Njerëzit po ikin, kush do t’i blejë gjithë këto apartamente?!

23/01/2019 3:09 PM 0 komente

Shqipëria prej 2015-s është prekur nga një valë e dytë e emigracionit të popullsisë. Përveçse kjo po kthehet në një problematikë të punësimit që ka prekur shumë sektorë të ekonomisë, do të ketë ndikim edhe te konsumi, duke filluar që nga kërkesa për mallra dhe shërbime, deri te kërkesa për të blerë pasuri të paluajtshme në Tiranë.

Kjo valë emigrimi është karakterizuar me ikjen e shtresës së mesme, të individëve të shkolluar dhe të rinj, kryesisht mjekë edhe specialistë IT, të cilët do të ishin blerës potencialë të mundshëm të shtëpive të reja në Tiranë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, vetëm për periudhën 2011-2017 kanë emigruar janë jashtë vendit 317 mijë shqiptarë. Kjo shifër është më e lartë sesa popullsia e qytetit të dytë më të madh në vend, Fierit, që në janar 2018 kishte 298 mijë banorë, apo Durrësit, me 278.5 mijë banorë. N
ë një publikim të fundit të INSTAT mbi Diasporën janë rreth 1.6 milionë individë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, nga këta 825 mijë individë (gati 53%) janë meshkuj dhe 755.6 mijë janë femra.

Hajredin Fratari, ndërtues, shpreh shqetësim për këtë fenomen. “Në këtë ikje masive që po bëhet nga Shqipëria, nuk di të jap një vlerësim se si do të jetë ecuria e këtij sektori në afatgjatë” – tha ai për “Monitor”. Qytetet e tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës dhe Durrësit, po zbrazen gjithashtu ndërkohë që janë në rritje të vazhdueshme.

Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë ndryshuar vendbanimin në katër vitet e fundit kanë lëvizur në qendrat urbane, që në shumicën e rasteve, përfshin kryeqytetin, ose zonat përreth tij. Edhe pse lëvizjet e brendshme janë shumëdimensionale, është e dukshme se pjesa dërrmuese e flukseve të migracionit të brendshëm fokusohen drejt Tiranës dhe Durrësit.

Për periudhën 2014-2017, qyteti i Tiranës është shtuar me rreth 45 mijë banorë. Të ardhurit në qytetin e Tiranës kanë qenë 70 mijë banorë, ndërsa të larguarit rreth 24 mijë e 500 banorë. Gjatë 2017-s, viti i fundit me të dhëna të publikuara, migrimi neto në qytetin e Tiranës ka qenë rreth 16800 banorë (22700 të ardhurit dhe 5900 largimet). Ndonëse jo me të njëjtat ritme, për të njëjtën periudhë, Durrësi është shtuar me rreth 12600 banorë, ku të ardhurit përllogariten rreth 27 mijë dhe të larguarit 14 mijë.

Qarqet me zbrazjen më të madhe të popullsisë janë Dibra dhe Berati. Për 2014-2017, migrimi neto shënoi një shifër negative dhe qarku kishte mbi 11 mijë banorë më pak. Në vend të dytë për nga numri i të larguarve është Berati me gati 9 mijë banorë më pak dhe Korça me 7500 banorë më pak.

 

 

Parashikimi i zymtë për rritjen e popullsisë

Përveç fenomenit të emigrimit, i cili i ka bërë emigrantët pesimistë në lidhje me kërkesën në afat të gjatë për shtëpi, vendi po preket edhe nga ndryshime të tjera demografike. Norma e lindshmërisë shënoi sërish ulje gjatë 2017-s duke zbritur poshtë nivelit të mesatares së BE-së.

Familjet bërthamë po krijohen gjithnjë e më të vogla dhe numri i divorceve është rritur. Plakja e popullsisë po ndodh me ritme më të shpejta se sa pritej në Shqipëri. Në një parashikim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, skenari më pesimist parashikon që popullsia e Shqipërisë në 2100 do të arrijë në 860 mijë banorë.

Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar.

Edhe sipas të dhënave kombëtare (INSTAT) popullsia e vendit po tkurret më shpejt se projeksionet e popullsisë 2011 – 2031. Më 1 janar 2018, popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT. Projeksionet e tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi).

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of