“Ngrirja” e koncesioneve, revolucion apo show?

09/02/2019 10:08 PM 0 komente

Ndërprerja e Partneritetit Publik-Privat për Thumanë-Kashar dhe më pas një deklaratë për ngrirjen e të gjitha kontratave të hidrocentraleve jooperative ngjajnë si dy masa që duan të zhbëjnë një model që “ushqehet” prej vitesh, pra revolucion.
Për ekspertët kjo nuk është asgjë më shumë sesa show i radhës mediatik që, në fund, nuk do të sjellë asnjë ndryshim. Për investitorët, kjo është një rrufe në qiell të hapur, që pritet të ketë efekt zinxhir në ekonomi me projekte që u vihet në diskutim siguria e financimit, nënkontraktorë që mund të mos paguhen, plane biznesi të dështuara apo edhe implikime ligjore në gjykata.

 

Nga Nertila Maho

 

Dy daljet e bujshme të ministres së re të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, para mediave lidheshin me kontratat koncesionare. E para kishte të bënte me projektin Thumanë-Kashar, pjesë e paketës 1 miliard për rindërtimin. Ministrja do të deklaronte se qeveria është tërhequr nga Partneriteti Publik-Privat, të paktën përkohësisht duke kaluar fondin te “Pakti për Universitetin”.

Rruga Thumanë-Kashar u fitua përmes një procesi prokurimi në vlerën 225.8 milionë euro, fituar nga Gener 2, e cila më herët kishte bërë edhe një ofertë të pakërkuar po për këtë segment. Ajo që nuk u sqarua në deklaratën e parë të ministres Belinda Balluku ishte fondi i saktë që kalonte te reforma e detyruar e arsimit nën presionin e protestave të studentëve, si dhe arsyeja se pse ishte pikërisht Thumanë-Kashar kontrata që u vendos të braktisej.

Dy ditë pas deklaratës për ndërprerjen e procedurës së PPP për Thumanë-Kashar, dalja e radhës e ministres Balluku do të ishte për hidrocentralet. Një projekt në kanionet e Holtës që zgjoi reagimin e banorëve dhe shoqërisë civile, duket se ishte shtysa e deklaratës së re. Ajo nënvizoi në fjalën e saj se në total janë 182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-eve dhe vetëm 96 hidrocentrale janë operative. “Ato u përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative, në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vogla, ndikimin ekonomik dhe social të tyre dhe me radhë. Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë”, tha Balluku.

Përtej kësaj deklarate nuk ka pasur një udhëzim apo urdhër të publikuar nga ana e ministrisë ku të legjitimohet deklarata. Ajo që përflitet është ekzistenca e një urdhri të brendshëm, por që ka lënë në errësirë totale pjesën e prekur direkt që janë koncesionarët e hidrocentraleve.

 

Investitorët në panik, ngrirja në bllok e pajustifikuar

Investitorët në sektorin e energjisë dhe që kanë kontrata koncesionare me qeverinë duket se janë gjetur të papërgatitur në lidhje me deklaratën e fundit. Sipas tyre, reagimi i ministres së re mbetet i paqartë dhe “ngrirja” e kontratave, evazive. Ata nënvizojnë se kjo fut frikën e një faze të re pasigurie për investimet që përsëritet sa herë ndryshojnë qeveritë, ndërsa këtë herë po përsëritet edhe brenda vetë qeverisë me ndryshimin e ministres. Ata kujtojnë se kjo u zbatua edhe në vitin 2014 kur erdhi ish-ministri i asaj kohe, Damian Gjiknuri. “Me nismën e fundit, siguria juridike e koncesioneve dhe gjithë investimeve ka bërë shumë hapa pas.

Mendoj që kishim arritur një komunikim konstruktiv edhe në kohën e ministrit të mëparshëm dhe lejet vijuan të jepen duke u lehtësuar edhe përmes autorizimeve për HEC-et nën 2 MW. Tani ka pasur shqetësime nga shumë investitorë, të cilëve u është thënë të ndërpresin punimet apo se nuk iu zbardhen lejet, ndërkohë që janë në fazën finale të marrjes së tyre. Pezullimi gjithsesi është i pabazuar tërësisht. Ajo që na shqetëson është vendimi dhe bllokimi në bllok i këtyre kontratave, që mund të jenë në proces ndërtimi apo zhvillimi. Monitorimi i kontratës nga ministria është detyrë normale dhe kjo mund të bëhet pa bllokuar punën e investitorëve”, – nënvizon Anita Shushku, kryetare e Bordit të Shoqatës Shqiptare për Energjinë e Rinovueshme.

Edhe Gjergj Bojaxhi, njohës i mirë i sektorit, nënvizon se të pasurit e një kontrate mes qeverisë dhe një investitori e bën të parën palë dhe jo mbret, që mund të ngrijë apo bllokojë punën. Kjo mund të ndodhë vetëm kur njëra nga palët nuk ka respektuar angazhimet dhe në këtë rast, ka prishje të kontratës, por jo bllokim të saj. Sipas tij, qeveria po përdor këtë çështje për shfaqjen mediatike të radhës dhe asnjë nuk pritet të ndryshojë në vijim. Ekspertë të fushës nënvizojnë se sot ministria, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës dhe gjithë hallkat e tjera institucionale kanë detyrim kontrollin periodik të koncesioneve. Ky proces është pjesë normale e punës së tyre dhe kryhet pa pasur nevojë bllokimi. Rastet e kësaj natyre që mund të rezultojnë me kosto të mëdha financiare për investitorët mund të transmetohen edhe te taksapaguesit nëse ankimet mbërrijnë në dyert e arbitrazhit.

