Një rajon, një e ardhme

10/06/2018 4:35 PM 0 komente

Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Italia, Sllovenia, Greqia dhe së shpejti Maqedonia kanë thelluar bashkëpunimin në kuadër të Strategjisë Adriatiko-Joniane, në një samit të fundit të zhvilluar në Katania të Italisë

 

8 vende të Rajonit Adriatiko-Jonian: Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Italia, Sllovenia, Greqia, në vitin 2014, krijuan Nismën Adriatiko-Joniane, me synim fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e stabilitetit ekonomik dhe politik, duke hapur rrugën, në këtë mënyrë, për një bazë të qëndrueshme në procesin e integrimit europian, për shtetet që janë ende jashtë BE-së.

Të tetë vendet ndajnë jo vetëm bregdetin e Adriatikut dhe Jonit (Serbia është pjesë pasi kur filluan diskutimet ajo ishte e bashkuar me Malin e Zi), por edhe një strategji të përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm. Një shtëpi e 70 milionë njerëzve, ky rajon luan rol kyç në forcimin e vazhdimësisë gjeografike në Europë. Strategjia Adriatiko-Joniane bazohet në katër shtylla: rritja blu, ndërlidhja, cilësia mjedisore dhe turizmi.

Strategjia Europiane për Rajonin Adriatiko-Jonian, e quajtur EUSAIR, u prezantua për herë të parë në Samitin e Dubrovnikut, dy vjet më parë. Ndërsa këtë vit, në Samitin e Katanias, në kuadër të Forumit të 3-të të Europës, për Strategjinë e Bashkimit për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), që u zhvillua në fund të majit në Katania të Italisë, u hodhën hapa të mëtejshëm për nxitjen e bashkëpunimit dhe tërheqjen e projekteve të përbashkëta.

Nën moton “Rajoni Ynë, E ardhmja jonë”, tetë shtetet përforcuan mbështetjen për programet 2021-2027 të EUSAIR në të katër shtyllat ku mbështetet ajo: rritja blu, ndërlidhja, cilësia mjedisore dhe turizmi. Kjo nismë kombinon instrumente të ndryshme financiare, që funksionojnë brenda fondeve strukturore për vendet anëtare dhe kryesisht, nëpërmjet instrumentit të fondeve IPA për vendet joanëtare.

Çdo vit, Forumi tërheq aktorë të ndryshëm, si Komisioni Europian dhe institucione të tjera të BE-së, ministritë kombëtare, autoritetet rajonale dhe lokale, sektorin e biznesit, akademinë dhe shoqërinë civile, të cilët ndajnë pikëpamjet, shkëmbejnë përvojën dhe diskutojnë mënyrat e bashkëpunimit.

“Deti na bashkon në histori, deti na bashkon dhe në zhvillimet e reja”, tha nënsekretari italian i Shtetit për Çështjet e Huaja dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Vincenzo Amendola, i cili kryesonte Takimin ndërministerial të Nismës Adriatiko-Joniane (AII) dhe Strategjinë Europiane të Rajonit Adriatiko-Jonian (EUSAIR) në fund të konferencës dyditore.

“Procesi i zgjerimit duhet të mbështetet me projekte konkrete dhe Italia e ka deklaruar që është në favor të zgjerimit dhe këtë vit, kishte Presidencën e Këshillit Adriatiko-Jonian”, tha z. Amendola. Ai rekomandoi që shtetet të propozojnë projekte konkrete. “Për shembull, në transport dhe energji e dinë konkretisht se çfarë duhet të bëjnë dhe kjo funksionon”.

Colin Wolfe, drejtuesi i Departamentit të DG NEAR, në Komisionin Europian, tha se në Bashkimin Europian, 85% e financimeve në transport shkojnë për transportin e gjelbër. Në Ballkanin Perëndimor, tha ai, paratë shkojnë për rrugë. Ai rekomandoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë një përqasje ndaj transportit të gjelbër. “Duhet të nxitet partnershipi, bashkëpunimi, për të dorëzuar projekte që janë në linjë me prioritetet e BE-së”.

Zona e Adriatikut dhe Jonit është një burim i rëndësishëm dhe pjesëmarrësit në Samit e vunë theksin në faktin që duhet ta shohim rajonin, si një i vetëm, si rajoni Adriatiko-Jonian. “Deti është një trashëgimi e përbashkët dhe kujdesi duhet të jetë i përbashkët”, tha Amendola.

