Duhet të ndjekim modelin e nxitjes së eksporteve, duke iu përshtatur në mentalitet dhe organizim vendeve të zhvilluara perëndimore dhe jo të klonojmë modelet e Greqisë dhe Italisë së Jugut, që janë nxënësit e fundit të Europës në këtë fushë. Biznesmeni francez, Gasmen Toska, me origjinë nga Berati, jep këshillat e tij për të kaluar ekonominë në një nivel tjetër…
Pas 35 vitesh që jeton e ka aktivitet biznesi në Francë, Gasmen Toska e konsideron veten si një investitor të huaj për Shqipërinë dhe nuk ngurron të japë disa këshilla se çfarë modeli zhvillimi duhet të ndjekë vendi, sidomos në drejtim të nxitjes së eksporteve. “Është i rëndësishëm nocioni i investitorit”, thotë ai. “Nuk ka të njëjtin ndikim në zhvillimin e një vendi, një investitor që të ardhurat i ka nga banorët e atij vendi dhe që fitimet i kthen në vendin mëmë dhe një investitor që të ardhurat i realizon përmes eksportit dhe një pjesë apo të gjitha fitimet i zhvillon në interes të vendit”.
Toska thotë se ekonomia e një vendi, në mënyrë të thjeshtuar është si ajo e një familjeje. Një familje ka të ardhura dhe shpenzime. Një vend ka eksportet dhe importet. Një familje i ekuilibron të ardhurat dhe shpenzimet. Kur do të bëjë një investim, mund të marrë kredi në një bankë, e cila duhet të shlyhet brenda një afati të përshtatshëm, në mënyrë që të mos u lihet nipërve dhe mbesave. “Edhe për një shtet është shumë e rëndësishme, midis të tjerash, që të kemi një ekuilibër midis eksporteve dhe importeve”, këshillon z. Toska.
Një ndërmarrje që eksporton, pavarësisht madhësisë së saj, ka efekte pozitive në ekuilibrat e vendit. Një disproporcion mes importeve dhe eksporteve, në favor të importeve, është shenjë e një bllokimi në ekonomi dhe e mungesës së investimeve.
“Një shtet e ka shumë të vështirë të falimentojë. Zgjidhja për të mbushur gropën e deficiteve është marrja e borxheve. Por dhe kjo ka pasojat e veta, pasi ky borxh duhet shlyer, përndryshe rrezikon të fusë në kolaps shoqërinë, pasi mund të çojë në rritjen e taksave dhe transmetimin e borxheve të mëdha në brezat e ardhshëm, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për deficitet e krijuar nga prindërit apo gjyshërit e tyre.”
Modeli që duhet zgjedhur
Z. Toska është i bindur se për çdo vend rritja e eksporteve është prioriteti numër 1 në fushën e ekonomisë. “Nga ana e modelit të zhvillimit ekonomik, kur flitet për botën, si shembull merret Kina që është bërë “uzina e botës”, ndërsa kur flitet për Europën, modeli është Gjermania”. Dhe ajo çfarë kanë të përbashkët këto dy vende, pavarësisht se janë shumë të ndryshme në modelin e tyre të zhvillimit, të historisë, kulturës, sistemit politik, nivelit të jetesës etj., janë pikërisht eksportet. Kina, thotë z. Toska, ishte në fillim si Shqipëria, duke u mbështetur në industrinë e manifakturës, që shfrytëzon avantazhin e krahut të lirë të punës dhe më pas kaloi drejt industrializimit, me teknologji dhe produkte të sofistikuara, duke rritur vlerën e shtuar. Ndërsa Gjermania njihet prej kohësh për prodhimin e produkteve me cilësi të lartë, të destinuara për eksporte.
“Të dy këto janë vende, nuk kanë as plazhe, as pasuri natyrore, as burime ujore siç kemi ne për frymë popullsie”, thotë sipërmarrësi francezo-shqiptar. “Sekreti” i tyre është kapaciteti për të eksportuar. “Nuk po kërkojmë të bëhemi si Kina apo Gjermania, do të ishte totalisht absurde, por e rëndësishme është të studiohet rruga që ata kanë ndjekur dhe modeli i tyre ekonomik”.
