Dr. Peter Nientied dhe Elona Karafili[1]
Gjendja ekzistuese
Në Shqipëri, nevoja për më shumë inovacion është theksuar jo vetëm nga akademikët, por edhe nga politikëbërësit dhe organizmat ndërkombëtarë. Në nivel kombëtar është konstatuar që vendi është mbrapa sa u përket kritereve të konkurrueshmërisë, që pak produkte të reja zhvillohen brenda vendit dhe që modelet e reja të shërbimeve kryesisht importohen nga jashtë. Referuar raporteve dhe artikujve shkencorë të publikuar gjatë viteve të fundit mbi inovacionin në Shqipëri, rezulton se gjendja ekzistuese nuk është në nivelet e duhura. Sipas Bankës Botërore dhe Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria merr pak pikë sa u përket patentave dhe numrit të citimeve në fushën e kërkim–zhvillimit; ka një nivel të ulët të eksporteve të teknologjisë së lartë; ka pësuar një emigrim masiv të “trurit”; dëshmon një nivel të ulët të investimeve në kërkim dhe zhvillim, si dhe firmat vendase kanë aftësi të kufizuar për të përvetësuar teknologjinë e avancuar ekzistuese. Pra në thelb, situata në Shqipëri është ndryshe nga shumë vende në zhvillim të OECD dhe Azisë që njihen për industritë inovative dhe sektorin e fortë të kërkim–zhvillimit.
Pyetja
Ndonëse biem dakord me çështjet e shtruara më sipër, vërejmë se ka nevojë për një kontekstualizim më të mirë të inovacionit – pra me fjalë të tjera, çfarë lloj inovacioni do të ishte më i përshtatshëm në kontekstin shqiptar? Ajo që vihet re është se këndvështrimi aktual ndaj inovacionit është disi konvencional. Pra merr si referencë vende me një klimë inovacioni shumë të zhvilluar dhe bazohet në tregues si: përqindja e sektorit të kërkim-zhvillimit në PBB, numri i patentave, etj. Nuk ka asnjë dyshim se vendet që kanë tregues të lartë të këtyre kritereve performojnë më mirë se Shqipëria, por a do të thotë kjo se Shqipëria duhet domosdoshmërisht të ndjekë të njëjtën qasje? Historia na informon mbi të shkuarën, por nuk parashikon të ardhmen. Në gjykimin tonë, Shqipëria nuk duhet të ndjekë këtë model konvencional, por duhet të zgjedhë një qasje më të fokusuar, të orientuar nga praktika dhe të nxitur nga kërkesa për inovacion.
Vëzhgime
Për sa u përket treguesve kombëtarë të inovacionit, Shqipëria është mbrapa krahasuar me kriteret ndërkombëtare. Si ta kuptojmë këtë? Po paraqesim në mënyrë të përmbledhur disa vëzhgime:
Vendet e Europës Veriore dhe Veriperëndimore si rrjedhojë e zhvillimit të tyre ekonomik dhe politik, përbëjnë një kategori tjetër (historia, PKB – Produkti Kombëtar Bruto etj). Shqipëria qartësisht nuk bën pjesë në këtë kategori.
A është historia një parashikuese e mirë e së ardhmes? Qasjet ndaj inovacionit janë krijuar në kohët kur mbizotëronte inovacioni i produktit dhe kryesonin inxhinieria dhe shkencat e tjera ekzakte. Këta sektorë nuk janë më të zhvilluarit në Shqipëri dhe Shqipëria nuk synon të bëhet një vend lider në teknologjinë e lartë në një të ardhme të afërt.
Treguesit e inovacionit mund të jenë të diskutueshëm. Sa domethënës janë kriteret si patentat dhe citimet, në këtë fazë të zhvillimit, për një vend si Shqipëria?
Nëse e ardhmja e afërt ekonomike e Shqipërisë është orientuar drejt sektorëve prioritarë si bujqësia, energjia, turizmi, pyetja që lind është për çfarë lloj kërkim-zhvillimi ka nevojë vendi? A ka një vlerësim të kërkesës nga sektori i biznesit për këtë qëllim?
Qeveria ka ende punë për të bërë në krijimin e një mjedisi të mirë për biznesin. Është e diskutueshme deri në ç’masë sektori publik (ndërkohë që ai vetë nuk është shembulli më i mirë i praktikës inovative) duhet ta harxhojë energjinë e tij me qeverisjen e inovacionit.
Bota ka ndryshuar. Ekonomitë e Ballkanit Juglindor bazohen mbi shërbimet, prodhimin me teknologji të ulët dhe bujqësinë. Në sajë të globalizimit, është rritur konkurrueshmëria, por njëkohësisht janë rritur dhe mundësitë – mund të tërhiqen turistë dhe mund të eksportohet në shkallë globale. Të huajt e kanë gjetur rrugën e tyre drejt Shqipërisë, por perspektiva e biznesit shqiptar jashtë ka mbetur mbrapa.