Forumi i tretë i EUSAIR u fokusua në çështjet e ndërlidhjes, veçanërisht në sfidat dhe mundësitë për rrjetet e transportit dhe energjisë në rajonin e EUSAIR. U diskutuan mekanizmat e financimit për të katër Shtyllat e Strategjisë – Rritja e Kaltër, Lidhja e Rajonit, Cilësia e Mjedisit dhe Turizmi i Qëndrueshëm, duke marrë parasysh çështjet e ndërlidhura të EUSAIR. Fokusi i këtij viti është përforcimi i bashkëpunimit dhe partneriteteve midis të gjithë aktorëve aktivë në Rajonin Adriatik-Jon.

Tetë shtetet kanë rënë dakord të fokusohen në 4 projekte, zvogëlimin e ndotjes në det, si të mbrohen burimet biologjike të marinës dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit. Së treti, si të sigurohet habitati dhe së katërti të koordinohen të gjithë aktivitetet në marinë. Këto strategji duhet të shndërrohen në projekte konkrete, ishte një prej konkluzioneve të rëndësishme të samitit.

Në deklaratën përmbyllëse iu bë thirrje autoriteteve kombëtare që të harmonizojnë kuadrin e investimeve publike dhe programeve të financuara nga IPA me prioritetet dhe objektivat e EUSAIR. Një tjetër element i rëndësishëm ku u vu theksi, ishte koordinimi i projekteve rajonale, pasi janë fazat e para të planifikimit strategjik 2021-2027, që të bihet dakord në mënyrë të përbashkët për projektet makrorajonale që do të përfshihen në strategjitë e IPA (instrumentet për asistencën e paraanëtarësimit).

Italia kishte këtë vit Presidencën e Këshillit, ndërsa vitin e ardhshëm kjo detyrë i kalon Malit të Zi. Në samitin e këtij viti u miratua dhe kërkesa e Maqedonisë për t’iu bashkuar tetë vendeve anëtare të Rajonit Adriatiko- Jonian.

 

Katër shtyllat e bashkëpunimit blu

Rajoni është një zonë funksionale që rrethohet nga deti Adriatik dhe Jon. Duke mbuluar gjithashtu një sipërfaqe territoriale të rëndësishme, ai trajton zonat e marinës, bregdetare dhe tokësore si sisteme të ndërlidhua. Me intensifikimin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, pas anëtarësimit të Kroacisë dhe perspektivës së anëtarësimit për vendet e tjera të rajonit, portet luajnë një rol të rëndësishëm.

Vëmendja në lidhjet det-tokë gjithashtu nënvizon ndikimin e aktiviteteve të bazuara në tokë në zonat bregdetare dhe ekosistemin e marinës. Nisma e rajonit Adriatiko-Jonian është e bazuar në katër shtylla:

1. Rritja blu, ku koordinatorë janë Greqia dhe Mali i Zi. Objektivat kryesore për këtë shtyllë janë promovimi i kërkimeve, novacionit dhe mundësive të biznesit në sektorët e ekonomisë blu, përshtatja ndaj prodhimit të qëndrueshëm të ushqimeve të detit, përmirësimi i qeverisjes së hapësirave detare.

2. Ndërlidhja në rajon, ku koordinatorët janë Italia dhe Serbia. Objektivat kryesorë për këtë shtyllë janë fuqizimi i sigurisë detare dhe zhvillimi i një sistemi portesh intermodale, si dhe zhvillimi i një sistemi të besueshëm rrjeti transporti, si për mallrat ashtu dhe për pasagjerët. Një tjetër synim është arritja e një tregu të ndërlidhur dhe mirëfunksional të energjisë, duke mbështetur tre objektivat e politikës së energjisë të Bashkimit Europian – konkurrueshmëia, sigurimi i furnizimit dhe qëndrueshmëria.

3. Cilësia e mjedisit, ku koordinatorë janë Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Objektivat kryesorë të kësaj shtylle lidhen me sigurimin e një mjedisi të mirë dhe status ekologjik të marinës dhe mjedisit të bregdetit deri në vitin 2020, në linjë me parimet e Bashkimit Europian dhe përqasjen e ekosistemeve sipas Konventës së Barcelonës. Gjithashtu synohet kontributi në strategjinë e biodiversitetit të Bashkimit Europian, ku parësore është përgjysmimi i humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të ekosistemit, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve.

4. Turizmi i qëndrueshëm, ku koordinatorë janë Kroacia dhe Shqipëria, ka si objektiva kryesorë diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve turistike të makrorajonit, të koordinuar me sezonalitetin e kërkesës për turizmin bregdetar dhe detar. Ai synon dhe përmirësimin e cilësisë dhe risitë në ofertat turistike, duke e vënë theksin në kapacitetet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme turistike të aktorëve në të gjithë rajonin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of