Një shans për Shqipërinë

26/02/2019 3:59 PM 0 komente

Industria automotive po njeh zgjerim në tregun shqiptar. Gjermanët e “Forschner” pritet që të nisin punë së shpejti në fabrikën e tretë të saj, ndërkohë që edhe “PSZ Albania” ka vite që operon. Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier pas një epopeje 2-vjeçare zvarritjeje. Kompanitë kanë njoftuar zgjerim në planet afatgjata dhe është në dorën e qeverisë nëse do të dijë të përfitojë nga ky shans.
Teksa jemi të rrethuar nga fqinjët me politika më konkurruese avantazhi ynë mbetet vetëm krahu i lirë i punës. Për ata që e njohin mirë këtë treg ka disa probleme që duhen zgjidhur, që mund ta bëjnë Shqipërinë më atraktive duke nisur nga çështjet e pronësisë te krijimi i lidhjeve sa më të thjeshta infrastrukturore përmes korridoreve që lehtësojnë transportin

 

Nga Nertila Maho

 

Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria. Pas gjermanëve të “Forschner” dhe “PSZ Albania” që kanë disa vite në Shqipëri, së fundmi edhe një grup francez, “Delmon” njoftoi planet e zgjerimit nga fabrika, ku po operon prej një viti në Elbasan.

Kjo u ndoq me kontratën që qeveria nënshkroi me koreanen “Yura Corporation” pak javë më parë. Përtej peripecive që iu deshën kësaj të fundit për të hyrë në Shqipëri, me një investim fillestar 6.5 milionë euro dhe 516 vende të reja pune në horizont, duket se jemi përpara një momenti të rëndësishëm për industrinë në përgjithësi. Shqipëria ka një shans që nëse e shfrytëzon siç duhet, katër kompanitë që përfaqësojnë një fushë, krejtësisht të re por në lulëzim, të zgjerohen ashtu siç edhe kanë në planet e tyre afatgjata.

 

“Forschner”, gati fabrikën e tretë në Rrashbull, plani për Spitallën “pezull”

Kompania gjermane që prodhon pajisje kabllore për autobusët e “Benz Mercedes” dhe mjetet e rënda, “Forschner” një muaj më parë hapi fabrikën e tretë. Bëhet fjalë për një kapanon të ri më të vogël sesa dy të mëparshmit, i vendosur diku në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Kompania ka kërkuar regjistrimin e kësaj njësie nën një NIPT sekondar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke konfirmuar edhe një herë planin e saj të zgjerimit në Shqipëri, edhe pse jo me ritmet që kishte në fillim. Aktualisht “Forschner” ka fabrikën e saj të parë në Vaqar, me rreth 400 të punësuar, e hapur në 2015-n dhe një fabrikë të dytë në autostradë, me rreth 300 të punësuar, e hapur në janar të vitit 2017. Fabrika apo kapanoni i ri, që ndodhet në Rrashbull sot, është një magazinë, e cila në vijim synon të punësojë minimalisht 30-50 veta me idenë e rritjes së mëtejshme.

Në fakt, “Forschner” kishte në planet e saj hapjen e një fabrike të madhe në zonën e Spitallës në Durrës, por për momentin kompania ka lënë pezull këtë plan, ku synohej zgjerimi me 30 mijë metra katrorë dhe me potencial prej 1200 vendesh të reja pune. Proceset e punës në kompani janë relativisht të thjeshta, çka vetëm me trajnime mund të përvetësohen shumë mirë. Në fabrikën e saj në Vaqarr, kompania ka një dominim të punonjëseve femra, ndërkohë që shumica e tyre janë të rinj dhe të reja.

 

“Yura Corporation” vendoset në Fier pas dy vitesh zvarritje, plani afatgjatë për dy fabrika

Kompania koreane “Yura Corporation”, e cila prodhon pjesë për KIA dhe “Hyundai” për herë të parë do të shfaqte interes për Shqipërinë në vitin 2017. Nga ai moment, duket se përfaqësuesit do të përballeshin me zvarritje të procedurave që në një moment ngriti dilemat e braktisjes së planit për të hyrë në vendin tonë. Përfaqësuesi i kompanisë, Lukas Nam, në nëntor të 2018-s, u shpreh se burokracia që po haste po vinte në dyshim vijimin e planit, por fatmirësisht në shkurt të këtij viti duket se gjërat morën kthesë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se tashmë kishte autorizuar kalimin me qira 1 euro të truallit të pronës shtetërore, ku koreanët do të ngrenë fabrikën e parë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 4.9 hektarë, pronë shtetërore, e njohur si “Baza e Tubove” që ndodhet në Zhupan, Fier. Kjo zonë është përcaktuar si zonë me përparësi zhvillimi për këtë industri.

