Institucione më të rëndësishme që merren me mbikëqyrjen financiare në vend, si Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë një numër të limituar të kompanive që kanë licencuar.
Tre kompani janë të licencuara nga AMF dhe një nga Banka e Shqipërisë. Por, së fundmi përhapja e “call canter-kambistë” është bërë shqetësuese, duke qenë se fshihen pas aktivitetit të telemarketingut dhe nuk kanë licencë nga autoritetet mbikëqyrëse përkatëse, ndonëse kryejnë aktivitete financiare.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaron se e ka çuar çështjen në organet ligjzbatuese.
Për shkak të një hendeku ligjor, “call center-kambistë” operojnë në territorin shqiptar të palicencuar dhe të pakontrolluar. Për shkak të llojit të aktivitetit të tyre, të mbuluar pas aktiviteteve si telemarketingu, është i vështirë identifikimi i plotë.
Për këtë, burime nga institucionet zyrtare, thonë se kanë nisur të bashkërendojnë përpjekjet për të evidentuar këto kompani. Duke qenë se mbyllja e këtyre kompanive do të shkaktonte dhe probleme sociale siç është punësimi, burime nga këto institucione thonë se po përpiqen që së paku t’i vendosin nën kontroll.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.