Carlos Slim, një prej personave më të pasur të Meksikës dhe që zotëron një pasuri prej më shumë sesa 68 miliardë dollarësh, admirohet nga shumë të tjerë edhe për koleksionin e tij të rrallë të skulpturave të artistit Rodin.
Të gjithë këtë koleksion me më shumë se 380 vepra arti të Rodin, Slim ka vendosur ta ekspozojë për të gjithë artdashësit në një prej muzeve më të çuditshëm të Meksikës.
Ky muze është projektuar dhe dizenjuar nga dhëndri i tij, arkitekti i famshëm, Fernando Romera, dhe është një prej muzeve më të çuditshëm në Meksikë. Përveç veprave të artit të Rodin, në këtë muze janë ekspozuar në total rreth 70,000 vepra arti.
Prandaj nëse jeni në Meksikë dhe doni të shikoni disa prej veprave të Van Gogut apo Pikasos, nuk mund ta humbisni kurrsesi vizitën në këtë muze.
Duke qenë se konsiderohet si një projekt i përbashkët familiar, edhe emri që ky muze mban është ai i gruas së z. Slim, e cila ka ndërruar jetë para disa vitesh, znj. Soumaya, prandaj ai quhet “Muzeu Soumaya”.
Për sa i përket anës arkitektonike, ndërtesa e muzeut është e pazakontë në llojin e saj.
Forma e saj, një romb i çuditshëm i mbështetur në 28 kolona çeliku të lakuar dhe të formave të ndryshme, e bëjnë këtë muze shumë të veçantë në llojin e tij. Forma e saj ka dinamizëm të veçantë, ajo duket sikur është e shkëputur nga toka dhe është e drejtuar nga qielli. Ndërsa për shumë të tjerë ajo konsiderohet si një trup qiellor me formë të çuditshme që ka rënë në qytetin e Meksikës.
Edhe pse në pamje shumë i veçantë, çdo gjë brenda tij është e mirorganizuar dhe me shenja dalluese të arkitektëve të ndryshëm.
Fasada e tij është e gjitha e ndërtuar me 16,000 elemente gjashtëkëndore çeliku, që janë pikërisht këto që e bëjnë atë edhe më të veçantë.
Ky lloj ndërtimi është karakteristikë edhe e periudhave të mëparshme koloniale të kryeqytetit meksikan, duke krijuar edhe një lidhje tjetër ndërmjet së kaluarës e cila është risjellë në ditët e sotme në mënyrën më moderne.