Legalizimet e objekteve pa leje janë përfshirë në një proces tjetër pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të legalizimeve dhe vendimit të qeverisë pensionistipër formulën e re të pagesës. Sipas procedurave të reja, nëse ai që disponon objektin pa leje nuk ka mundësi të paguajë faturën, objekti hipotekohet në emër të ALUIZNI-it derisa të bëhet pagesa.
Kur nuk paguan
Në pikën 10 të vendimit të një ditë më parë të qeverisë për përcaktimet e tarifave të legalizimit thuhet se, “Nëse poseduesi i ndërtimit pa leje nuk e shlyen plotësisht detyrimin financiar për parcelën ndërtimore brenda një viti nga data e njoftimit, do të zbatohen përcaktimet e pikës 2/1 të nenit 30 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar deri në pagesën e vlerës totale të detyrimit”. Ligji i vitit 2006 thotë se,“në rastin kur njëri apo disa nga subjektet që disponon ndërtimin pa leje nuk shlyen detyrimet financiare të parashikuara në ligj, në lidhje me parcelën ndërtimore/objektin pa leje. Në këtë rast, për pjesën takuese të subjektit debitor bëhet regjistrimi përkatës në ZRPP, në emër të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes nga subjekti të detyrimeve financiare”. Pavarësisht se objektet pa leje janë proces legalizimi këtu e tetë vite më parë ende nuk njihet një rast apo një dosje që të jetë hipotekuar nga ALUIZNI edhe pse është plotësuar i gjithë dokumentacioni, por vetëm se nuk është bërë pagesa. Në fakt janë mijëra dosje, të cilat e kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin, kanë bërë krejtësisht pagesat sipas ligjit të vjetër qysh në vitin 2009 dhe nuk jepen lejet. Lejet për këto objekte qëndrojnë të bllokuara gati edhe pas një viti të ardhjes së qeverisë së re në pushtet,e cila premtoi zhbllokimin e procesit.
Si bëhet pagesa
Shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe integrimit të Zonave/Ndërtimeve informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes. Pagesa e menjëhershme do të konsiderohet shlyerja nga poseduesi i ndërtimit pa leje i vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim. Nëse pagesa nuk bëhet brenda kësaj periudhe nuk përfitohet ulja 20 për qind e përcaktuar në ligj. Pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës8. Për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë. Për detyrimet e parcelës ndërtimore, të llogaritura por të pashlyera nga poseduesit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të aplikohen çmimet, mënyra dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim. Mirëpo objekti edhe pas bërjes së pagesave dhe marrjes së lejes së legalizimit nuk mund të hipotekohet, nëse më parë nuk janë shpronësuar pronarët. Pasi hipoteka pavarësisht lejes së legalizimit nuk mund t’i heqë të drejtën e pronës askujt, nëse ai nuk është shpronësuar.
/Mapo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.