Mbulimi i gjithë territorit të vendit me plane të përgjithshme vendore është pothuajse i konkretizuar. Së fundmi duket se janë nënshkuar edhe kontratat e fundit për hartimin e 16 planeve vendore duke mbyllur kështu një cikël që ka vite që ka nisur. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e buxhetit të shtetit për periudhën 2018 – 2019, ka siguruar fondet e nevojshme për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për të 16 bashkitë e mbetura duke plotësuar kështu paketën e 61 bashkive me Plane të Përgjithshme Vendore brenda mandatit të parë pas reformës territoriale. Gjatë procedurës së prokurimit publik për ofrimin e shërbimit të konsulencës, të shpallur në 10 Maj 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton se ka nënshkruar tashmë këtë muaj, Tetor 2018, kontratat me operatorët ekonomikë që do të ofrojnë shërbimin, me vlerë totale 195,443,025.6 lekë (me TVSH), të ndarë në 5 LOT-e, më konkretisht:
– LOTI 1 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Fushë Arrëz-Has-Bulqizë”.
– LOTI 2 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Peqin-Roskovec-Patos-Mallakastër”.
– LOTI 3 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Pustec-Maliq-Devoll”.
– LOTI 4 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Selenicë-Memaliaj-Tepelenë”.
– LOTI 5 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Libohovë-Delvinë-Finiq”.
Aktualisht, ka nisur edhe hartimi i nismave për të 16 Bashkitë përfituese, duke inicuar punën për të përmbushur brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm 2019, plotësimin e territorit me PPV, që do të jenë platforma zhvillimi për 15 vitet e ardhshme për mënyrën sesi do të zhvillohen Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zonat rurale dhe urbane. Investitorët shqiptarë dhe të huaj do të kenë një garanci më shumë për zhvillimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.