Regjistër fiskal, on-line për të identifikuar pronat e qytetarëve, si dhe për të krijuar një sistem më të ndershëm taksimi. Për këtë shkak Ministria e Financave, ka nisur punën për përgatitjen e kadastrës fiskale, apo siç është njohur tashmë ndryshe edhe si regjistrimi on-line i pasurive të paluajtshme. Kjo do të sjellë zgjidhjen përfundimtare në mbledhjen e taksave për pronat e paluajtshme dhe do të minimizojë informalitetin në këtë sektor. Prej pak muajsh ka filluar punën grupi i punës në Ministrinë e Financave. Kjo nismë do t’i japë fund tregut më informal, siç është ai i pasurive të paluajtshme. Sipas projektit, regjistrimet që do të bëhen në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit (pronarit), numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut. Ardian Kola, këshilltari për mediet, në Ministrinë e Financave, për gazetën “Shekulli” deklaron se është krijuar grupi i punës për të bërë studimet e nevojshme për Kadastrën Fiskale. Gjithashtu, ai shprehet se ky projekt është në fazën embrionale dhe se do të duhet më shumë se një vit, që të kemi përfundimet konkrete të studimit. Megjithatë, Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka bërë sugjerimet e tij për këtë organizëm që para tri vitesh, ndërsa kohët e fundit ka rritur nivelin e këmbënguljes që ky projekt të realizohet.
Gjithë procedura bëhet për një regjistrim të plotë të pronave të paluajtshme, jo vetëm si hapësirë, por edhe si vlerë tregu. Sipas Ministrisë së Financave FMN-ja ka kërkuar në bazë të praktikës botërore, regjistrimi i pronave të jetë një proces i detyruar për të gjithë pronarët. Kjo risi do të sjellë, jo vetëm një njohje të plotë të situatës por edhe një mbledhje të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas projektit të parashikuar, pronat e patundshme të qytetareve do të regjistrohen te gjitha në një sistem on-line, se bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi. Është ky thelbi i projektit, që parashikon krijimin për herë të parë në Shqipëri të Kadastrës Fiskale, e cila synon të vendosë rregull në këtë sektor, që konsiderohet më informali edhe për sa i përket të ardhurave në buxhet. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se krijimi i kadastrës fiskale është fokusi i paketës fiskale te vitit te ardhshëm. Bëhet fjalë për një kërkesë të hershme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që është artikuluar shpesh nga ky institucion, veçanërisht tre vitet e fundit. Kjo pasi në kushtet e informalitetit në ndërtime dhe në biznes, baza aktuale e të dhënave nuk ka saktësinë e nevojshme. Në mjaft raste ndryshon nga viti në vit pronari, ose nuk përcaktohet destinacioni i objektit, për banim apo për biznes. Sipas referencave të Ministrisë së Financave, në Shqipëri, ka qytetare që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 6 mujorin e parë të këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 2.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në 11 vitet e fundit. Por me tepër sesa të formalizimi i sektorit, kjo performancë më e mirë në arkëtim i faturohet rritjes së kësaj takse në paketën fiskale të këtij viti. Për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat mbi pronën.
Ligji aktual i taksës mbi pasurinë e paluajtshme
Subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme janë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarët e pasurive të mësipërme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të kësaj pasurie. Përjashtohen rastet e përcaktuara ndryshe në ligj. Pronari ose bashkëpronarët janë të detyruar të paguajnë taksën mbi pasurinë e paluajtshme, në bazë të përqindjes së pronës në posedim. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfshin taksën mbi ndërtesat dhe taksën mbi tokën bujqësore. Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit (vendi) në metra katrorë të ndërtimit apo pjesë të tij, mbi dhe nën nivelin e tokës, dhe sipërfaqja e çdo kati. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit vlerësohet në bazë të dokumenteve që vërtetojnë një pasuri të tillë. Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi ndërtesën varjon nga 10.5 lekë për metër katror deri në 200 lek për metër katror. Këto janë taksa që funksionojnë aktualisht në vendin tonë
Lehtësirat
Minimizim i informalitetit, rritje e të ardhurave në buxhetin e shtetit, lehtësia në proceset e kreditimit për bankat e nivelit të dytë, pasqyrim i situatës mbi objektet dhe truallin e pasurive të paluajtshme. Të gjitha këto, do të mund të marrin një verdikt zyrtar pasi të përfundojë faza e studimeve në terren për ndërtimin e Kadastrës Fiskale.
Si funksionon kadastra fiskale në vendet e Bashkimit Europian
Taksa mbi pronat apo pasurinë është një nga sistemet më të rëndësishme në shumë vende të rajonit dhe të botës. Decentralizimi fiskal është një nga eksperiencat më të frytshme në shumë vende përmes rritjes së të ardhurave të gjeneruar nga administrimi më i mirë dhe eficent i taksës mbi pronat. Në vende të tjera të rajonit të Ballkanit, financat fiskale, po bëhet një burim gjithmonë e në rritje në gjenerimin e të ardhurave për të financuar shpenzimet lokale dhe kostot e investimeve në infrastrukturë. Ajo që bën më tepër përshtypje dhe vjen e artikuluar si mesazh i qartë prej eksperiencës së vendeve evropiane dhe atyre të rajonit, është pikërisht përdorimi i taksës mbi pronat jo thjesht si një instrument për gjenerimin e të ardhurave lokale, por si një instrument, i cili shoqëruar me politika të përshtatshme e të studiuara lokale, mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, duke nxitur segmente të caktuara të zhvillimit, siç janë industria e ndërtimit, tregu i pasurive të paluajtshme, bujqësia, zhvillimet urbane, strehimi social, nxitja e investimeve të ndryshme etj. Në disa vende të Evropës Juglindore dhe Qendrore, janë pikërisht administratat vendore ato të cilat janë përgjegjëse për vjeljen e këtij lloj tatimi. Kështu në Kroaci, Hungari, Poloni, Rumani dhe Mal të Zi, taksat nga pronat mblidhen dhe janë përgjegjësi e pushtetit vendor. Sistemi fiskal mbi pronat aplikohet gjerësisht në vendet evropiane me përjashtim të Belgjikës dhe Maltës. Ajo menaxhohet në pjesën më të madhe si taksë lokale, përveç Greqisë dhe Suedisë, ku aplikohet pjesërisht si taksë lokale dhe pjesërisht si taksë qendrore. Objekti i taksës janë persona juridikë apo individë, të cilët zotërojnë, përdorin banesa, hapësirë biznesi apo tokë.
Sugjerimi i FMN: Jo taksë për metër katror
Fondi Monetar Ndërkombëtar në sugjerimet e njëpasnjëshme që i ka bërë Ministrisë së Financave në vendin tonë, ka deklaruar se takimi mbi pronën e paluajtshme nuk duhet të bëhet mbi bazën e përllogaritjes për metër katror, por për një përqindje të vlerës që ajo ka. Vlera monetare do ti referohet çmimit të tregut. Për me tepër, për të gjithë ata pronarë që zotërojnë më shumë se tre objekte, prona të paluajtshme duhet të kenë një tjetër referencë taksimi. Madje, në listën e sugjerimeve, theksohet edhe bashkëpunimi me pushtetin vendor, ë cilët do të jenë edhe taksa mbledhës.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.