Perceptimi i investitorëve të huaj aktual dhe potencial ka dëshmuar më së miri për punën e bërë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë. Anketa e realizuar me investitorët aktualë dhe potencialë ka treguar se investitorët e huaja që tashmë janë në Kosovë dhe ata potencial për të investuar në vendin tonë, kanë një qasje shumë më të mirë ndaj ambientit biznesor në Kosovë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike, të enjten kanë bërë prezantimin e raportit të Analizave, rreth “Perceptimit të Investitorëve në lidhje me Ambientin e Biznesit në Kosovë”. Ky raport paraqet një përmbledhje të gjetjeve të marra përmes një ankete me Investitorët aktualë dhe potencialë. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, tha se perceptimi i investitorëve ka ndryshuar. “Ju e dini që falë disa prej iniciativave të ndërmarra nga MTI-ja por edhe ministritë e tjera në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Kosova ka shënuar një përparim të dukshëm në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes”, tha Nikaj.
Në vitet e fundit sipas tij, është shënuar një lëvizje prej rreth 40 vendesh në rangimin e përgjithshëm, por edhe lëvizje më të mëdha në indikator të veçantë, siç janë ata që kanë të bëjnë me fillimin e biznesit për pagesën e taksave dhe me një numër të madh të indikatorëve tjerë. “Anketa është realizuar në vitin 2013 biznese që janë në Kosovë ose që mendojnë të veprojnë në Kosovë. Siç e shihni, disa nga arsyet kryesore për tërheqjen e investitorëve të rinj kanë të bëjnë me ato që ne tentojmë t’i promovojmë gjatë gjithë kohës e që janë në tregun në zhvillim”, ka thënë ministri Nikaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.