E hëna e 17 shtatorit do të shënojë hyrjen në fuqi të tarifës për qarkullimin në “Rrugën e Kombit”.
Automjetet e vogla nga Kosova që do të kalojnë në këtë rrugë do të detyrohen të paguajnë nga 5 euro për një drejtim ose 10 euro vajtje-ardhje.
Kjo taksë vlerësohet se do ta rrisë koston e qytetarëve të Kosovës që do ta vizitojnë Shqipërinë, prandaj zyrtarë të Qeverisë së vendit e kanë kundërshtuar një taksë të tillë, duke u arsyetuar se për këtë gjë nuk janë konsultuar fare nga autoritetet në Tiranë.
Për t’i shmangur vonesat gjatë pagesës ose radhët e automjeteve në dispozicion të drejtuesve të tyre do të jenë 10 sportele, ndërsa banorët e Qarkut të Kukësit do të kalojnë në korsinë 1 dhe 10, me korsinë e parë në sensin Kukës -Tiranë dhe tjetra në kthim.
Në sportel do të bëhet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh (0,80 euro) me TVSH.
Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.
Për t’i eliminuar kostot për banorët pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë licencuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”, përveç projekteve sociale që synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 vjetëve synohet realizimi i një sërë projektesh.
Koncesionari dhe autoriteti kontraktues kanë rënë dakord për një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me “Digital Pass”.
Për kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pavarësisht nga klasa e automjetit zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet. Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në “Rrugën e Kombit” lëvizin rreth 5.000 automjete.
Në anën tjetër, banorët e Kukësit kanë paralajmëruar se do të protestojnë përsëri sot në orën 11:00 kundër taksës së “Kombit”.
/ZËRI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.