Vakti ushqimor, nëpër shkolla nuk duhet të jetë më një vakt që sigurohet nga ambulantët e pakontrolluar, por do të hapen kantinat ushqimore me ushqim të kontrolluar dhe me menu enkas për ta. Këtë e bëri të ditur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, gjatë inspektimit në kantinën ushqimore të një shkolle 9 vjeçare të qytetit të Korçës.
Në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit, ka nisur projekti “Kantinat Ushqimore”, pjesë e marrëveshjes “Bëjmë detyrat e shtëpisë dhe ushqehemi shëndetshëm”, nënshkruar midis Ministrisë së Bujqësisë, Shëndetësisë, Arsimit si dhe Bashkive Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Tiranë. Projekti ka nisur me shkollën 9 vjeçare “Mësonjëtorja e parë shqipe”, e cila është dhe shkolla e parë shqiptare, por që do të bëhet dhe shkolla e parë, që do të implementojë këtë projekt, i cili në pamje të parë duket i thjeshtë, por që në skeletin e tij ka shumë elemente të nderthyrura, që do të reflektojnë punën e përbashkët të një serë institucionesh shtetërore. Kështu ministri i Bujqësisë dhe Zhvilllimit Rural, z. Niko Peleshi i shoqëruar nga kryetari i Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Fillo, kanë qenë të pranishëm gjatë orës së konsumimit të ushqimit për nxënësit e shkollës, sipas një menuje të përgatitur enkas për ta.
“Duam që të rritim sigurinë ushqimore në vend duke filluar nga fëmijët. Sepse natyrisht bëhet fjalë për shëndetin e tyre, bëhet fjalë për një të ardhme më të sigurtë nga pikëpamja ushqimore. Unë konstatoi që në muajt e fundit, shpresoj dhe për shkak të punës sonë të shtuar, përmes AKU-së, ndjeshmëria dhe sensibilizimi i konsumatorit shqiptar për sigurinë e ushqimeve është rritur shumë. Nuk është vetëm një temë kombëtare është dhe një temë botërore sot. Siguria ushqimore konsiderohet sot edhe në Shqipëri, pjesë e sigurisë kombëtare gjithashtu, se ka të bëjë më jetën, ka të bëjë me të ardhmen.” Është shprehur ministri gjatë inspektimit. Ministri është shprehur se shteti është i vendosur me çdo kusht të vendosë standarde të larta të sigurisë ushqimore, duke mos lejuar askënd të abuzojë me të.
“Do t’i ndalojmë, do t’i largojmë të gjithë ambulantët nga oborret e shkolla, nga territoret e shkollës dhe do të hapim brenda shkollave ambiente të pastra me ushqim të kontrolluar. Menuja e kantinës ushqimore është një menu e konfirmuar, e kontrolluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të ndiqen në zbatim, qoftë me respektimin e kushteve higjeno-sanitare, qoftë për përmbajtjen e ushqimeve që tregtohen në shkolla nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.”
Projekti i kantinave ushqimore do të shtrihet gjatë javëve të ardhshme dhe në tri shkolla të tjera të këtij qarku, dhe do të vijojë në muajin Nëntor në qytetin e Elbasanit, Tiranës, duke u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 2000 nxënës të shkollave 9-vjeçare në gjithë territorin e vendit.
MBZHR nëpërmjet AKU-së do të kryejë kontrollin e produkteve ushqimore si dhe të mjediseve ku ato ruhen. Pak kohë më parë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Agjencia e Prokurimit Publik, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit nderinstitucional midis tyre, ku angazhohen të bashkëpunojnë për standardizimin e specifikimeve teknike për produktet ushqimore, si dhe liçencave e çertifikimeve që duhet të disponojnë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në këto proçedura prokurimi, me qëllim rritjen e cilësisë së ushqimit për grupe të veçanta të konsumatorëve që janë nën kujdesin dhe përgjegjësinë e këtyre autoriteteve kontraktore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.