85 shoqata për të drejtat e njeriut dhe dixhitale kanë nënshkruar peticionin, duke nënvizuar rreziqet dhe pasojat e mbikëqyrjes masive me përdorimin e autorizuar të teknologjisë
“Mos ua shisni teknologjinë qeverive”. Kjo është në thelb thirrja që u bëhet Amazon, Google dhe Microsoft, e nënshkruar nga 85 shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dixhitale, ndër të cilat Electronic Frontiers Foundation (Eff), që kompanitë e mëdha teknologjike të Silicon Valley të mos u japin sistemet e njohjes së fytyrës qeverive.
“Jemi në një moment vendimtar të kësaj lloj teknologjie dhe zgjedhjet që do të bëjnë kompanitë do të përcaktojnë nëse brezat e ardhshëm duhet të kenë frikë të marrin pjesë në një protestë, të shkojnë në vende religjioze apo thjesht të jetojnë jetën e tyre”, shpjegon Nicole Ozer nga American Civil Liberties Union (ACLU).
Amazon ka zhvilluar Rekognition (dhe jo pa marzhe gabimi) që sipas zërave FBI është duke e testuar, ndërsa Google e ka braktisur projektin e ngjashëm Project Maven edhe për shkak të protestave të punonjësve. Që prej dhjetorit të kaluar, Microsoft i ka kërkuar qeverisë së SHBA më shumë rregulla për njohjen e fytyrës, për të shmangur rrezikun që kjo teknologji të dalë jashtë kontrollit.
Sipas shoqatave që kanë nënshkruar këtë peticion, sistemi i njohjes së fytyrës u jep qeverive mundësinë që të kontrollojnë emigrantët, pakicat fetare dhe njerëzit me ngjyrë duke thelluar hendekun social. Deri më tani Amazon, Google dhe Microsoft nuk kanë bërë asnjë koment për çështjen në fjalë.