75 vjet më parë, më 17 janar 1942, lindi Cassius Clay. Më shumë se gjashtë muaj nga vdekja e tij, Nju Jork feston madhështinë e Muhammad Ali, nëpërmjet pikturave në teknikën e akuarelit dhe fotografive në dy ekspozita që përkujtojnë boksierin që bëri historinë në boks.
Në nder të tij, New York Historical Society ka hapur ekspozitën ‘Muhammad Ali, LeRoy Neiman and the Art of Boxing’ me 21 piktura në akuarel dhe skica të realizuara nga Neiman, artist që vdiq në 2012, dhe “’I Am King of World: Photographs of Muhammad Ali” nga George Kalinsky, fotografi zyrtar i Madison Square Garden, që bën bashkë 45 foto të realizuara përgjatë karrierës së tij dhe jetës personale. Ekspozitat do të qëndrojnë hapur deri më 12 mars.
Veçantia e dy ekspozitave qëndron në faktin që si Neiman edhe Kalinksy ishin në gjendje të përcillnin energjinë e jashtëzakonshme të “The Champ” (kampionit), si në ring edhe jashtë tij. Ali, gjithashtu, krijoi një marrëdhënie miqësore me të dy, kështu që si në pikturat me akuarel edhe në foto del në pah natyra njerëzore e boksierit.
Jo vetëm një legjendë e boksit, por edhe një njeri me ndjeshmëri të madhe, karizmatik dhe i angazhuar në luftën për të drejtat civile dhe betejat sociale në favor të komunitetit afro-amerikan.
Disa nga thëniet më të famshme të Muhammad Ali
1.“Cassius Clay është një emër skllavi. Nuk e kam zgjedhur unë dhe nuk e dua. Unë jam Muhammad Ali, një njeri i lirë. Ky emër do të thotë një njeri i dashur nga Zoti. Dua që njerëzit ta përdorin kur më drejtohen dhe kur flasin për mua”. 1964.
2.“Fluturo si një flutur, grushto si një bletë. Lufto djalë, lufto.” – 1964, përpara ndeshjes me Sonny Liston.
3.“Jam mbreti i botës, jam i dashur, jam i keq. Trondita botën, trondita botën, trondita botën”. 1964, pasi fitoi ndaj Sonny Liston.
4.“Është e vështirë të jesh i përulur kur je një njeri i madh si unë”.
5.“Nuk kam asgjë kundër Vietkongut. Armiqtë e vërtetë të popullit tim janë këtu”. 1966 pasi kishte refuzuar të bëhej pjesë e ushtrisë amerikane dhe të luftonte në Vietnam.
6.”Ua kam thënë të gjithë atyre që më kritikojnë që jam më i madhi i të gjitha kohërave… Mos më quani humbës deri sa të shkoj 50 vjeç”. 1974, pasi mundi George Foreman në ndeshjen e madhe të zhvilluar në Kinshasa.
7.“Njerëzit thonë që flas ngadalë sot. Sa çudi. Kam marrë 29 mijë grushte në fytyrë. Por kam fituar 57 milionë dollarë dhe kursyer gjysmën e tyre. Goditje të forta kam pësuar pak. Sikur ta dinit se sa njerëz me ngjyrë vriten çdo ditë pa fituar asnjë kacidhe. Ndoshta flas ngadalë, por e kam kokën në vend”. 1984, Siatëll.
8.“Gjithçka që mund të bëj është të luftoj për të vërtetën dhe drejtësinë. Nuk mund të shpëtoj askënd. Ai është personazh i një filmi”. Në prezantimin e librit me ilustrime në të cilin Muhammad Ali mposhti Superman-in.
9.“Ia dola mbanë, iu luta Allahut”. 1971, pasi fitoi gjyqin në Gjykatën e Lartë sepse refuzoi të merrte pjesë në shërbimin e detyruar ushtarak”.
10.“Dhimbjet e mia fizike janë shpërblyer nga ato që kam fituar në jetë. Një njeri që nuk ka mjaftueshëm kurajë të ndërmarrë rreziqe, nuk do të arrijë kurrë asgjë”. 1984, Hjuston.