritje pozitive të treguesve ekonomikë në Europë e Shqipëri.

“Përmirësimet do t´i shohim kur bankat të ofrojnë kredi më të lira se aktualisht dhe sidomos kur të rriten dërgesat e emigrantëve”,-thotë Lefter Sila. Ndërkohë Dhami e “Colliers” thotë se gjasat janë që të ketë një ndryshim për “mirë” në muajt e fundit, kjo sepse parashikimet e ekonomisë konfirmojnë diçka të tillë. “Nuk mund të presim përmirësime gjatë muajve të verës”,-shton ajo.

Century 21: Shitjet vazhdojnë

Ndryshe duket situata për drejtuesit e agjencisë shumëkombëshe të real-estate “Century 21”. Drejtuesi i saj, Gjin Biba, tregon se vetëm 2 javë më parë, një nga agjencitë kreu një transaksion për një tokë prej 6,000 metrash në Lundër, e cila u ble nga një investitor.

“Mund të themi se gjatë kësaj periudhe ka mjaft interes për të blerë dhe agjentët tanë kanë realizuar në terren edhe kontrata shit-blerjesh. Mjaft me interes shihen tokat në bregdet dhe sidomos te Gjiri i Lalzit në Durrës. Kjo është një zonë mjaft e preferuar, por që po mbetet peng i problemeve me pronësinë.

Së fundmi, kanë mbërritur oferta për të shitur toka edhe në Himarë, ku çmimet arrijnë deri në 100 euro/m2. Mjaft me interes janë edhe trojet që shtrihen përgjatë akseve të reja rrugore që kanë nisur së ndërtuari apo janë drejt përfundimit. Një aks me mjaft interes është ai Levan-Tepelenë, ku kemi patur mjaft interes për të blerë troje në këtë aks”, – thotë Gjin Biba. Gjithsesi ende nuk po shfaqen oferta për aksin e ri Durrës-Kukës.

Sipas tij, ata që po interesohen dhe që po blejnë aktualisht janë investitorë vendas, ndërkohë që të huajt duket se nuk po shfaqen.

Shqipëria vlerësohet se ka ende mjaft potenciale të vlefshme për zhvillimin e një turizmi që i siguron progres ekonomik dhe social. Shqipëria ka 450 km bregdet me rreth 24 zona për zhvillimin e turizmit. Gjysma e sipërfaqes së vendit është zonë malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, me 15 zona prioritare për zhvillimin e turizmit. Shqipëria ka tre liqene të mëdhenj dhe një sërë liqenesh të vegjël e artificialë. Ajo ka 13 parqe kombëtare dhe zona të ndjeshme ekologjike-pyjore. Klima është diverse, me diell e sezon relativisht të gjatë veror dhe klimë tipike malore në periudhën e dimrit. Ajo që i ka munguar turizmit shqiptar është vizioni, ekspertiza dhe vullneti politik.

Qeveria, çmimet maksimale e minimale

Sipas hartës së vlerës së tokës, që ka marrë miratimin edhe në qeveri e kuvend, qyteti bregdetar i Durrësit është dhe vendi ku toka ka vlerën më të madhe, ku çmimi maksimal i tokës për metër katror është 44,604 lekë.

çmimi maksimal i trojeve urbane në Tiranë është 77,523 lekë/m2, ndërsa çmimi minimal është 20,473 lekë/m2. Kryeqyteti cilësohet dhe vendi që çmimi i trojeve urbane është më i lartë.

çmimi minimal në rrethin e Skraparit, i cili cilësohet si vendi ku çmimi i trojeve urbane është më i ulët është 640 lekë/m2, ndërsa çmimi maksimal 828 lekë/m2.

çmimet e trojeve

Zona çmimi (euro/m2)

Bregdeti (Jugu+Durrësi 50-150

Kashar 150

Mullet 50-60

Sauk, Lundër 120-150

Tiranë -Vorë 150-200

Vorë -Durrës 100-150

Burimi: Agjencitë Imobilare

Nga Laura çela

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of