Prej vitesh, Nokia, nëpërmjet programit Nokia Networks, synon të gjejë zgjidhje software me qëllim që të parandalojë sulme dashakeqe për smartphone-t. Çdo vit, kompania raporton për viruse të reja. Dhe në raportin e vitit 2017, e dhëna më alarmante është që telefonat janë objektivat më të goditura nga hacker-at.
Sipas raportit të Nokia-s mbi sigurinë informatike, në vitin 2017, 72% e gjithë sulmeve hacker kanë qenë tek pajisjet mobile. Sigurisht në mesin e smartphone-ve, sistemi operativ Android është më i godituri. Viruset për telefonat me sistem operativ Android janë rritur me 53 për qind në vitin 2017, të cilët përfaqësojnë 68,50 për qind të të gjithë telefonave të infektuar. Gjithsesi kjo është në një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2016, kur telefonat me sistem operativ Android rezultonin 74 për qind ndaj totalit.
Aplikacionet jozyrtare
Problemi kryesor janë aplikacionet që instalohen nga përdoruesit por jo nga Google Play Store. 96 për qind e aplikacioneve të infektuara nuk vijnë nga dyqani dixhital Android.
Rritja e Adware
Ndër viruset që po godasin universin mobil në vitin 2017 janë në rritje adware. Krahasuar me të kaluarën, këto reklama mashtruese dhe këmbëngulëse janë bërë më të sofistikuara. Ndonjëherë fshihen në disa pjesë të ekranit dhe nëse përdoruesi klikon sipër tyre, përfundon me instalimin e aplikacioneve me pagesë ose shërbimeve me pagesë në numrin e tij telefonik.