“Ngrirja” e koncesioneve: Revolucion apo show?

05/02/2019 3:36 PM 0 komente

Ndërprerja e Partneritetit Publik-Privat për Thumanë-Kashar dhe më pas një deklaratë për ngrirjen e të gjitha kontratave të hidrocentraleve jooperative ngjajnë si dy masa që duan të zhbëjnë një model që “ushqehet” prej vitesh, pra revolucion. Për ekspertët kjo nuk është asgjë më shumë sesa show i radhës mediatik që, në fund, nuk do të sjellë asnjë ndryshim. Për investitorët, kjo është një rrufe në qiell të hapur, që pritet të ketë efekt zinxhir në ekonomi me projekte që u vihet në diskutim siguria e financimit, nënkontraktorë që mund të mos paguhen, plane biznesi të dështuara apo edhe implikime ligjore në gjykata.

 

Nga Nertila Maho

Dy daljet e bujshme të ministres së re të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, para mediave lidheshin me kontratat koncesionare. E para kishte të bënte me projektin Thumanë-Kashar, pjesë e paketës 1 miliard për rindërtimin. Ministrja do të deklaronte se qeveria është tërhequr nga Partneriteti Publik-Privat, të paktën përkohësisht duke kaluar fondin te “Pakti për Universitetin”.

Rruga Thumanë-Kashar u fitua përmes një procesi prokurimi në vlerën 225.8 milionë euro, fituar nga Gener 2, e cila më herët kishte bërë edhe një ofertë të pakërkuar po për këtë segment. Ajo që nuk u sqarua në deklaratën e parë të ministres Belinda Balluku ishte fondi i saktë që kalonte te reforma e detyruar e arsimit nën presionin e protestave të studentëve, si dhe arsyeja se pse ishte pikërisht Thumanë-Kashar kontrata që u vendos të braktisej.

Dy ditë pas deklaratës për ndërprerjen e procedurës së PPP për Thumanë-Kashar, dalja e radhës e ministres Balluku do të ishte për hidrocentralet. Një projekt në kanionet e Holtës që zgjoi reagimin e banorëve dhe shoqërisë civile, duket se ishte shtysa e deklaratës së re. Ajo nënvizoi në fjalën e saj se në total janë 182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-eve dhe vetëm 96 hidrocentrale janë operative. “Ato u përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative, në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vogla, ndikimin ekonomik dhe social të tyre dhe me radhë. Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë”, tha Balluku.

Përtej kësaj deklarate nuk ka pasur një udhëzim apo urdhër të publikuar nga ana e ministrisë ku të legjitimohet deklarata. Ajo që përflitet është ekzistenca e një urdhri të brendshëm, por që ka lënë në errësirë totale pjesën e prekur direkt që janë koncesionarët e hidrocentraleve.

 

Investitorët në panik, ngrirja në bllok e pajustifikuar

Investitorët në sektorin e energjisë dhe që kanë kontrata koncesionare me qeverinë duket se janë gjetur të papërgatitur në lidhje me deklaratën e fundit. Sipas tyre, reagimi i ministres së re mbetet i paqartë dhe “ngrirja” e kontratave, evazive.

Ata nënvizojnë se kjo fut frikën e një faze të re pasigurie për investimet që përsëritet sa herë ndryshojnë qeveritë, ndërsa këtë herë po përsëritet edhe brenda vetë qeverisë me ndryshimin e ministres. Ata kujtojnë se kjo u zbatua edhe në vitin 2014 kur erdhi ish-ministri i asaj kohe, Damian Gjiknuri. “Me nismën e fundit, siguria juridike e koncesioneve dhe gjithë investimeve ka bërë shumë hapa pas.

Mendoj që kishim arritur një komunikim konstruktiv edhe në kohën e ministrit të mëparshëm dhe lejet vijuan të jepen duke u lehtësuar edhe përmes autorizimeve për HEC-et nën 2 MW. Tani ka pasur shqetësime nga shumë investitorë, të cilëve u është thënë të ndërpresin punimet apo se nuk iu zbardhen lejet, ndërkohë që janë në fazën finale të marrjes së tyre. Pezullimi gjithsesi është i pabazuar tërësisht. Ajo që na shqetëson është vendimi dhe bllokimi në bllok i këtyre kontratave, që mund të jenë në proces ndërtimi apo zhvillimi. Monitorimi i kontratës nga ministria është detyrë normale dhe kjo mund të bëhet pa bllokuar punën e investitorëve”, – nënvizon Anita Shushku, kryetare e Bordit të Shoqatës Shqiptare për Energjinë e Rinovueshme.

Edhe Gjergj Bojaxhi, njohës i mirë i sektorit, nënvizon se të pasurit e një kontrate mes qeverisë dhe një investitori e bën të parën palë dhe jo mbret, që mund të ngrijë apo bllokojë punën. Kjo mund të ndodhë vetëm kur njëra nga palët nuk ka respektuar angazhimet dhe në këtë rast, ka prishje të kontratës, por jo bllokim të saj. Sipas tij, qeveria po përdor këtë çështje për shfaqjen mediatike të radhës dhe asnjë nuk pritet të ndryshojë në vijim. Ekspertë të fushës nënvizojnë se sot ministria, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës dhe gjithë hallkat e tjera institucionale kanë detyrim kontrollin periodik të koncesioneve. Ky proces është pjesë normale e punës së tyre dhe kryhet pa pasur nevojë bllokimi. Rastet e kësaj natyre që mund të rezultojnë me kosto të mëdha financiare për investitorët mund të transmetohen edhe te taksapaguesit nëse ankimet mbërrijnë në dyert e arbitrazhit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of