Ngadalësimi i rritjes së temperaturave gjatë 15 viteve të fundit shkon nga e pashpjegueshme në të “mbishpjegueshme”
Mes viteve 1998 dhe 2013, temperatura e sipërfaqes së Tokës u rrit me një normë prej 0.04° C në dekadë, shumë më e ngadaltë se sa rritja prej 0.18° C në vitet 1990. Ndërkohë, emisionet e dioksidit të karbonit (i cili pritet që të rrisë edhe më tej temperaturat) u shtuan vazhdimisht. Kjo pauzë në ngrohjen globale ka ngritur dyshime në mendjen e njerëzve në lidhje me ndryshimin e klimës.
Janë të paktë ata skeptikë që deklarojnë në mënyrë kategorike se ngrohja globale ka ndaluar.
Të tjerë argumentojnë se perceptimi i shkencëtarëve për klimën është aq “i çalë” saqë gjykimet e tyre në lidhje me të nuk mund të pranohen me besim të plotë. Kështu që një shpjegim bindës rreth “pauzës” ka rëndësi si për një perceptim të duhur ndaj klimës ashtu edhe për besueshmërinë e shkencës së klimës – dhe gazetat e botuara gjatë disa javëve të fundit po bëjnë më të mirën për të siguruar një të tillë. Në të vërtetë, ato e bëjnë pothuajse shumë mirë këtë punë.
Në qoftë se gjithçka do të ishte e saktë, pauza tani nuk do të ishte e nevojshme të shpjegohej dy herë.
Kjo është e kundërta e asaj që ndodhi në fillim. Teksa u grumbulluan dëshmitë se temperaturat nuk po rriteshin shumë, disa shkencëtarë e hodhën poshtë atë si diçka sporadike. Temperaturat, vënë në dukje ata, kishin rënë rreth dy herë për periudha shumë më të gjata gjatë shekullit të kaluar, në vitet 1880-1910 dhe përsëri në vitet 1945-‘75, edhe pse trendi i përgjithshëm u rrit.
Ndryshueshmëria është pjesë e sistemit të klimës dhe një pauzë 15-vjeçare, sugjeruan ata, nuk është dhe aq e rëndësishme sa të na ekzaltojë kaq shumë.
Një mënyrë alternative për të perceptuar rëndësinë e pauzës do të ishte, të themi, se ka pasur një ngadalësim, por jo një të madh. Shumica e të dhënave, duke përfshirë edhe një nga më të njohurat (që mbahet nga Zyra Meteorologjike e Britanisë), nuk përfshinë masat nga Arktiku, i cili është ngrohur më shpejt se kudo tjetër në botë.
Duke përdorur të dhënat satelitore për të mbushur shifrat e munguara të Arktikut, Kevin Cowtan i Universitetit të York-ut, në Britani, dhe Robert Way i Universitetit të Otavës, në Kanada, e përcaktuan normën e përgjithshme të ngrohjes globale në 0.12° C në dekadën mes viteve 1998 dhe 2012-s, jo shumë larg nga norma e viteve 1990. Një studim nga NASA i përcakton “efektet e Arktikut” për të njëjtën periudhë disi më ulët, në 0.07° C në dekadë, por që sërish nuk është e papërfillshme.
Gjithashtu është me vlerë të kujtojmë se ngrohja mesatare nuk është masa e vetme e ndryshimit të klimës. Sipas një studimi të sapopublikuar nga Sonia Seneviratne i Institutit për Shkencën Atmosferike dhe të Klimës, në Zyrih, numri i ditëve të nxehta, numri i ditëve tejet të nxehta dhe kohëzgjatja e periudhave të ngrohta u rritën të gjitha gjatë pauzës (1998-2012). Një temperaturë mesatare më e qëndrueshme fsheh ekstremet më të gjera.
