Nis ndërhyrja për eliminimin e rrëshqitjes në autostradën Tiranë-Elbasan, kontrata 4 muaj

15/09/2018 12:52 PM 0 komente

Ka nisur ndërhyrja për eliminimin e rrëshqitjes që ndodhi dhjetorin e kaluar në autostradën Tiranë Elbasan pas daljes nga tuneli në  Mamël.  Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektoi këtë të hënë fillimin e punës për eliminimin e rrëshqitjes. Sipas kontratës së lidhur me kompaninë e cila do të kryejë punimet, ndërhyrja do të zgjasë për një periudhë prej 4 muajsh.

“Sot fillojmë rehabilitimin e rrëshqitjes këtu në Mamel. Ka kaluar kohë derisa buxheti u bë efektiv dhe sa u kryen të gjitha procedurat nga përgatitja e projektit deri në lidhjen e kontratës. Kemi një kontratë të lidhur me kompaninë dhe ka filluar puna. Është një rrëshqitje e cila sjell goxha problematikë në trafik. Në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të bëhet menaxhimi i trafikut, për një periudhë prej 4 muajsh, e mjaftueshme për të kryer gjithë këtë stabilizim të rrëshqitjes”, u shpreh drejtori i ARRSH-së Qendro.

Në vlerësimin e tij, me rëndësi është që gjatë periudhës së ndërhyrjes të garantohet dhe siguria e kalimit të qytetarëve.

“Një rëndësi të veçantë ka siguria e kalueshmërisë në këtë segment. Kemi marrë të gjitha masat me kompaninë që kalueshmëria të jetë e sigurtë. Siç e shikoni dhe ju po merren dhe masa shtesë. Do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes Autoritetit Rrugor, Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Është një projekt me gjysmë tunel siç e kemi deklaruar dhe më përpara. Një projekt që i jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje duke stabilizuar dhe siguruar gjithë këtë skarpatë e cila ka hapur problem për një kohë shumë të gjatë”, nënvizoi Qendro. Ndërhyrja u krye pas një studimi që propozoi si zgjidhje alternative një gjysmë tunel dhe që normalisht ka kosto më të lartë por siguri më të madhe.

Ndërhyrja për këtë rrëshqitje pritet ti kushtojë rreth 3 milionë euro qeverisë ndërkohe që kostot e Tiranë-Elbasan janë rritur në mënyrë të vazhdueshme për shkak të situatave të tilla ku përjashtim nuk bën as rrëshqitja në Ibë e ndodhur pak vite më parë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of