Ngjan me një histori e cila përsëritet së dyti në vendin tonë, pas dështimit të parë. Sfida e ndalimit të duhanit në ambientet publike, kryesisht në lokale, restorante a klube nate, aty ku shkelja e ligjit është evidente, jo vetëm për shkak të tabelave që qëndrojnë të varura në mur, por edhe të numrit të madh të njerëzve që konsumojnë duhan. Dy ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, inspektoret në të gjithë vendin kanë nisur fillimisht fushatën informuese dhe krijimin e një “database” për të gjithë lokalet, administratorët dhe pronaret e tyre. Në kontrollin e dytë në këto subjekte nisin gjobat për mosvendosje të tabelave informuese apo kapje të pirjes se duhanit në ambientet e brendshme të lokaleve. Eltar Deda, kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, tregon në intervistë për “Shekullin” se zbatimi i ligjit do të jetë një sfidë e shoqërisë shqiptare, që do të rrëzojë një mentalitet të vjetër, moszbatimin e rregullave të vendosura nga shteti. Inspektorati këtë herë, për një zbatim më eficent, ka rritur masat ndëshkuese, ku në ndryshim nga hera e parë, do të ketë gjoba edhe për duhanpirësit, në vlerën e 5000 lekëve të rinj.
Z.Deda, prej dy ditësh ka hyrë në zbatim ligji antiduhan. Duhet thënë se kjo është një sfidë, pasi zbatimi i tij më herët ka dështuar. Çfarë masash janë marrë që ligji të zbatohet gjerësisht e të mos dështojë?
Së pari më lejoni t’ju them se Ligji Nr .9636 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2006. Kurse tani nisur nga moszbatimi i tij për arsye që tashmë dihen nga ana jonë, ne ndërhymë në ligj, për ta bërë më të zbatueshëm edhe nga ana jone e nga qytetarët. Përveçse kemi shtuar të drejtat ligjore në mënyrë të tillë që të kenë të drejtën e ndëshkimit edhe institucione të tjera, si për shembull, organet e administratës doganore, organet tatimore , inspektorati që mbulon fushën e arsimit, inspektorati që mbulon fushën e punës, inspektorati i sigurisë ndaj zjarrit, policia e shtetit dhe policia bashkiake apo komunare dhe autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ne, gjithashtu kemi rritur masat ndëshkuese, ku në këto penalitete përveç pronarit të biznesit dhe administratorit, ndëshkim ka edhe ndaj duhanpirësit. Riorganizimi dhe vënia në funksionim e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, monitorimi nga ana jonë për zbatimin e këtij ligji, koordinimi nga ana e Inspektoratit Shtetëror Qendror për punën e të gjithë Inspektorateve, është çelësi i funksionimit të këtij ligji në terren. Nisur nga këto ndryshime nuk duam që të theksojmë se vetëm ndëshkimi do të jetë suksesi i zbatimit. Por e gjitha kjo do të jetë një sfidë e shoqërisë shqiptare, e cila më në fund tashmë duhet të rrëzojë një mentalitet për moszbatimin e ligjeve. Më lejoni të shpreh që në fillim mirëkuptimin e të gjithë trupave inspektuese nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. E gjithë kjo flet për një fillim të mbarë të punës.
Në këto pak ditë a ka pasur kontrolle nga inspektoret në terren dhe ajo çka është me interes edhe për publikun a ka pasur ndëshkime, qoftë në kryeqytet, qoftë në rrethet e tjera të vendit?
Qëllimi i vënies në zbatim të këtyre ndryshimeve të ligjit nuk ka të bëjë thjesht me vendosjen e gjobave. E rëndësishme është që trupat inspektuese, në terren kanë kontaktuar me të gjitha institucionet publike dhe jo publike, për marrjen e masave paraprake që para futjes në fuqi të ndryshimeve në ligj. Në të gjithë territorin e Shqipërisë, inspektoret janë në terren duke kryer një detyrë të tillë. Për ne është shume e rëndësishme që të bëjmë një punë promocionale për zbatimin e ligjit, punë e cila do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit shtator. Shumë shpejt, në javën e parë të shtatorit, ju do të njiheni me aleancën e madhe të shoqërisë civile kundër duhanit. Kjo aleancë do të jetë në mbështetje të punës sonë.
Shumë prej qytetareve e kanë mirëpritur dhe mbështetur këtë ligj, dhe një pjesë e madhe e tyre duan të kontribuojnë për të denoncuar subjekte që e shkelin ligjin. A ka një adresë apo numër kontakti të vendosur nga Inspektorati Shëndetësor i Shëndetësisë?
E vërtetë është që nga të gjithë qytetarët dhe bizneset, kemi pasur një mirëkuptim në lidhje me këto ndryshime të ligjit. Nisur nga ky interesim i qytetareve, ne me iniciativën e tyre vendosëm që të krijojmë një aleancë të gjerë me shoqërinë civile, pjesë e së cilës do të jenë personalitete me ndikim ne opinionin publik dhe do të jenë pjesë aktive, e denoncimeve dhe e informacioneve për çdo devijim të zbatimit të tij nga ana e subjekteve dhe në mënyrë të veçantë nga trupat inspektuese. Kjo ka bërë nga ana jonë, domosdoshmërinë e krijimit të një faqeje elektronike, e cila do të ketë një informacion të bollshëm në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tymi i duhanit dhe domosdoshmërinë e lënies dhe mënyrat e lënies së duhanit. Kjo faqe ka në brendësinë e vet hapësirën e denoncimeve si edhe numrin jeshil falas nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Si do të jenë gjobat që do të aplikohen?
