Në mbarë botën, femrat zënë afërsisht 20 për qind të posteve në sektorin bankar dhe të agjencive mbikëqyrëse të bankave. Nëse rritet më shumë ky numër, më i madh mund të jetë ndikimi pozitiv që ato do të kenë në stabilitetin e sistemit bankar.
“Tavani i qelqtë”* në financë ka filluar të tregojë shenjat e para të krisjes, megjithatë ekziston ende një hendek i madh midis përfaqësimit të burrave dhe grave në postet drejtuese në sistemin bankar dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në mbarë botën.
Bazuar mbi një dokument të kohëve të fundit të FMN-së, është publikuar një skemë të dhënash gjithëpërfshirëse mbi karakteristikat dhe performancën e sektorit bankar, si dhe për rolin e femrave në bordet drejtuese të sistemeve bankare dhe në dhe bordet e agjencive mbikëqyrëse të bankave, që përfshin 72 vende në një periudhë kohore 13-vjeçare.
Sipas të dhënave:
Femrat zënë më pak se 20 për qind të posteve në bordet e bankave dhe më pak se 2 për qind të posteve në nivelet ekzekutive të bankave (CEO). Në vitin 2013, vetëm 15 nga 800 banka, në 72 shtete, kishin në pozicionet drejtuese të tyre, CEO femra.
• Përfaqësimi i femrave në bordet e bankave dhe në bordet e agjencive mbikëqyrëse bankare është i ulët në të gjithë rajonet gjeografike, nivelet e të ardhurave të vendit dhe llojet e bankave, me përjashtim të bankave të kursimit.
• Në kundërshtim me perceptimin e zakonshëm, shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë një përqindje më të lartë të femrave në bordet e bankave dhe agjencive të mbikëqyrjes bankare në krahasim me ekonomitë e përparuara.
Lajm inkurajues është se pjesëmarrja e femrave në bordin e sektorit bankar dhe të agjencive mbikëqyrëse të bankave ka shënuar rritje. Në Azinë Lindore, përfaqësimi mesatar u rrit nga 2 për qind në vitin 2001 në 14 për qind në 2013. Në Europë dhe Azinë Qendrore, ajo u rrit nga 4 në 18 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Referuar po të njëjtit publikim, sa më i madh të jetë numri i femrave në bordet e bankave apo në bordet e agjencive mbikëqyrëse bankare, aq më i madh do të jetë stabiliteti i këtij sektori.
“Tavani i qelqtë”* është një term për të përshkruar situatat ku avancimi në karrierën e një personi të kualifikuar brenda hierarkisë së një institucioni pengohet për shkak të formave të ndryshme diskriminuese, si ato gjinore apo raciste.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.