Një tjetër shoqëri ka hyrë në tregun e qirasë financiare, duke e çuar në shtatë numrin e kompanive që operojnë në këtë segment.
Banka e Shqipërisë i ka dhënë së fundmi shoqërisë “ALBANIA LEASING” sh.a. licencën për të kryer veprimtaritë financiare të qirasë financiare. Sipas të dhënave nga QKR, kompania është krijuar që në gusht në vitit 203 dhe ka katër aksionerë si më poshtë, ku shumicën e aksioneve e zotërojnë institucionet financiare me kapital turk e islamik:
-ND BALKAN DOOEL Tetovo (21.88%);
– BANKA KOMBETARE TREGTARE (29.99%)
– Islamic Corporation for the Development of the Private Sector (35.64%)
– KOLON WORLD INVESTMENT CO (12.5%)
Aktualisht institucionet e tjera që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “qirasë financiare”, sipas bankës së Shqipërisë janë: Raiffeisen Leasing sh.a., Tirana Leasing sh.a., Credins Leasing sh.a., Landeslease sh.a., Fin-al sh.p.k., dhe Porsche Leasing sh.a..
Tregu i leasing ka parë zhvillime modeste vitet e fundit, për shkak të rënies së ndjeshme të importit të makinave të reja, që janë dhe objekti kryesor i saj, si dhe frenimit të investimeve të bizneseve që kanë ulur blerjet e makinerive e pajisjeve.
Aktivet e subjekteve financiare jo banka që veprojnë në tregun e qirasë financiare në fund të vitit 2013 ishin 9.19 miliardë lekë, nga 10.49 miliardë lekë në dhjetor 2012, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.