Aktualisht duket se janë miratuar dhe publikuar të gjitha aktet që autorizojnë “Yura”-n që të vijojë me hapin e radhës. Lukas Nam shprehet se ai synon që fabrika të nisë punën brenda këtij viti dhe nëse gjithçka do të shkojë mirë brenda dy vitesh, ajo do të dyfishojë kapacitetin dhe numrin e të punësuarave. Kompania ka në planet e saj prodhimin e 200 mijë pjesëve në vit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se, referuar plan-biznesit të koreanëve në afat të gjatë, gjasat janë që të hapen dy fabrika që do të krijojnë 4 mijë vende pune.

“Aktiviteti ekonomik i ‘Yura’, do të fillojë në vendin tonë brenda vitit 2019, ku do të punësohen rreth 600 punonjës, ndërsa vlera e investimit është parashikuar 6,5 milionë euro në fazën e parë. Faza e dytë e këtij projekti parashikon një riinvestim me 13 milionë euro dhe numrin e punonjësve me 1100 vetë. Në planet afatgjata, kompania parashikon edhe hapjen e dy fabrikave të tjera në Shqipëri, ku numri i të punësuarve të arrijë në rreth 4000 vetë”, njoftoi kjo ministri.

 

 

“Delmon Group” synon zgjerimin, gjithçka nisi me 1 milion euro

Elbasani është bërë pritësi i një prej kompanive franceze që prodhon produkte në mbështetje të industrisë së automobilave, por jo vetëm. “Delmon Group”, që vitin e shkuar, është vendosur në një kapanon që punëson rreth 50 punonjës, që janë trajnuar nga kompania për të përvetësuar proceset e punës.

Prodhuesi i gominave amortizuese që përdorin autoveturat si “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group” synon që të zgjerohet edhe më tej dhe të rrisë eksportet e tij në 6 milionë euro nga 1 milion që ishin në vitin e parë të operimit.

“Vlera fillestare e investimit i kalon 1 milion euro vetëm në 6-mujorin e parë të aktivitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë periudhë, ne kemi punësuar rreth 50 punonjës dhe kemi arritur të eksportojmë rreth 1 milion euro produkte llogaritur në vlerën e tregut. Në vitin e dytë, synojmë që të shkojmë në 6 milionë euro eksporte dhe rrjedhimisht të zgjerojmë kapacitetet e të vazhdojmë të punësojmë dhe trajnojmë punonjës të rinj”, konfirmon Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i kompanisë. Ai vlerëson se kompania zgjodhi Shqipërinë në një përpjekje për të ulur kostot e saj lidhur me krahun e punës, por edhe për të qenë më afër klientëve të saj.

 

Rriten eksportet për grupin “makineri dhe pajisjet elektrike”

Në fund të 2018-s, eksportet në grupin makineri dhe pajisje elektrike ku përfshihen edhe produktet finale që dalin nga fasoneria e industrisë automotive shënuan vlerë 11 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një rritje të përgjithshme me 21.5% në raport me një vit më parë. Në vitin 2017, vlera e eksporteve të këtij grupi ishte 9.1 miliardë lekë. Gjatë këtij viti, “Forschner” nisi operimin në fabrikën e saj të dytë në autostradë me 300 të punësuar, çka justifikoi edhe kërcimin me një rritje 41.6% të vlerës së eksporteve në këtë vit, në raport me 2016, kur kjo vlerë ishte 6.4 miliardë.

Gjithsesi, viti 2016 regjistron një vlerë më të ulët në eksporte sesa viti 2015, por kjo mund t’i atribuohet lëvizjeve të aktorëve të tjerë të tregut që përfshin ky grup mallrash siç janë makineritë. Në vitin 2015, vlera e eksporteve ishte 7 miliardë lekë. Ky vit shënon edhe hyrjen e parë në treg të “Forschner” me fabrikën në Vaqar, me rreth 400 të punësuar. Në raport me vitin paraardhës, rritja në vitin 2015 ishte 21.5%. Në vitet 2014 dhe 2013, eksportet në këtë grup kanë një diferencë pak a shumë në 600 mijë dollarë në favor të 2014-s që përfaqëson një rritje rreth 11%.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of