Prodhuesit dhe shpërndarësit e barnave qetësuese janë nën vëzhgim. Si mund të ketë kontribuar farmaceutika në krizën e barnave në Amerikë
Ndërmjet viteve 1999 dhe 2014, shitja e barnave qetësuese me recetë nga mjeku, pothuajse u katërfishua në Amerikë.
Rritja nuk erdhi si pjesë e kurave shëruese të pacientëve, por për shkak të rritjes së varësisë së njerëzve ndaj këtyre barnave të fuqishme. Aq e lartë është kërkesa për to, saqë amerikanët tani konsumojnë katër të pestat e furnizimit global.
Rritja në këtë shkallë ka qenë fitimprurëse për disa: nga shitja e OxyContin, një ilaçi mjaft të njohur, të prodhuar nga Purdue Pharma, një kompani farmaceutike në Stamford, Kontektikat, fitimet kanë arritur shifrën dhjetëra miliarda dollarë. E parë në një këndvështrim më të gjerë, një rritje në një shkallë të tillë ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë. Vdekjet në Amerikë nga përdorimi i tyre janë katërfishuar gjatë së njëjtës periudhë.
Ky mospajtim mes suksesit të korporatave dhe dhimbjeve të njerëzve të ndryshëm është kthyer në një çështje që ka përfshirë interesin publik. Më 28 mars, senatorja Claire Mçaskill, një demokrate nga Misuri, tha se ajo do të hetojë mbi rolin e firmave farmaceutike në krijimin e kësaj krize.
Nëpërmjet një komisioni që mbikëqyr çështjet e sigurisë së brendshme dhe të punëve të qeverisë, ajo u ka shkruar pesë prodhuesve të këtyre barnave qetësuese si: Purdue Pharma, Depomed, Janssen / Johnson Johnson, Insys Therapeutics dhe Mylan. Ajo u ka kërkuar atyre dokumentet e brendshme të firmës që shtrihen gjatë periudhës së fundit pesëvjeçare.
Znj. McCaskill dëshiron të dijë saktësisht sesi firmat i kanë tregtuar barnat e tyre dhe informacionin që ato kishin në lidhje me rrezikun e varësisë dhe abuzimit ndaj tyre.
Në veçanti, ajo dëshiron të zbulojë nëse kompanitë kanë përdorur strategji shitjeje dhe marketingu që mund të kenë përfshirë në këtë vorbull edhe mjekët, duke i nxitur ata që të japin këto barna për një kategori më të gjerë (të cilat mund edhe të ishin shmangur) duke ndikuar në minimizimin e rrezikut të varësisë ndaj tyre.
Kjo nuk është hera e parë që ngrihen pyetje të tilla. Në një çështje të 2007-s, kompania mëmë e Purdue Pharma, tre drejtuesit aktualë dhe ish-drejtues të mëparshëm u akuzuan për mashtrim rregullash, mjekësh dhe pacientësh në lidhje me rrezikun e varësisë dhe abuzimit që mund të krijohej nga përdorimi i OxyContin.
Purdue Pharma e reklamoi këtë lloj droge, e cila vepron për një kohë të gjatë si me rrezikshmëri më të ulët sesa droga të tjera si Percocet dhe Vicodin. Firma pranoi se ka bërë deklarata në lidhje me barnat e saj që binin në kundërshtim me të dhënat informuese të miratuara në përshkrimin e tyre. Me fjalë të tjera, firma ka pohuar se u kishte thënë qëllimisht mjekëve se OxyContin ishte me rrezikshmëri më të ulët varësie dhe abuzimi në krahasim me droga të tjera. Firma ka rënë dakord të paguajë 600 milionë dollarë, ndërsa tre drejtuesit ekzekutivë do të paguajnë edhe 34.5 milionë dollarë gjoba.
Hetimi i znj. McCaskill nuk është e vetmja përballje me këtë situatë. Departamenti i Drejtësisë ka pohuar se janë bërë shantazhe të ndryshme për nxitjen e dhënies së këtyre barnave me recetë nga mjeku.
Në dhjetor, Departamenti i Drejtësisë arrestoi ish-zyrtarët e lartë të Insys Therapeutics nën akuzën e një bashkëpunimi për dhënie ryshfeti te mjekët, në mënyrë që ata t’i jepnin receta të panevojshme pacientëve të tyre, receta që kishin si bazë fentanilin (drogë deri në 50 herë më e fuqishme si heroina), si dhe duke i mashtruar siguruesit të cilët do të mbulonin kostot e kësaj droge.
Edhe më herët gjatë këtij viti, McKesson, një shpërndarës me bazë në San Francisko, ra dakord të paguajë 150 milionë dollarë, për shkak se nuk raportoi dyshimet e tij në lidhje me porositë në sasi të mëdha të barnave qetësuese. Edhe ndaj qyteteve dhe qarqeve janë ngritur padi kundër prodhuesve për rolin që kanë luajtur në epideminë e barnave. Mund të ndërmerren edhe veprime të tjera ligjore kundrejt firmave shpërndarëse të ilaçeve qetësuese, të cilat kanë luajtur rolin e ndërmjetësit midis firmave dhe farmacive.
Nora Volkow, drejtoreshë e Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogën, thotë se kompanitë farmaceutike nuk janë të vetmet që duhen fajësuar për këtë krizë. Sipas saj, edhe reklamimi i drejtpërdrejtë te konsumatori mund të ketë ndikuar në inkurajimin e përdorimit të tepruar të tyre. Vetëm Amerika dhe Zelanda e Re u lejon firmave farmaceutike reklamimin direkt tek konsumatori.
Vëzhgimi në këtë industri është intensifikuar gjatë viteve të fundit. Numri i recetave me barna qetësuese nuk po shënon rritje dhe ka gjasa të bjerë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për problemet ligjore të firmave farmaceutike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.