Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ftuar në emisionin “Top Story” ka bërë të ditur se brenda javës do të bëjë të ditur emrin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë.
“Nga 42 aplikime që u adresuan tek unë, ishte një numër prej 17 kandidatësh që plotësonin kriteret, nga të cilët unë zgjodha 7, që kishin eksperiencë në sistemin bankar. Katër prej këtyre 7 kandidatëve punojnë në bankat e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Emrin nuk e kam ende por më duhet të gjej zgjidhje përfundimtare ndoshta javën e ardhshme”, deklaroi Nishani.
Sipas tij, mungesa e një guvernatori është reflektuar tek bankat e nivelit të dytë në vend.
“Më kanë ardhur mjaft shqetësime nga bankat e nivelit të dytë. Për shkak të ngërçit të mungesës së guvernatorit të përgjithshëm de jure, sepse ka edhe zv.guvernatorë, është krijuar një ngërç komunikimi në bankat e nivelit të dytë dhe ne nuk mund ta tjerrim më tej këtë ngërç”, nënvizoi Nishani.
Ndërkaq mësohet se një grup deputetësh të mazhorancës kanë depozituar gjatë ditës së enjte në Kuvend një kërkesë për shfuqizimin e nenit, i cili kushtëzon se guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të ketë nënshtetësi shqiptare.
Nëse ky propozim kalon u hapet rruga edhe të huajve për t’u bërë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH. Javën e kaluar u lakua emri i një argjentinasi për postin e guvernatorit. /TCH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.