Çdo vit, Erika Anderson merr pesë javë pushime. Si Ceo e Proteus International, një kompani lider për konsulencë në Nju Jork, ajo punon për orë të gjata, shkruan mbi tema të ndryshme në blogje si dhe libra dhe merr telefonata nga klientët e saj në çdo orë. Por, kur ajo merr pushimet, i thotë stafit të saj që ta lërë të qetë.
“Nuk mund të jem një robot” – thotë Anderson.
Në fillim të viteve 1990, kur Anderson krijoi biznesin e saj, punonte rreth 80 orë në javë dhe rrallë qëndronte larg zyrës së saj. Por, me kalimin e kohës, ajo kuptoi se kishte nevojë që të pushonte më shumë dhe të kalonte më tepër kohë me fëmijët e saj. Problemi ishte se ajo s’mund të largohej – punët në kompani nuk mund të vijonin pa të. Anderson i duhej të bënte një ndryshim në mënyrën e të punuarit. Ajo duhej të mësonte se si të delegonte punët.
Shumë prej nesh, veçanërisht në SHBA, duket se u shmangemi ditëve të pushimit sikur të ishin diçka e keqe. Një studim në vitin 2015 nga kompania Korn Ferry arriti në përfundimin se 67% e drejtuesve ekzekutivë në SHBA ose i kanë shtyrë ose i kanë anuluar planet për pushime, për shkak të punës, ndërsa 57% thanë se nuk kishin në plan t’i merrnin të gjitha ditët e pushimeve që u takonin.
Dhe ndërsa viti i ri ka nisur, shumë amerikanë janë duke u ankuar për ditët e pushimeve që s’mundën të merrnin gjatë 2016-s. Kjo është në kontrast me vende si Austria, Gjermania dhe Franca ku punonjësit kanë dhe marrin 30 ose më shumë ditë pushimi në vit.
Shumë prej nesh e dinë se të pushosh për disa ditë ndihmon të rikuperojmë energjinë dhe na bën mirë gjithashtu për shëndetin tonë, duke reduktuar, për shembull, rrezikun nga ataku kardiak. Megjithatë, edhe nëse do të donim të merrnim disa ditë pushim, shumë prej nesh do ta kishin të vështirë ta bënin një gjë të tillë. Dhe arsyet janë të njëjtat: ne kemi frikë se mos humbim punën tonë dhe është e vështirë që të marrësh pushime kur askush rreth nesh nuk e bën një gjë të tillë. Por pjesa më e vështirë është se ne nuk dimë se si të delegojmë punën tek të tjerët.
“Ne na pëlqen të besojmë se nëse ne marrim pushime, punët nuk do të bëhen me eficencë”, – thotë Jeffrey Pleffeer, profesor i sjelljes organizative te Stanford Graduate School of Business.
Shumë prej nesh nuk marrin shumë ditë pushimesh pasi ne nuk dimë se si të delegojmë punët. Sipas John Hunt, profesor i London Business School, vetëm 30% e menaxherëve mendojnë se i delegojnë mirë punët, ndërkohë rreth 33% e menaxherëve konsiderohen delegues të mirë nga stafi i tyre.
Pse jemi kaq të paaftë për të deleguar punën që mundet dhe duhet bërë nga të tjerët? Sepse ne nuk duam ta bëjmë këtë gjë. Besojmë, edhe pse është e gabuar, se projektet për të cilat punojmë janë më të mira, për shkak të punës sonë – thotë Pfeffer.
Është iluzioni i kontrollit – thotë Pfeffer. “Ne mendojmë se gjithçka ku ne jemi të përfshirë është më e mirë për shkak të punës sonë”.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në SHBA. Amerikanët dhe kompanitë amerikane e vënë theksin tek arritjet personale, ndërsa në Europë dhe Kanada (të cilat janë konsideruar demokraci sociale) puna në grup është më e rëndësishme kur bëhet fjalë për suksesin.
Ndryshimi është se europianët “punojnë për të jetuar”, ndërsa amerikanët “jetojnë për të punuar” thotë Rick Lash, partner në Korn Ferry. Në SHBA, arritjet personale nguliten që në moshë te re dhe festohen rregullisht gjatë jetës – thotë ai.
Për të vijuar ecurinë e kompanisë së saj, Anderson krijoi një sistem mbështetjeje, që e bën më të lehtë për dikë të cilit i është deleguar një detyrë të përmbushë punën për të cilën tashmë është përgjegjës.
Në më të shumtën e rasteve, njerëzit janë në gjendje të përfundojnë një pjesë të punës që u është ngarkuar të bëjnë, por ata nuk mund ta përfundojnë atë plotësisht. Anderson u kërkoi njerëzve t’u tregonin se cilën pjesë të punës ishin në gjendje që ta përfundonin vetë, cilën pjesë ata mund të kishin nevojë për ndihmë, dhe çfarë nuk ishin në gjendje që të bënin. Më pas ajo krijoi një lidhje të punonjësit me një punonjës tjetër apo drejtues i cili ta ndihmonte në punën që i ishte ngarkuar.
Një mënyrë më e mirë?
Me shumë amerikanë – dhe shumë të tjerë – të shqetësuar për ekonominë dhe punën e tyre, Pleffer dhe Lash mendojnë se gjendja mund të përkeqësohet. Ai dhe të tjerë mendojnë se ka ardhur koha që në mungesën tonë puna që na përket ne të bëhet nga të tjerët.
Marrë me shkurtime: BBC