Z. Toska beson se ka shumë rëndësi rritja e ekonomisë prodhuese pa prekur në mënyrë të pakthyeshme burimet e vendit, duke respektuar atë që quhet zhvillimi i qëndrueshëm. “Duhet të ndjekim modelin e nxitjes së eksporteve, duke iu përshtatur në mentalitet dhe organizim vendeve të zhvilluara perëndimore dhe jo të klonojmë modelet e Greqisë dhe Italisë së Jugut, që janë nxënësit e fundit të Europës në këtë fushë. Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë që kemi me këto vende, në fushën e ekonomisë ne duhet patjetër të zgjedhim modelin e më të mirëve në Europë. Fqinji mbetet fqinj, kurse mikun duhet ta zgjedhim më të mirë se vetja”.
Shteti të ndihmojë që fasoni të kalojë në prodhues
Z. Toska është i bindur se “kapitali njerëzor” në Shqipëri është i aftë të performojë në mënyrë konkurruese me vendet e zhvilluara. Përtej burimeve të shumta natyrore e diellit që na fal natyra, ai pohon se për të, “pasuria” më e madhe janë njerëzit. Në ndërmarrjen e tij të Beratit, 8 në 10 punonjës arrijnë të performojnë edhe detyra të vështira.
Ai thotë se duhet një strategji për të nxjerrë fasonin nga skema e sotme e funksionimit, ku vlera shtesë krijohet vetëm përmes fuqisë punëtore me kosto të ulët. Për këtë duhen nxitës që kompanitë të diversifikohen “horizontalisht” (të rrisin numrin e prodhimeve dhe tregjeve të ndryshme) dhe “vertikalisht” (të shtojnë integrimin e procesit, duke zgjeruar lëndën e parë dhe konceptimin e produktit).
“Shteti duhet të marrë masa nxitëse në kuadrin e taksave, trajtimeve lehtësuese për ata që bëjnë integrim të proceseve. P.sh., kur kalojnë nga fasoni në cikël të mbyllur, mund t’ua bëjë tatim fitimin zero për 5 vjet, pasi sipërmarrësi merr një rrezik shumë të madh përsipër”, rekomandon z. Toska.
Sistemi i punës me fason, ku klienti është në të njëjtën kohë edhe furnizuesi i lëndës së parë dhe aksesorëve, është me afat kohë të limituar. Në momentin kur në një vend rritet, kostoja e prodhimit, fasoni, transferohet në shtete me kosto me fuqi më të ulët. Kështu erdhi fasoni në Shqipëri, por rritja e rrogave, që është diçka e domosdoshme, dhe rritja e taksave të ndryshme bëjnë që edhe Shqipëria të humbë konkurrencën e madhe. “Ky fenomen është i pashmangshëm, por nëse mendojmë për diversifikimet “horizontale” dhe “vertikale” siç përmenda më parë, ne do jemi në gjendje të dalim më të fortë nga ky ndryshim i modelit ekonomik”. “Deri tani kemi punuar kryesisht me forcë”, me krahë. Tani ka ardhur koha të punojmë edhe me “teknikë”, me forcën e mendjes dhe diturisë. Përndryshe vështirë se mund të ecet përpara”.
Historia e sipërmarrësit, që të ardhmen e lidhi me Francën
Kur Gasmen Toska u nis në Francë në vitin 1983, për të studiuar për inxhinieri tekstile, nuk e mendonte se e ardhmja e tij do të lidhej pazgjidhshmërisht me këtë shtet. Ndër katër studentët e përzgjedhur, u largua në vitin e dytë të studimeve nga universiteti shqiptar për të përfunduar studimet në Francë, me synimin për t’u kthyer përsëri në Shqipëri. Ndonëse mbaroi në Francë me rezultate të shkëlqyera, dhe me diploma të tjera në fushën e informatikës dhe inxhinierisë mekanike, pikësynimi i tij mbetej Kombinati i Tekstileve të Beratit, qytetit prej nga e kishte dhe origjinën. Por, i zhgënjyer nga ambienti që gjeti në Shqipëri, u nis përsëri drejt Francës në vitin 1990, ku nisi dhe rrugën e pakthyeshme drejt biznesit.
