Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit ”Partnership On Women’s Economy Rights” (Power), të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zëvendësministri i Çelaj gjatë fjalës së tij e ka vlerësuar këtë projekt si tejet të rëndësishëm për promovimin e përfshirjes socio-ekonomike të të mbijetuarave të dhunës në familje.
Rëndësinë e këtij projekti, Çelaj e ka vlerësuar edhe për faktin se ka partneritet me organizata italiane që si shtyllë ka rrjetëzimin dhe shkëmbimin reciprok të përvojave me organizata italiane të cilat me ekspertizën e tyre do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të Koalicionit të Strehimoreve të Kosovës në përmirësimin sistematik të shërbimeve, marrë parasysh faktin se Italia ka investuar shumë në përforcimin dhe jetësimin e barazisë gjinore.
“Viktimat e dhunës në familje do të përfitojnë nga ky projekt dhe unë në cilësinë e Koordinator Nacional shpreh vullnetin tim politik e human që të bashkëpunoj në mënyrën më të mirë që të fuqizohet një shtyllë shumë e fortë e programit tonë kundër dhunës në familje e planit të veprimit, shtyllën e dytë ose të mbrojtjes dhe trajtimit të tyre” tha Çelaj.
Në fund të fjalës së tij, Çelaj ka bërë thirrje që të punojnë së bashku në vetëdijesimin dhe sensibilizimin e rasteve në mënyrë që ato të raportohen. Çelaj ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit të cilët kanë mundësuar që ky projekt të jetësohet. /Ekonomia-Ks
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.