200 infermierë nga Shqipëria do të punësohen në Gjermani. Edhe pse ky lajm, që doli nga barku i javës që kaluam, duket i mirë, ai nuk ngop.
Të 200 infermierët, që do të “eksportojmë”, do të marrin një pagë mujore, që do të luhatet nga 1000-1500 euro. Punësimi i tyre, jo vetëm që ndihmon në zbutjen e papunësisë, por do të jetë një burim i mirë të ardhurash për ata dhe familjet e tyre.
Ky kontingjent arriti të depërtojë në rrjetën e fortë të kritereve dhe standardeve gjermane për cilësinë e shërbimit dhe profesionalizimit, dhe Shqipëria, me këtë rast, po tregon se mund të prodhojë fuqi njerëzore të aftë për tregun global të punës me cilësi të lartë.
Mirëpo këto dy arsye janë të pamjaftueshme. Nga largimi i tyre, Shqipëria, dhe veçmas shërbimi shëndetësor në Shqipëri, do të vuajë mungesën e investimit të bërë në vite, por tashmë të pakthyer. Një studim i Bankës Botërore vlerëson se kosto nga dëmtimet shëndetësore në aksidente vlerësohet në Shqipëri minimumi 1000 euro. Nëse kjo forcë nuk do të rikuperohet me cilësinë e duhur, kostoja mbetet e transferueshme në vite, në ekonominë jo vetëm familjare, por edhe atë kombëtare.
Largimi i pjesës më cilësore “premton” ta mbajë sistemin në një status shërbimesh me nivel të ulët, për rrjedhojë, edhe më të korruptueshëm. Këtë shqetësim e kishte Bullgaria vite më parë, por e zgjidhi duke miratuar një masë urgjente planesh, sepse u trondit nga nevoja urgjente e popullatës së saj për t’u larguar nga vendi. Në këto kushte është edhe Shqipëria, nga e cila u larguan në periudhën janar-gusht, më shumë se 38 mijë azilkërkues në Gjermani.
Shqipëria sot përballet me dy probleme madhore:
-E para, oferta e lartë që vjen nga vendet e zhvilluara për tërheqjen e trurit. U duk se Gjermania na bëri nder, kur mori 200 shqiptarë të arsimuar. Por, në fakt, do të na kthejë mbrapsht shumë herë më shumë shqiptarë, sepse vendin e tyre do ta zënë refugjatë sirianë, që i largohen luftës. Ftesa e saj dhe vrapi i qeverisë për ta përqafuar si një arritje të saj është cinizëm i skajshëm, i fshehur në paaftësinë për të mbajtur njerëzit. Nuk është faji i Gjermanisë, ajo dhe shumë vende të tjera e dimë që prej kohësh kanë strategji për të tërhequr krah pune të kualifikuar e mendje njerëzore nga çdo anë, për t’i dhënë vlerë të shtuar ekonomisë. Ndërsa Shqipëria, që eksporton vlerë, ka përfitime fare të vogla dhe afatshkurtra. Gropa që lihet pas është më e madhe.
-Problemi i dytë lidhet me paaftësinë për të tërhequr brezat e arsimuar jashtë me shpenzimet e familjeve shqiptare dhe pamjaftueshmëria financiare për të krijuar të tjera burime njerëzore, që do të plotësonin gropën e krijuar nga të larguarit.
Planet e qeverive për të rimarrë “trurin” nuk kanë funksionuar për shkak të korrupsionit të lartë dhe rekrutimeve politike në administratë. Ndërkohë që biznesi nuk është shtyrë ta bëjë diçka të tillë, sepse kurrë nuk ka pasur një strategji të përcaktuar qartë. Nga ana tjetër, fuqia njerëzore vendase mbetet e një cilësie të ulët, sepse shpenzimet për arsim kanë qenë të tilla. Sipas të dhënave zyrtare, vitet e fundit, shpenzimet për arsim kanë qenë nën 3 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 4.5 për qind e PPB-së.
Në raportin e muajit shtator, Banka Botërore vëren se Shqipëria por edhe vendet e tjera të rajonit, kanë nevojë urgjente për rritje cilësore të burimeve njerëzore, të cilat janë në nivel të ulët.
Për këto arsye, largimi i 200 infermierëve dhe shumë shqiptarëve të arsimuar e profesionistë në vite është gjithnjë një ftesë cinike dhe një ofertë e keqe, që mbulon gabimet e qeverive afatshkurtra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.