Sipërmarrësi amerikan, Elon Musk, po propozon një “Superqark” për të lidhur Los Anxhelosin me San Franciskon. Pasagjerët do të udhëtonin në kapsula nëpër një tub të zbrazët, të shtyrë nga forca magnetike. A mund të ndërtohet një sistem i tillë tej e tej Atlantikut, përmbi det?
Edhe më ambicioz, “treni me gravitet”, u planifikua rreth shekullit XVII nga shkencëtari britanik Robert Huk, i cili e prezantoi idenë në një letër dërguar Isak Njutonit, zbuluesit të teorisë së gravitetit. Parimisht, skema s’mund të ishte më e thjeshtë.
Për të lidhur Londrën me Nju Jorkun, po themi, do të na duhej të gërmonim një tunel në vijë të drejtë nga një qytet në tjetrin, duke kaluar nën sipërfaqen e harkuar të Tokës, raporton BBC.
Përfitimi i madh nga kjo skemë do të ishte se lëvizja me tren nëpër këtë tunel do të ishte falas. Nëse do të mundnim të eliminonim fërkimin, ndoshta duke e kaluar në zbrazëti si në rastin e Superqarkut, do t’ia linim në dorë gravitetit gjithë punën e tërheqjes së trenit në tunel, përshpejtimit të tij deri në shpejtësinë më të lartë dhe në fund, ngadalësimin e tij teksa mbërrin në anën tjetër.
Sa do të zgjaste udhëtimi?
Vetë Huk shpjegoi se me shumë gjasa, nëse planeti ka një dendësi të njëtrajtshme, atëherë pak rëndësi ka se ç’pika të botës lidhen me tunel (madje sikur të kalonte përmes qendrës së Tokës) kohëzgjatja e udhëtimit do të ishte gjithmonë e njëjta, pak më shumë se 42 minuta.
Kuptohet që kjo teori ka nevojë për t’u rishikuar nga ana praktike. Tunelet e cekët mund të konsiderohen, por rritja e temperaturës dhe trysnisë në thellësi të Tokës do t’i bënte tunelet e thellë jo praktikë. Megjithatë, ideja është prezantuar seriozisht disa herë, për shembull në Akademinë e Shkencave në Paris në shekullin XIX.
Mbase idesë nuk i ka ardhur koha. Hëna, ngaqë është më e vogël se Toka dhe me një brendi shumë më të ftohtë dhe të qëndrueshme, mund të jetë një kandidat për këtë skemë (edhe pse udhëtimi nga një pikë në tjetrën në Hënë do të zgjasë më shumë se 42 minuta për shkak të dendësisë më të vogël të kësaj të fundit. Edhe Marsi është më i vogël dhe më i qëndrueshëm se Toka dhe mund të jetë gjithashtu i përshtatshëm për këtë teknologji.
Ceres, asteroidi më i madh, një lëmsh shkëmbi e akulli, mund të jetë një tjetër alternativë. Ndoshta banorët e ardhshëm hënorë do të shfryjnë teksa kryejnë për të disatën herë rrugën e përditshme nga krateri Tycho në Copernicus, pa e pasur idenë se ky transport tejet i shpejtë ishte një ide e një bashkëkohësi të Njutonit. Po ashtu siç shfryjnë për vonesat në tunel banorët britanikë e francezë, duke harruar se çfarë mrekullie do t’i ishte dukur ky sistem një inxhinieri si Brunel.