Ka filluar sot nga puna hidrocentrali i Banjës, pjesë e projektit të Devoll Hidropower- Statkraft.
Hidrocentrali i Banjës është vepra e parë e përfunduar në projektin hidroenergjetik të Kaskadës së Devollit. Ndërtimi i HEC Banja ka filluar në qershor të vitit 2013. Më shumë se 2000 punëtorë u punësuan në ndërtimin e këtij hidrocentrali. Kapaciteti i instaluar i HEC Banja është 73 Mw dhe lartësia e digës është 80 m e lartë. Rezervuari i këtij hidrocentrali ka volum total prej 391 miliardë litra ujë, me një sipërfaqe prej rreth 14 km2.
Statkraft po ndërton aktualisht edhe hidrocentralin e dytë, atë të Moglicës, që pritet të përfundojë në vitin 2018. Investimi i deritanishëm ka arritur në 289 milionë euro, ndërsa investimi total në përfundim të projektit do të shkojë në 535 milionë euro. Me përfundimin e dy hidrocentraleve të këtij projekti pritet të mbulohet rreth 17% e nevojës së vendit për energji.
Kryeministri z. Edi Rama dhe ministri i Energjisë e Industrisë, z.Damian Gjiknuri, morën sot pjesë në ceremoninë e vënies në punë të hidrocentralit të Banjës. Të shoqëruar nga përfaqësuesit e kompanisë prestigjioze norvegjeze Christian Rynning Tonnesen e Tom Kristian Larsen dhe ambasadori i Norvegjisë z.Per Sjaastad, ata përuruan edhe përfundimin e rrugës së re Banjë-Gramsh.
Kryeministri Rama dhe ministri Gjiknuri u ndalën edhe te rruga e re e përfunduar që lidh Banjën me Gramshin. Gjatësia e rrugës është 15.3 km, nga e cila 11.7 km është gjurmë tërësisht e re dhe 3.6 km gjatësi ndjek rrugën ekzistuese. Gjurma e rrugës kalon paralel me vijën e pasqyrës së rezervuarit të hidrocentralit duke qëndruar gjithmonë mbi kuotën maksimale të liqenit prej 176.50 m. Janë ndërtuar 13 ura në total me gjatë 1685 ml. Me rëndësi është ura në përroin e Kacivelit- gjatësia 520 ml (e dyta urë më e gjatë dhe e lartë në Shqipëri); ura në lumin e Holtës – gjatësia 300 ml dhe ura në afërsi të fshatit Drizë- gjatësia 190 m.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.