Nokia ka prezantuar në Kinë smartphone-n e parë me notch, Nokia X6. Ky model, i cili pritej prej kohësh, ka një design të kuruar në çdo detaj (kjo nuk është një gjë e re për kompaninë finlandeze) me çmim mjaft konkurrues.
Aspekti më interesant, siç mund të imagjinohet, është design, në pamje të parë “standard” të cilit i shtohet notch (në pjesën e sipërme, i bërë i famshëm tek iPhone X i Apple).
Në pjesën e pasme të Nokia X6 ndodhen dy fotokamera me dy sensorë të vendosur vertikalisht dhe po ashtu sensori për gjurmët dixhitale. Ekrani ka raport paraqitje 19:9 dhe rezolucion FullHD+ (1080×2280 piksel). Bëhet fjalë për ekran 5,8 inç me mbrojtje Gorilla Glass 3. Ndër të tjera Nokia X6 do të jetë smartphone dual-sim.
Karakteristikat teknike të Nokia X6
Nokia X6 ka procesor Snapdragon 636 octa-core, 4GB ose 6 GB RAM, në varësi të modelit që dëshironi të blini. Edhe memoria e brendshme ndryshon në varësi të modelit që zgjidhni. Modeli ekonomik ka memorie 32 gigabyte, ndërsa ai më i kushtueshëm, memorie 64 gigabyte. Tek të dyja modelet, memoria mund të zgjerohet me microSD deri në 256 GB.
Zhbllokimi i telefonit do të bëhet përveçse me sensorin e gjurmëve dixhitale edhe me njohjen e fytyrës. Smartphone i ri i Nokia ka një portë USB, tipi C dhe një jack për kufje prej 3,5 mm. Bateria është 3060 mAh që falë sistemit me rikarikim të shpejtë Quick Charge 3.0 mund të karikohet deri në 50% në vetëm 30 minuta.
Sektori fotografik i Nokia X6
Nokia X6 ka dy fotokamera në pjesën e pasme, me një lente 16 megapixel dhe një tjetër momokromatike 5 megapixel. Në pjesën e përparme është një fotokamerë për selfie 16 megapixel. Të tre sensorët kanë hapje fokusi f/2.0. Fotot përmirësohen nga Inteligjenca Artificiale e instaluar në software e fotokamerës. Inteligjenca Artificiale njeh fytyrat, përmirëson portretet dhe ngjyrat e peizazheve.
Nokia X6 suporton edhe funksionin Bothie duke u dhënë mundësinë përdoruesve të përdorin njëkohësisht si telekamerën e përparme si ato të pasme.
Smartphone me 4G RAM kushton 170 euro, kurse versioni me 6GB, 224 euro.