Rikthimi i Nokia-s në tregun e smartphone-ve nuk kaloi pa u vënë re. Nokia 3, Nokia 5, Nokia 6 dhe Nokia 8 patën mjaft sukses dhe tashmë kompania finlandeze, së bashku me HDM Global (shoqëria që po realizon smartphone-t Android) është gati të prezantojë telefonat e rinj për vitin 2018.
Nga Kina, tregu i referencës për kompaninë në fjalë, vijnë informacionet e para për telefonat e rinj që Nokia do të prezantojë në janar 2018. Në të vërtetë bëhet fjalë për azhurnimin e sistemit hardware të pajisjeve që kanë dalë në vitin 2017. Kompania finlandeze është gati të hedhë në treg Nokia 6 (2018) që ka marrë certifikimin TENAA dhe një version LTE të Nokia 3310. Sipas burimeve Nokia 6 (2018) do të ketë ekran të ri 18:9 dhe karakteristika të azhurnuara.
Pas gabimit me modelin e parë të Nokia 6, HDM Global është e vendosur të përfshijë sistemin Qualcomm. Pjesa më e madhe e kritikave nga përdoruesit lidhej me praninë e procesorit Snapdragon 430. Nokia 6 (2018) do të ketë të përfshirë procesorin Snapdragon 630, 4 GB RAM dhe 32 GB memorie të brendshme (me mundësinë për t’u zgjeruar me microSD). Risia tjetër lidhet me ekranin – smartphone do të ketë ekran 5,5 inç me raport 18:9 dhe rezolucion FULLHD+. Dizajni do të jetë thuajse i njëjtë me modelin e parë.
Sensori për gjurmët dixhitale do të jetë në pjesën e pasme, poshtë fotokamerës. Dyshimet e vetme lidhen me sektorin fotografik. Për momentin dihet se do të ketë një sensor fotografik në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme.
Bashkë me Nokia 6 (2018) HDM Global do të prezantojë edhe pajisje të tjera. Gjithnjë sipas zërave që qarkullojnë, do të prezantohen edhe Nokia 8 (2018), Nokia 9 dhe Nokia 3310 (LTE). Ky i fundit është telefoni simbol i kompanisë finlandeze me një bateri praktikisht infinit. Nokia 8 (2018) dhe Nokia 9 mendohet se do të kenë procesor Snapdragon 835, me ekran 18:9 dhe rezolucion QuadHD.
Sipas burimeve, Nokia 6 (2018) do të prezantohet më 19 janar dhe do të dalë në shitje të mes të shkurtit në Kinë. Po në Europë? Nokia dhe HDM Global thonë se do të zbatojnë të njëjtën strategji me vitin e kaluar – prezantimin e tij në Mobile World Congress 2018 dhe hedhjen në treg në muajt e ardhshëm.