Një qasje pragmatike ndaj inovacionit
Në ekonominë e hapur globale aktuale, problemi qëndron në gjetjen e një segmenti specifik të tregut bazuar në burimet e veta, përkundrejt ndjekjes së padiskutueshme të rrugëve klasike të zhvillimit ekonomik. Pra mbështetje në burimet e brendshme ekzistuese, duke pasur një qasje pragmatike (afatshkurtër deri në afatmesme) ndaj inovacionit dhe forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve të biznesit dhe atyre kërkimore, me qeverinë në rolin e garantuesit të një mjedisi të përshtatshëm për biznesin dhe të mbrojtjes së interesave të publikut.
Ne sugjerojmë sa vijon për një qasje pragmatike ndaj inovacionit:
1.Fokusimi tek inovacioni i shërbimeve, proceseve dhe menaxhimit kurse inovacioni në teknologjinë e lartë të importohet.
Të menduarit e inovacionit teknik të produktit mund të gjejë zbatim në inxhinieri dhe prodhim, por këta nuk janë sektorët më të mëdhenj në Shqipëri – dhe kanë mundësi ta importojnë inovacionin. Inovacioni në shërbime (p.sh. turizmi), inovacioni në proces (p.sh. zinxhirët e furnizimit bujqësor) dhe inovacioni në menaxhim (p.sh. krijimi i organizatave më të orientuara ndaj inovacionit), do të sillte rezultate më të vogla, por më të shpejta dhe më të qëndrueshme që ndikojnë në ekonomi dhe në bizneset e saj të vogla dhe të mesme.
Shumë vende kanë përparuar më shumë se Shqipëria për sa i përket teknologjisë informatike (IT) dhe teknologjisë së lartë. Kjo eksperiencë mund të shfrytëzohet si p.sh., duke organizuar takime ku kompanitë e huaja mund të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre. Është e rëndësishme të shqyrtohet me sy kritik se çfarë mund të jetë e dobishme. Qendra PROTIK, është një shembull i adoptimit të inovacionit dhe sipërmarrjes në sektorin e IT. Këtë shembull mund ta ndjekin edhe sektorë të tjerë.
2.Inovacioni duhet konsideruar më shumë funksion i biznesit dhe i zhvillimit të sipërmarrjes.
Qasjet aktuale (afatgjata dhe gjithëkombëtare) janë të orientuar drejt infrastrukturës institucionale për inovacion. Por ku janë sipërmarrësit? Ajo për të cilën janë të interesuar sipërmarrësit është të zhvillojnë biznesin, më shumë se sa të shqetësohen për kërkim-zhvillimin në universitete ose institucione të tjera akademike. Pra fokusi duhet të jetë të kuptojmë se çfarë i pengon kompanitë të sjellin risi.
3.Duhen rritur kapacitetet për kërkim & ndërveprim.
Inovacioni krijohet gjithmonë mbi atë që është e disponueshme. Në këtë kuptim, funksioni i “kërkimit” përbën një aftësi me një rëndësi kritike: Të kërkuarit në mënyrë kreative për ide, koncepte dhe produkte reja, por të zbatueshme. Çfarë mund të mësohet nga sektorët e tjerë, vendet e tjera dhe nga kompanitë më të suksesshme në një sektor? Çfarë mund të përzgjidhet, apo përshtatet në kontekstin shqiptar dhe çfarë mund të zbatohet? Edhe koncepti i transferimit të parimeve të një disipline në një tjetër është i dobishëm: çfarë ndodh nëse bën bashkë fermerët dhe arkitektët? Po profesionistët e logjistikës me ata të kujdesit shëndetësor? Këto ushtrime janë testuar në vende të tjera dhe kanë rezultuar të vlefshme.
4.Nxitje e bashkëpunimit, krijimit të ekosistemeve dhe cluster-ave.
Një parim i inovacionit që ka zbatueshmëri globale është “inovacioni i hapur”. E thënë thjeshtë; të punuarit së bashku. Në kushtet e një klime biznesi që karakterizohet nga nivele disi të ulëta besimi, të punuarit së bashku përbën një sfidë. E megjithatë është e domosdoshme që sipërmarrësit të fillojnë të eksperimentojnë dhe të kërkojnë partneritete të reja.
5.Fokus më i lartë në sektorët krijues
Sektorët krijues (nga artet dhe kultura tek arkitektura, nga dizajni te marketingu dhe media) janë më të rëndësishme se kurrë dhe siç është provuar, mund të nxisin rritjen e biznesit në sektorë të ndryshëm. Në Shqipëri, këta sektorë nuk janë marrë seriozisht aq sa duhet për të rritur vlerën e klientëve, nuk janë të integruara në biznes, por përdoren në fund të procesit të biznesit.
[1] Dr. Peter Nientied është profesor dhe konsulent mbi menaxhimin e inovacionit në Holandë, si dhe jep mësim në Universitetin POLIS për inovacionin, sipërmarrjen dhe kërkimin e aplikuar.
Znj. Elona Karafili është Lektore dhe Koordinatore e Programit MBA në Universitetin POLIS.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.