Kam punuar gjithnjë me drejtues meshkuj, por shpesh kam pyetur veten se si do të ishte të kisha një drejtuese në punë.
E pranoj që, me kureshtje, kam vëzhguar dhe vëzhgoj ende marrëdhëniet profesionale që krijohen në një skuadër pune kur ajo drejtohet nga një grua. E bëj këtë gjë për të kuptuar të fshehtat dhe mekanizmat që ndërtohen. Gjatë rrugëtimit të karrierës sime kam trajnuar shumë njerëz dhe mbaj mend mjaft gra të afta të drejtojnë një ekip vetëm me meshkuj, por shumë pak ishin të zonjat të drejtonin një ekip vetëm me femra. Pse? Faktori i parë, me shumë mundësi, varet nga mënyra e komunikimit. Prej këtu lindin pjesa më e madhe e problemeve.
Disa vite më parë, punoja me dy vajza, të dyja të afta, por që nuk arrinin të gjenin një të mesme të artë. Derisa kuptova se njëra parapëlqente të lexonte/të shkruante, tjetra të fliste; njëra komunikonte nëpërmjet email-it, tjetra komunikonte drejtpërdrejt. Asnjëra prej tyre nuk donte të ndryshonte mënyrën e saj dhe as që përpiqeshin të përshtateshin me njëra-tjetrën.
Ky është një shembull shumë banal, por shërben për të kuptuar se pse, ndonjëherë, një ekip pune me vetëm gra, nuk funksionon. Edhe pse një shef që ka ndoshta të njëjtat probleme me një femër tjetër (fëmijët, shtëpia, shpenzimet) apo të njëjtat pasione, duhet t’i ndihmonte jo pak. Por jo. Këto elemente nuk veprojnë në bashkëpunim.
Mund të ndodhë që të krijohet edhe një lloj konkurrence që, në vend që të ndërtojë marrëdhëniet, t’i shkatërrojë ato. Ndërsa me një koleg mashkull është shumë më e vështirë të konkurrosh. Shpesh parapëlqejmë, për shkak të frikës se nuk do të jemi në gjendje të menaxhojmë reagimin e tjetrës, të mos e themi hapur se cili është problemi. Personalisht kam pasur marrëdhënie të mrekullueshme me kolegët me të cilët kam punuar dhe shumë më pak me kolege. Ndoshta sepse në momentet e mia më të vështira nuk kishin shumë probleme të ngrinin telefonin dhe të flisnin hapur për gjërat që nuk po shkonin siç duhej.
Gratë me të cilat kam një marrëdhënie të drejtpërdrejtë njihen shpesh si persona me karakter të fortë ose se janë të vështira për t’u menaxhuar. Kjo është arsyeja që prirem të zgjedh gra me personalitet të fortë me të cilat të punoj, pasi ndoshta jam duke kërkuar atë aftësi që t’i them gjërat siç janë, të mira apo të këqija. Edhe pse e di mirë se t’i mbash të bashkuara është shumë e vështirë krahasuar me një ekip vetëm me meshkuj.
*Francesca Contardi, Managing Director në EasyHunters
Burimi: Il Sole 24 Ore