Ende vazhdojnë tentativat për të shpjeguar se mesatarja e qëndrueshme nuk ka qenë bindëse, pjesërisht për shkak të konfliktit mes temperaturave afër zeros dhe rritjes së emetimeve të CO2, dhe pjesërisht për shkak se temperaturat e vërejtura tanimë po dalin jashtë parashikimit të gamës së modeleve të klimës. Modelet manifestojnë gjendjen e njohurive të klimës. Nëse ata gabojnë, njohuria gjithashtu ka gjasa të jetë e gabuar. Prandaj tentojnë të shpjegojnë pauzën.
Lajme lehtësuese
Në shtator të vitit 2013, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike u mblodh në lidhje me luhatshmërinë e prodhimit diellor, ndotjes atmosferike dhe vullkaneve. Të tre, mendonte paneli, kishin një ndikim të jashtëzakonshëm.
Prodhimi i fuqisë diellore luhatet lehtazi gjatë një cikli që zgjat rreth 11 vjet. Cikli aktual duket se është zgjatur më shumë se normalisht dhe mund të jetë nisur nga një bazë e ulët, kështu që dekadën e fundit në Tokë ka arritur më pak ngrohje se zakonisht. Ndotja shpërndan aerosolë (grimca të tilla si bloza, dhe pika të ngarkuara me gjëra të tilla si acidi sulfurik) në ajër, ku ata pasqyrojnë sërish rrezet e diellit në hapësirë.
Sa më shumë të jetë ajri i ngarkuar me të tillë aerosolë, aq më i madh efekti i tyre i ftohjes – dhe në veçanti është rritur ndotja nga impiantet kineze me qymyr. Vullkanet bëjnë të njëjtën gjë, kështu që intensifikimi i aktivitetit vullkanik ka tendencë të ulë temperaturat.
Gavin Schmidt dhe dy kolegë në Institutin Goddard të NASA-s përcaktojnë efektet e këtyre trendeve në Nature Geoscience.
Ata argumentojnë se modelet e klimës nënvlerësojnë ciklin e vonuar dhe të ndrydhur diellor. Ata mendojnë se modelet nuk llogarisin plotësisht efektet e ndotjes (në mënyrë të veçantë, ndotjet e nitrateve dhe efektet indirekte si ndërveprimet mes aerosolëve dhe reve).
Dhe për më tepër, ata pretendojnë se ndikimi i aktivitetit vullkanik që nga viti 2000 ka qenë më i madh se sa është menduar më parë. Bazuar mbi të gjitha këto, ata po zbulojnë se diferenca mes shifrave aktuale të temperaturës dhe të atyre të përllogaritura në mënyrë kompjuterike po “zbehet” në një shkallë të gjerë.
Implikimi qëndron në faktin se cikli diellor dhe aerosolët shpjegojnë shumë rreth pauzës.
Shpërthim të ftohti dhe të nxehti
Megjithatë ka edhe një lloj tjetër shpjegimi. Pjesa më e madhe e ngrohjes “në hyrje” përthithet nga oqeanet, sidomos nga më i madhi, Paqësori. Disa studime të reja e lidhin pauzën me ndryshimet në Paqësor dhe në erërat tropikale që ndikojnë në qarkullimin e ujit brenda tij.
Erërat tropikale godasin lindje-perëndimin në lartësitë tropikale. Duke bërë kështu, ato e shtynë ujin e ngrohtë në sipërfaqe drejt Azisë dhe tërheqin ujin më thellë e të ftohtë në sipërfaqe në Paqësorin qendror dhe lindor, i cili freskon atmosferën. Lëvizja e ujit në sipërfaqe përshpejton një rrymë gjigante në oqean. Kjo tërheq për poshtë një pjesë të ujit të ngrohtë, duke izoluar ngrohje në thellësi më të mëdha.
Në një studim të botuar në “Nature” në vitin 2013, Yu Shang Kosaka dhe-Ping Xie i Institucionit të Oqeanografisë Scripps Institution of Oceanography, në San Diego, argumentuan se pjesa më e madhe e diferencës midis modeleve të klimës dhe temperaturave aktuale mund të shpjegohet me ftohjen në Paqësorin Lindor.
