Nikolet Vasia i përket grupit të piktorëve që u formuan në shkollën shqiptare të pikturës. Ai lindi në Durrës më 1947 dhe ishte nxënës i A. Buzës, N. Zajmit, S. Kacelit gjatë viteve të formimit artistik në liceun “Jordan Misja “, në Tiranë (1961-66). Më tej Vasia do të kryejë studimet e larta për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, i cili kishte pak vite që ishte formuar. Emërohet piktor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe më vonë në vitet 80 e në vazhdim është pedagog në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës. Piktori Nikolet Vasia ka një krijimtari të pasur artistike. Ai në vazhdimësi ka marrë pjesë në ekspozitat dhe konkurset kombëtare e lokale të organizuara nga LSHA dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Krijimtarinë e tij ai e ka paraqitur para publikut edhe me një varg ekspozitash vetjake duke filluar nga viti 1982. Në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës ndodhen dy vepra monumentale të piktorit Nikolet Vasia (me bashkautor): “Kushtrimi” (mozaik parietal) dhe “Tradita” (vitrazh). Vasia është një piktor me një krijimtari komplekse. Ai ka realizuar edhe mjaft tablo me temë historike si; “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912”, “Kuvendi i burrave”, “Tek arbëreshët”, “Familja fshatare” etj. Disa nga veprat e tij në pikturë murale ndodhen edhe në ambientet e ndryshme të qytetit të Durrësit “Lojrat e fëmijëve”, “Pena shqiptare” dhe “Pranvera”. Vasia ka realizuar edhe vepra në skulpturë, skenografi, seri të emisioneve filatelike, grafikë etj. Krijimtaria e piktorit Nikolet Vasia është e larmishme dhe e gjatë (mbi 35 vjeçare). Në periudhën para viteve 90-të Vasia ka realizuar tablo me temë historike, peizazhe dhe vepra monumentale në mozaik e vitrazh. Këto vepra ishin realiste dhe stilistikisht të dallueshme nga mënyra e vizatimit dhe veçanërisht për gamën e veçantë koloristike që piktori përdor. Drita e fuqishme e pikturuar me ngjyra të ngrohta është një nga tiparet përbërës të veprave të kësaj periudhe. Pas viteve 90-të vëmendja e artistit Vasia nuk largohet nga tema historike e sociale, por mjetet piktorike janë tashmë jashtë kornizave të artit para viteve 90-të. Nikolet Vasia në ciklet e tablove të periudhës 1990-2005, ruan individualitetin stilistik, gamën koloristike, por peneli i tij është më i lirshëm, imazhet shpesh janë të plota e të dallueshme e herëherë marrin prirje drejt një abstragimi të plotë (vepra kompozim), herë prirje dekorative (vepra Rozafa), herë të një realizmi magjik (Tablotë “Natë” dhe “Të dashuruarit”). E përbashkëta në gjithë krijimtarinë e piktorit Nikolet Vasia është frymëzimi dhe pasqyrimi i temave shqiptare në tablotë e tij. Ai priret të sjellë temën “e vogël” të zakoneve, traditave e erosin shqiptar duke zgjedhur një ekspresion (veçanërisht pas viteve 90-të) mjaft të fuqishëm, simbolikoabstrakt. Figuracioni në veprat e piktorit Vasia ka brenda një përvojë krijuese mbi 30-vjeçare dhe çka është e rëndësishme ai ka ruajtur vijueshmërinë individuale stilistike duke e pasuruar me elemente figurativë abstraktë. Veprat e piktorit Nikolet Vasia tashmë bëjnë pjesë në koleksionin e fondit të GKA-së, Tiranë; të fondit të GA, Durrës, e në mjaft koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë.Revista “Monitor” i ofron lexuesve të saj 6 vepra të piktorit Nikolet Vasia, që janë përzgjedhur për mjediset tuaja familjare, ambientet e rezidencave të biznesit dhe zyrave, holleve dhe dhomave të hoteleve. Gjithashtu, nëpërmjet “Monitor” lexuesi mund të ketë mundësi të njihet edhe me vepra të tjera të autorit në studion e tij apo të porosisë vepra në teknika të veçanta monumentale si : Mozaik, Afresk klasik dhe modern. Piktura e piktorit Nikolet Vasia është e komunikueshme dhe dekorative. Veprat e piktorit Nikolet Vasia duke u vendosur në mjediset e biznesit apo ato familjare paraqesin motivet shqiptare me mjete moderne e bashkëkohore. Çmimi i veprave të piktorit Nikolet Vasia luhatet nga 400 në 800 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.