Emigracioni po ndryshon mirëqenien e shtetit suedez. Por duhet bërë edhe më shumë për t’u siguruar që ajo të ketë sukses
Në kulmin e krizës së emigrantëve, demokratët e Suedisë, një parti populiste kundër emigrantëve, publikuan një video. Mbi imazhet e makinave të djegura dhe grupeve të njerëzve të pastrehë ishte shkruar: Pa para. Pa punë. Pa shtëpi. Pa mirëqenie.
Mirë se erdhët në Suedi. Mesazhi, i njëjtë me atë të një video të mëparshme, në të cilën gratë e veshura me burka vërsulen përpara një zonje të vjetër suedeze për t’i rrëmbyer një pjesë të fondeve publike, ishte vërtet një skenë histerizmi. Por, video preku një problem të vërtetë, sepse emigracioni në shkallë të gjerë po ndikon shumë në sistemin e mirëqenies së Suedisë, shkruan The Economist.
Një ndër arsyet se përse Suedia prej kohësh ka qenë e admiruar, është ndërthurja midis prosperitetit dhe kohezionit social. Modeli i saj ndërthur taksa të larta, mirëqenie të majme, marrëveshje kolektive, standarde të mëdha arsimore dhe një ekonomi të arsyeshme të tregut të lirë.
Rezultati është norma e lartë e jetesës. Edhe pagat më të ulëta, për shembull në hotele apo restorante, janë shumë më të larta në krahasim me pagat minimale në vende të tjera të Europës, thotë Marten Blix, një ekonomist suedez. Lidhur me vendet e tjera që kanë të dhëna të krahasueshme, meshkujt suedezë në fabrika prodhuese marrin pagën minimale më të lartë.
Aspektet e mirëqenies së këtij shteti kanë shfaqur prej kohësh shenja paqëndrueshmërie, me një fuqi punëtore të plakur dhe me mungesa dhe në rritje të punonjësve me probleme shëndetësore kohët e fundit. Disa ndryshime janë bërë në vitet 1990: sistemi i pensioneve është më lart se çka qenë dhe me shumë mundësi zgjedhjesh shkollash të ndryshme.
Por fluksi i 2015-s i qindra mijë refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe shtete të tjera e ka rritur presionin mbi sistem.
Për ta përballuar, Suedia duhet të reformojë përfitimet, të ndërtojë shtëpi të tjera dhe të rekrutojë një numër të madh mjekësh dhe mësuesish nga qytete të mëdha. Nëse jo, vendi do të ketë ndryshime kulturore të mëdha si pasojë e emigrantëve nga vende të ndryshme, saqë pikëpamjet kundër emigrantëve mund të bëhen diçka e zakonshme.
Qeveria, e udhëhequr nga socialdemokratët, ka bërë disa ndryshime në shtetin e mirëqenies. Më parë, azilkërkuesit do të përfitonin një shumë parash në vlerë (1,200 SEK, ose 140 dollarë në muaj) dhe do të përfitonin edhe strehim; por kjo gjë u hoq vitin e kaluar.
Më 31 maj, qeveria votoi për të kufizuar pagesën e paguar prindërore për emigrantët më parë, refugjatët mund të kërkonin shumën e plotë të lejes së paguar (480 ditë për fëmijë nën moshën tetë vjeç).
Por tani, ata mund ta përfitojnë këtë leje të paguar vetëm nëse fëmija është nën moshën 1-vjeçare. (Këto ndryshime nuk vlejnë për suedezët.) Ndryshimet nuk trajtojnë problemin më të madh: një treg pune të ngurtë, i cili i pengon punëtorët e pakualifikuar që të gjejnë një mundësi për t’u punësuar. Si rezultat, Suedia ka një nga hendeqet më të mëdha në punësim midis punëtorëve vendas dhe atyre të huaj.
Pas nëntë vitesh në Suedi, vetëm gjysma e emigrantëve kanë një punë. Edhe pas 20 vitesh qëndrimi, punëtorët e lindur në vende të tjera kanë më pak gjasa për të gjetur një punë sesa ata që kanë lindur në Suedi.
Nëse ata nuk mund të punojnë, ata nuk do të paguajnë taksa. Kjo do të minojë mirëqenien e këtij shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë (për shkak se nuk do të paguajnë për të) dhe në mënyrë indirekte (për shkak se vendasit nuk mund ta durojnë dot të mbështesin kaq shumë të huaj).
Mënyra e vetme që të ardhurit të integrohen dhe të paguajnë taksa është që të punojnë, dhe kjo gjë nënkupton punë shumë të rënda, pra t’ia fillosh nga zeroja.
Për dekada të tëra, Suedia me vetëdije të plotë është përpjekur të heqë nga tregu i punës, punët e rënda të shërbimit, thotë Karin Svanborg-Sjovall, nga Timbro, institucion i tregut të lirë. “Ne jemi fanatikë për ruajtjen e barazisë këtu”, thotë më tej ajo. Tani këto punë duhet lejohen përsëri, për të ndihmuar emigrantët.
Në mars të këtij viti, LO, një organ mbrojtës për sindikatat e punëtorëve (punonjësit e punëve të rënda) u shpreh se do të pranonte paga më të ulëta për punëtorët e pakualifikuar për një periudhë të shkurtër kohe nëse atyre do t’i jepej edhe ekuivalenti i një arsimi të mesëm. Por deri më tani, asgjë nuk ka ndodhur.
Disa skema lokale janë përpjekur të hyjnë aty ku ka dështuar qeveria.
Në Landskrona, një qytet me 40,000 banorë pranë pjesës jugore të Suedisë, u hap një lavanderi për të punësuar punëtorë me kualifikime të ulëta; më parë, larja do të transportohej në Kopenhagë. Rreth dy të tretat e të punësuarve janë të lindur jashtë vendit ose refugjatë. “Ne jemi përpjekur të krijojmë një treg për ‘punë të thjeshta’”, – thotë Torkild Strandberg, kryebashkiaku i këtij qyteti. “Ne kemi filluar të veprojmë, ndërsa të tjerët thjesht po flasin”.
Suedezët në përgjithësi janë më sanguinë se europianët kur bëhet fjalë për çështjen e emigracionit. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Universiteti i Gotenburgut, situata në këtë drejtim po rëndohet gjithnjë e më shumë. Kërkimet e bëra nga Clara Sandelind për Demos, një institucion britanik, po flasin shumë për “vlerat suedeze”, p.sh., vitin e kaluar ato janë përmendur 1.600 herë nëpër gazeta dhe blogje në krahasim me 286 herë që u përmendën në vitin 2012.
Një sondazh i kohëve të fundit ka mbështetur demokratët e Suedisë me 24%, pothuajse dyfishi i votës së tyre në vitin 2014. Partitë e qendrës së djathtë dhe ato liberale, në mënyrë që të kenë sa më shumë mbështetje, po propozojnë skema të ndryshme për të promovuar integrimin. Por nëse nuk ndodhin ndryshime të mëdha, ato të vërteta, këto ndryshime në sistemin e mirëqenies së shtetit të Suedisë mund të përfshijnë në të edhe kulturën e këtij populli.