Lajmi i një celulari që karikohet vetëm 4 herë në vit na entuziazmoi. Por tani vjen lajmi i një celulari pa bateri që karikohet me ajër. Nuk është fantashkencë, por një pajisje që ekziston vërtet, në të tashmen.
Telefoni funksionon me shumë pak energji – me disa të milionta vat, që merret nga mjedisi nëpërmjet valëve të radios e dritës – kështu mund të braktisni njëherë e mirë karikuesit e baterive dhe telefonat që shkarkohen vazhdimisht.
Për të realizuar një telefon të tillë kërkuesit e Universitetit të Uashingtonit kanë rimenduar nga fillimi të gjithë dizajnin e pajisjeve aktuale – siç bëhet e ditur në studimin e publikuar në “Proceedings of the Association for Computing Machinery on Interactive, Mobile, Wearable and Ubiquitous Technologies”.
“Telefoni është pajisja nga e cila varemi më shumë sot. Nëse ka diçka që do të donim ta përdornim pa u varur nga bateria është pikërisht kjo”, – thotë Joshua Smith, një ndër autorët e studimit. Prototipi është në gjendje të kryejë funksionet kryesore: të bëjë dhe të marrë telefonata, të dërgojë të dhëna dhe t’i mundësojë çdokujt që e përdor të dërgojë komanda nëpërmjet butonave.
Që të funksionojë, “shfrytëzon vibrimet që prodhohen nga mikrofoni apo nga altoparlantët gjatë një telefonate. Një antenë e lidhur me këta komponentë konverton lëvizjet në sinjale radio: “ndërkohë që ju flisni, telefoni kodifikon vibrimet në valë radio, ndërsa kur ju dëgjoni, ato shndërrohen në tinguj”. Ajo pak energji që nevojitet për funksione të tjera merret nga valët e radios që krijohen nga një transmetues dhe nga drita, falë panelesh diellore shumë të vegjël.
“Battery free cellphone” (kështu quhet telefoni celular) funksionon me një teknikë të quajtur “backscatter”, nëpërmjet së cilës pajisja është në gjendje të komunikojë duke pasqyruar valët e radios. Për të rikuperuar energjinë, në “telefon” janë instaluar në mënyrë të ndarë komponentë të ndryshëm, ndër të cilët një stacion bazë me qarqe për lidhjen me rrjetin telefonik.
Telefoni është i pajisur me tastierë touch për të formuar numrin, si dhe një panel të vogël LED që ndizet e fiket sa herë që shtypni një buton. Për momentin nuk mund të pretendohet më shumë – duke marrë në konsideratë që vetëm ekranit touch do t’i nevojiteshin 400 milivat.
Të punosh me energji të ulët
Për Bryce Kellogg, doktor i “inxhinierisë elektronike” në Universitetin e Uashingtonit dhe bashkautor në studim, sfida më e rëndësishme ishte të punoje me energji të ulët. “Sasia e energjisë që mund të përfitohet nga valët e radios apo nga drita e ambientit është rreth 1 – 10 mikrovat. Kështu operacionet telefonike në kohë reale ishin vërtet të vështira për t’u arritur pa zhvilluar një qasje krejtësisht të re për kryerjen dhe marrjen e telefonatave”.
Burimi: Corriere della Sera