Udhërrëfyesit turistikë, që kanë vetëm certifikatën paraprake, duhet që të plotësojnë kreditet e mbetura për të marrë certifikimin final me afat 2-vjeçar.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi se tashmë, pas akreditimit të programeve të kualifikimit për udhërrëfyesit turistikë, ka nisur procesi i certifikimit.
“Në zbatim të ligjit 93/2015 ‘Për turizmin’, i ndryshuar, ju njoftojmë se ka filluar procesi i certifikimit të udhërrëfyesve turistikë, pas akreditimit të programeve të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik. Individët që janë pajisur me “Certifikatën Paraprake” të udhërrëfyesit turistik, duhet të plotësojnë kreditet e mbetura, nëse kanë dhe të aplikojnë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për t’u pajisur me Certifikatën e udhërrëfyesit turistik me afat vlefshmërie 2 vjet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Por si mund të bëhet plotësimi i krediteve. Sipas informacionit zyrtar, udhërrëfyesit turistikë të pajisur me certifikatë paraprake, duhet të paraqiten pranë subjekteve që ofrojnë programet e akredituara të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik, të miratuara nga Ministria përgjegjëse për Turizmin dhe Ministria përgjegjëse për Arsimin dhe Formimin Profesional, për të përmbushur të gjitha modulet e plotësuar kreditet e mbetura të programit të miratuar.
Rreth dy javë më parë, i njëjti institucion bëri publik akreditimet e programeve të kualifikimit si udhërrëfyes turistik që ofrohen nga universitete, qendra dhe federata sipas specifikës që ka secili.
Sipas kuadrit ligjor, personi, i cili do të pajiset me certifikatën e udhërrëfyesit turistik duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë mbi moshën 18 vjeç, të ketë mbaruar arsimin e mesëm, të mos ketë qenë i dënuar me heqje lirie për vepra penale të kryera me dashje, si dhe të jetë i pajisur me dokumentin që vërteton përfundimin me sukses të programit përkatës të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik, sipas kategorive dhe programeve të akredituara në përputhje me dispozitat e ligjit nr.93/2015, “Për Turizmin”, i ndryshuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.