Me ndërhyrjet në ligj ne kemi ndryshuar masat e ndëshkimit të subjekteve, por edhe të individit. Për çdo subjekt, gjoba do të jetë 300 mijë lekë për pronarin, 50 mijë lekë për administratorin si edhe 5 mijë lekë për individin.
Kush nuk paguan gjobën, përballet me Policinë e Shtetit
Dy ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjit të ri antiduhan, zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj thotë se po zhvillohen inspektime në të gjithë vendin për zbatimin e tij. Në një vizitë të zhvilluar dje në Poliklinikën Qendrore të Specialiteteve të Tiranës, i shoqëruar nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, Eltar Deda dhe Drejtori i ISHSH-së për Tiranën Gjergj Koja, zëvendësministri tha se ekzistojnë të gjitha mekanizmat e duhura për zbatimin e kërkesave të Ligjit të ri të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 10 korrik të këtij viti. Megjithatë askush nuk do t’ju shpëtojë masave ndëshkuese, pasi inspektorët do të jenë të gjithë në terren.
“Këtë radhë nuk janë vetëm inspektorët e shëndetësisë të cilët do të monitorojnë zbatimin e këtij ligji, janë inspektorët e punës, inspektorët e transportit, agjencia kombëtare e ushqimit dhe inspektorë të tjerë, të cilët janë në terren në mënyrë të përditshme, për fushën e veprimtarisë që ata mbulojnë por janë pjesë e zbatimit të ligjit antiduhan sepse dhe ata kanë të drejtë të vendosin penalitetete dhe të informojnë”, – tha Klodian Rrjepaj. Zv. ministri i Shëndetësisë ka paralajmëruar se me qytetarët që nuk do të zbatojnë ligjin, do të merren strukturat e Policisë së Shtetit. “Qytetarët që mund të jenë në shkelje të ligjit antiduhan do të penalizohen dhe do të ketë mekanizma si për çdo gjë tjetër administrative që vendoset. Janë të gjithë të identifikueshëm, janë të gjithë me kartë identiteti. Ka penalitete të tjera me të cilat do të merret më pas Policia e Shtetit”,- konstatoi Klodian Rrjepaj. Ligji i ri antiduhan hyri në zbatim në 23 gusht, fundjavën e kaluar. Ky është ligji i dytë kundër konsumimit të duhanit në institucionet publike, pas atij të parit i cili dështoi sipas autoriteteve të shëndetësisë.
Mbështesim ligjin, të zbatohet pa mik dhe ryshfet
Në lokalet e Tiranës, pjesa dërrmuese e punonjësve duket se kanë nisur t’i presin klientët që në fjalinë e parë se në ambientet e brendshme duhani është i ndaluar për t’u konsumuar. Kontrollet e ushtruara gjatë këtyre ditëve, nga ana e Inspektoratit Shëndetësor por dhe një vëzhgim i gazetës “Shekulli” del në përfunidimin se ligji këtë herë ka filluar të merret seriozisht nga konsumuesit e duhanit. Një prej kamerierëve në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut na tregon se që kur ligji hyri në fuqi, është ndërmarrë urdhri dhe porosia e pronarit për të mos lejuar klientët që të konsumojnë duhan në ambientet e brendshme të lokalit. “Kemi hasur kundërshtime nga një pjesë e klientëve, por në fund ia kemi dalë të vendosim me mirëkuptim ndalimin e duhanit.
Nuk besoj se kjo është një mënyrë për të larguar klientët, pasi në fund të fundit, nëse ky rregull do të ndiqet nga të gjitha lokalet, atëherë të njëjtët njerëz do të jenë klientë të lokalit. Në rast të kundërt, njerëzit do të largoheshin vetë, drejt lokaleve që nuk do të ndëshkohen”, – thotë Ermali. Megjithëse konsumimi i duhanit konsiderohet si një ves, i cili nuk lihet lehtë, një pjesë e tyre na tregojnë se në këtë stinë ia dalin, duke qëndruar në ambientet e jashtme të lokaleve, dhe thonë se kjo do të bëhet e vështirë në muajt e dimrit. Në parim ata e mbështesin ligjin dhe shprehen se ai ka nevojë për një dorë të fortë nga ana e shtetit, në mënyrë që rregulli të zbatohet me përpikëri dhe pa favore selektive. “Kjo do të krijojë besimin në opinonin publik dhe do të na bëjë edhe ne duhanpirësëve që të mësohemi me rregulla të reja”- tregon Altini 24 vjeç. Ndërsa Danieli, 28 vjeç shprehet se gjatë këtyre ditëve në lokalin e zakonshëm ku konsumon kafe, nuk është lejuar nga kamerierët që të konsumojë duhan.
Shkelja
Duket se një ligj kaq diskutuar në vendin tonë, i cili në shtetet perëndimore ka nisur të zbatohet prej vitesh dhe ka gjetur konsensusin e banorëve, do të vijojë të shkelet, të paktën, kur prej tij njerëzit ta pësojnë. Nga vëzhgimi që bëri “Shekulli” një shkelje flagrante ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku një klient duket se e mori me shaka fjalën e kamerierit për të mos konsumuar, duke ndezur cigaren dhe duke tymosur i qetë. Pjatat mbështetëse të filxhanëve të kafesë, një shpikje e kamerierëve, të cilat zëvendësonin por njëkohësisht dhe justifikonin pirjen e duhanit, tashmë nuk po lëshohen në tavolinën e shërbimit. Për ligjvënësit nuk do të ketë më justifikime të këtij lloji. Të paktën për disa kohë. E gjithë kjo nismë do të japë frytet e veta pas disa kohësh, atëherë kur të gjithë t’i bindemi tabelës “Ndalohet duhani”.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.