Çdo disa vjet, sikundër vënë re dr. Kosaka dhe dr. Xie, erërat tropikale humbasin intensitet dhe uji i ngrohtë në Paqësorin perëndimor acarohet sërish për të zëvendësuar shtresat e ftohta sipërfaqësore të pjesëve qendrore dhe lindore të oqeanit. Ky model moti është quajtur El Niño dhe ai ngroh të gjithë atmosferën. Psh ka pasur një Niño jashtëzakonisht të fortë në vitet 1997-1998, një periudhë jashtëzakonisht e nxehtë.
Modeli i kundërt, me temperatura më të ftohta dhe erëra më të forta tropikale, është quajtur La Niña. Niño i viteve 1997-1998 u pasua nga një seri Niñas, duke shpjeguar pjesë të pauzës.
Kalimet midis El Niño dhe La Nina janë të shpeshta. Por ka edhe një cikël afatgjatë të quajtur Pacific Decadal Oscillation (PDO), Luhatjet e Dekadave të Paqësorit, i cili ndryshon nga një fazë e ngrohtë (ose pozitive) në një të ftohtë (negative) çdo 20 ose 30 vjet.
Faza pozitive inkurajon Niños më të shpeshta dhe më të fuqishme. Sipas Kevin Trenberth dhe John Fasullo të Qendrës Kombëtare të Amerikës për Kërkime Atmosferike, PDO ishte pozitiv në vitet 1976-1998, një periudhë e rritjes së temperaturave, dhe negative në 1943-1976 dhe që nga viti 2000, ka prodhuar një seri Niñas të ftohtë. Por ky nuk është fundi i saj.
Në krye të këtyre modeleve ciklike pozicionohet ajo që duket si një rritje e papërsëritur në forcën e erërave tropikale gjatë 20 viteve të fundit. Sipas një studimi të Nature Climate Change (Ndryshimet Klimatike të Natyrës), nga Matthew England i Universitetit të New South Wales dhe të tjerë, regjistrimet e erërave tropikale kanë prodhuar një lloj super-Nina. Mesatarisht, nivelet e detit janë rritur me rreth 3 mm në vit gjatë 30 viteve të fundit.
Por detet në Paqësorin lindor kanë lëvizur fare pak, ndërsa ato në afërsi të Filipineve janë rritur me 20 cm që nga fundi i viteve 1990. Kështu është krijuar një “mur” me ujë të ngrohtë, nga erërat e fuqishme, ku uji i ftohtë rritet pas tij. Sipas dr. England, efekti i erërave tropikale shpjegon pjesën më të madhe të pauzës së temperaturës.
Nëse është kështu, pauzë nga që nuk shpjegohej, tani është shpjeguar dy herë – një herë nga aerosolët dhe cikli diellor, dhe përsëri nga erërat e oqeanit dhe rrymat. Këto dy “referenca” nuk janë kontradiktore. Proceset funksionale janë kuptuar, por kontributet e tyre relative nuk janë të qarta.
As përgjigjja se çfarë është, nga pikëpamja njerëzore, nuk përbën çështjen më të madhe të të gjithave, kryesisht këto shpjegime nënkuptojnë për sa kohë mund të vazhdojë pauza. Në vështrim të parë, në qoftë se një pjesë e ngrohjes përthithet nga thellësitë e oqeanit, procesi thjesht ka gjasa të vazhdojë: oqeani ka kapacitet të madh për të absorbuar ngrohjen për aq kohë sa “pompa” që e dërgon atë në fund të shtratit funksionon.
Por kjo nuk është gjithçka rreth saj. Forca e gravitetit kërkon që “muri” i ujërave të Paqësorit perëndimor të ngrohen sërish; por mbahet në vend vetëm nga erërat jashtëzakonisht të forta tropikale. Nëse ato erëra “dobësohen”, temperaturat do të fillojnë të rriten përsëri.
Cikli diellor tashmë është kthyer. Dhe ftohja nga aerosolët ka të ngjarë të frenohet si pasojë e ligjeve të antindotjes së Kinës. Shumica e rrethanave që e kanë vënë rritjen e temperaturës së planetit në “pauzë” duken të përkohshme.
Ashtu si Terminatori, ngrohja globale do të rikthehet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.