Deri tani, 9 për qind apo 10 mijë mjete nuk kanë kaluar në kolaudim për mosplotësim të normave të gazrave. Sipas të dhënave për 4 muajt e parë të vitit janë kontrolluar 108 mijë makina.
Si ndryshojnë nga 1 korriku normat e shkarkimit të gazrave për automjetet?
Nga 1 korriku, normat e shkarkimit të gazrave gjatë kontrollit teknik të automjeteve do të përputhen 100 për qind me direktivat e Bashkimit Europian. Për shembull, automjetet me naftë të prodhuara deri në 2008, normat e lland- ës kanë qenë 3,5 për qind në volum, ndërsa mjetet e prodhuara pas vitit 2008 normën e shkarkimit të gazit e kanë 0,5 për qind në volum.
Do të vijë koha që mjeteve shumë të vjetra t’u vihet një dysheme që të mosqarkullojnë më pa kryer modifikimin në sistemin e shkarkimit të gazrave.
Nga zbatimi i fazës së dytë së normave të shkarkimit të ndotjes së gazrave, si paraqiten rezultatet në 4 muajt e parë?
Faza e dytë e matjes së nivelit të gazrave me normat për realizimin e objektives sipas Bashkimit Europian është nga 1 janari deri në 30 qershor. Normat janë më të ulëta sesa në 6-mujorin e dytë të vitit 2015 dhe janë gjysma e shtesave që janë bërë. Që do të thotë, në qoftë se normat sipas direktivës do të quaja 100 për qind, shtesat që janë bërë në 6-mujorin e dytë të 2015 janë përgjysmuar, çka do të thotë në rast se për një automjet shtesa ka qenë 10 për qind, tani është bërë 5 për qind.
Normat e matjes së ndotjes që janë në fuqi janë gjysmat e shtesave të mëparshme dhe rezultatet janë afërsisht të njëjta në drejtim të ngeljes së automjeteve vetëm nga niveli i gazrave. Për 4-mujorin e parë janë kontrolluar rreth 108 mijë mjete, nga të cilat 10 mijë mjete ose 9 për qind e mjeteve të kontrolluara kanë ngelur.
Ashtu si edhe në fazën e parë, ngeljet më të mëdha janë në mjetet me benzinë. Automjetet me benzinë janë kontrolluar 27 mijë, ku 7 mijë prej tyre apo 27 për qind kanë ngelur. Automjetet me naftë janë 32 mijë të kontrolluara, ku 3 mijë prej tyre apo 3-4 për qind kanë ngelur.
Mjetet e vjetra që mund të kenë kaluar kontrollin teknik në fazën e parë, që u zbatua në 6-mujorin e dytë të 2015, duhen të përgatiten për uljen e nivelit të shkarkimit të gazit, sepse normat do të ulen dhe në rast se nuk marrin masat e nevojshme, detyrimisht do të ngelin. Tendenca edhe e direktivës së Bashkimit Europian dhe Shqipërisë është që ndotja e mjedisit të zvogëlohet sa më shumë.
Çfarë u rekomandohet drejtuesve të automjeteve të kryejnë pas rezultateve të moskalimit në kolaudim?
Shumica e automjeteve që kanë ngelur, ku këtu janë përfshirë edhe mjetet që nuk bëhet verifikimi i matjes së nivelit të gazrave, për shkak të verifikimit me sy që këto kanë ndotje të lartë dhe mjetet e vjetra që janë mbi 30- vjeçare, automatikisht shumica e tyre nuk e kryejnë kontrollin, çka do të thotë që ngelin deri në marrjen e masave për përmirësimin e tyre.
Në automjetet me naftë që janë shumë të vjetra, mbi 60 për qind e tyre ngelin. Drejtuesve të këtyre automjeteve u rekomandohet të ndryshojnë sistemin e shkarkimit të gazrave dhe të zvogëlojnë shkarkimin e gazrave nga mjetet e tyre që janë të vjetra. Pra, kjo do të thotë që marmita te mjetet e prodhuara para vitit 1993 dhe para 2008 ka qenë e zakonshme, te mjetet e sotme janë marmita katalitike, të cilat kryejnë në mënyrë automatike futjen e elementëve ndotës të gazrave që dalin nga mjetet. Mjetet e reja që kanë këto pajisje në sistemin e shkarkimit, normat i kanë shumë të ulëta.
Panorama
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.