 

Flet Gjergj Bojaxhi, ekspert për çështjet e energjisë

 

“Asnjë masë në 5 vjet, qeveria po bën show-n e radhës”

 

Ndërtimet në zonat e mbrojtura apo parqe kombëtare kanë vite që vijojnë nga ana e atyre që kanë kontrata koncesionare për hidrocentrale por, së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi për një fazë të re pezullimi. Ekspertë të fushës theksojnë se kjo praktikë e ndjekur shpesh ka rezultuar deri më tani me zero kontrata të prishura.

Gjergj Bojaxhi, në një intervistë për “Monitor” thekson se “ngrirja” e fundit e kontratave është thjesht një show mediatik dhe nuk pritet të ketë ndonjë rezultat konkret. Sipas tij, qeveria ka pasur pesë vite kohë të ndalojë kontrata në Parqe Kombëtare apo të mbyllë shtigjet ligjore që lejojnë këtë pjesë dhe nuk ka bërë asgjë.

Nga ana tjetër, ai nënvizon se në një kontratë me një investitor, shteti është palë dhe jo mbret, çka nuk i jep të drejtën të marrë masa të tilla.

Së fundmi ka një ngrirje apo pezullim të kontratave për hidrocentralet që ende s’kanë nisur punë. A ka një bazë ligjore sot që mbështet këtë nismë që e kemi parë edhe më herët?

Do të thoja që nuk ka asnjë bazë ligjore për të ashtuquajturën ngrirje të kontratave. Ose ka një kontratë, ose nuk ka. Nëse ka kontratë, ka detyrime dypalëshe, që secila palë ose i ka respektuar, ose i ka shkelur. Kështu që deklarata për ngrirje kontratash është absurditet ligjor, i cili rrit kostot financiare të këtyre projekteve, për shkak të paqartësisë dhe pasigurisë ligjore që krijon për financimin për vazhdimin e tyre. Kjo kosto financiare në fund të ditës, përfundon si kosto më e lartë e energjisë elektrike dhe përfundon të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.

Ndryshimi ose përpjekjet për të treguar sikur diçka jashtëzakonisht e re do të ndodhë, që dikur merrej vetëm kur ndryshonte një qeveri, tani po ndodh nga një ministër te tjetri brenda së njëjtës qeveri. Kjo përforcon opinionin negativ që kanë investitorët e huaj për qëndrueshmërinë e politikave sociale dhe sektoriale dhe rrit pasigurinë për të investuar në Shqipëri.

A ekziston frika për implikime ligjore në kuptimin e gjykatës apo ankimit në arbitrazhe për ato kontrata që janë nënshkruar?

Çdo ngrirje apo bllokim i një kontratë ekzistuese është më se normale, që do të shoqërohet me kërkesë nga pala private për dëmin në biznes. Ministria nuk ka të drejtë të bllokojë një biznes që të ushtrojë një kontratë legjitime që ka. Edhe sikur kjo kontratë të jetë e firmosur nga ministria përkatëse. Në këtë rast s’mund të jesh vetë zot dhe vetë shkop. Ministria është palë, jo mbreti, në një kontratë dypalëshe.

Reagimi i fundit i ministrisë duket se erdhi pas situatës në kanionin e Holtës dhe një debati të gjerë lidhur me balancën mes turizmit dhe energjisë. A mendoni se ky është momenti i duhur për të marrë këto masa apo jemi vonë?

Qeveria shqiptare ka një mungesë koherence në mënyrë që të vendosë prioritetet sipas zonave, pra se cilat janë zonat ku do të ketë përparësi veçanërisht mjedisi dhe turizmi dhe cilat janë zonat në të cilat duam të kemi zhvillim, qoftë me investimet hidrike apo në ndonjë industri tjetër. Është shqetësuese që po shohim se dhe në Parqe Kombëtare jepen leje koncesioneve. Më shqetësuese është se kanë kaluar 5 vjet dhe kjo qeveri s’ka marrë asnjë veprim konkret për të qartësuar se në cilat zona të mbrojtura nuk duhen ndërtuar hidrocentrale apo të bllokojë shtigjet ligjore që janë përdorur si justifikim dhe si mënyrë për të ndërtuar në Parqe Kombëtare. Deri tani, në 5 vjet vetëm retorikë kemi dëgjuar dhe zonat e mbrojtura vazhdojnë të dëmtohen.

Shqetësimi nuk shkon që po ndërtohet në Valbonë apo Holtë, por që s’kanë marrë asnjë veprim për të mos u dhënë leje në zonat e mbrojtura. Ne e dimë nga komunikimet me specialistët e fushës që nuk është ngritur asnjë shqetësim tek ministrat në lidhje me procedurat dhe respektimin e kontratave nga sektori privat. Departamentet dhe drejtoritë përkatëse nuk kanë bërë asnjë raport ku të shfaqin shqetësimin dhe të kërkojnë ngrirjen e kontratave koncesionare. Përkundrazi, në bisedat e brendshme dhe private me punonjësit, nënqeshin dhe e kuptojnë show-n mediatik të radhës.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of