Fillimisht nisi të blinte apo menaxhonte uzina në vështirësi, ndonjëherë duke marrë dhe uzina me vetëm 1 euro, kryesisht në fushën e tekstileve teknike. Pas vitit 2008, që ishte katastrofik për prodhimin ka kaluar në fushën e kapitalizmit financiar, duke u përqendruar në aktivitete holding.
Biznesi në Berat që është duke provuar peceta për Buckingham Palace
Në Berat, z. Toska ka hapur prej vitesh një fabrikë tekstile, të specializuar në tre drejtime, veshje shtëpish (mbulesa krevati, tavoline), të brendshme dhe rroba pune. Në këtë ndërmarrje janë duke u provuar peceta tavoline për Buckingham Palace dhe mbretëreshën Elizabeta të Anglisë.
Është në proces të ndërtimit të një ndërmarrjeje të dytë po në Berat, që do të prodhojë të tre produktet si në ndërmarrjen e parë, së bashku me disa të tjera.
Eksportet në Shqipëri, 80% të varura nga burimet natyrore dhe krahu i lirë i fuqisë punëtore
Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Italia. Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.
Por, teksa prej vitesh po flitet (teorikisht) për dobësitë strukturore të eksporteve shqiptare, si varësia nga shitja e lëndës së parë (minerale e naftë) dhe krahut të lirë të fuqisë punëtore (eksportit me vlerë të shtuar të ulët të materialit të porositësit), në 2016-n vendi po përballet praktikisht dhe seriozisht me këtë problem. Çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare i kanë çuar kompanitë e mëdha shqiptare të eksportit në një krizë të thellë likuiditetesh. Duke mos përballuar kostot me të ardhurat nga shitjet, eksportuesit më të mëdhenj në vend janë përfshirë në proces falimenti dhe transferimi të pronësisë, duke i futur eksportet shqiptare në qorrsokak, teksa autoritetet shqiptare kanë mbetur pa zgjidhje të reja në sfond. Në këto kushte, qeverisë shqiptare i duhen përpjekje të ruajë nivelin aktual të eksporteve, pasi rritja e mëtejshme e tyre mbetet një mundësi e largët.
Dy nga grupet më të rëndësishme të eksporteve, lëndët djegëse dhe mineralet janë tërësisht të ekspozuara ndaj çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ato kanë shënuar mbi 64 miliardë lekë eksporte në vitin 2015, duke zënë gati 26% të totalit. Por ndërkohë, eksportet e këtij grupi po rrezikohen edhe për shkak se ato janë të përqendruara në vetëm pak kompani brenda vendit.
Në kërkim të kostove të lira pas krizës financiare të vitit 2008, Shqipëria u bë një oaz i kërkuar për prodhuesit e këpucës dhe tekstilit. Të dy grupet kanë parë një rritje të admirueshme gjatë dekadës, por duket se ecurinë më të mirë e kanë pasur këpucët, eksportet e të cilave janë trefishuar që nga 2005. Duket se përfshirja në cikël të mbyllur të kompanive të mëdha të prodhimit të këpucës i ka dhënë vlerë më të shtuar eksportit në krahasim me tekstilin, rritja e të cilit, ndonëse e lartë, nuk ka qenë e admirueshme sa e këpucëve. Por me rritjen e barrës fiskale dhe rritjen e konkurrencës në rajon, sektori nuk pret të zgjerohet më shumë se 6% sipas burimeve nga tregu. Gjithsesi, sot tekstilet e këpucët janë kthyer sërish në grupin më të madh të eksportuar, me 47% të totalit për 4-mujorin 2016, duke shënuar një kthim prapa, ku vendi ende ka si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore.
Ndërsa eksporti i prodhimeve bujqësore, me gjithë rritjen e madhe të vitit 2015, mbetet vulnerabël dhe nën ndikimin e kushteve klimatike. Gjithsesi, në periudhën afatshkurtër, pesha e tyre në eksporte do të mbetet e ulët në më pak se 10% të totalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.