Flet Armand Frangu, anëtar i Bordit Drejtues të Albanian ICT Association
Sektori i IT në tre vitet e fundit ka regjistruar rritje të shpejtë, e mbështetur jo vetëm nga trendet botërore, por edhe nga investimet publike që janë bërë në sistemet dhe shërbimet online. Në një intervistë për “Monitor”, Armand Frangu, anëtar i Bordit Drejtues të Albanian ICT Association, njëkohësisht drejtor ekzekutiv i B360 sh.p.k. shprehet se potenciali për rritje të mëtejshme të eksportit të shërbimeve është i lartë, por ka një ngërç që lidhet direkt me mungesën e profesionistëve.
Së pari janë në numër të kufizuar dhe së dyti, edhe aspekti cilësor nuk është konkurrent me rajonin apo më gjerë. Në këtë kontekst kërkohet që të rishihet mundësia e politikave që ndikojnë në rritjen e cilësisë dhe nxitjen e frekuentimit të këtyre degëve sot në arsim. Lidhur me uljen e tatimfitimit nga 15% në 5% për prodhimin e software, Frangu nënvizon se kjo prek një segment shumë të vogël dhe se zbatimi do të hasë në ngërçe në momentin kur kemi kompani që kanë aktivitete mikse dhe punojnë me projekte.
Në çfarë faze ndodhet sot sektori i IT në Shqipëri në këndvështrimin e rritjes apo zhvillimeve të tregut?
Sektori IT i mirëfilltë, pra duke e përjashtuar këtu pjesën e telekomunikacionit dhe tregimin e PC-ve me pakicë, është në një rritje të shpejtë. Kjo ndikohet nga tendencat botërore, por në tre vitet e fundit, rritja i dedikohet më shumë investimeve publike në sistemet IT dhe shërbimet online për publikun. Kjo padyshim që i ka dhënë shumë hov sektorit dhe administrata publike është aktualisht investitori dhe klienti më i madh i shërbimeve IT, madje në atë shkallë që mund të quhet sektor unik. Nuk ka asnjë industri tjetër në vend, ku qeveria qendrore dhe lokale, së bashku, kanë rol dominues në treg si blerës.
Faktor tjetër që ka ndikuar në rritje lidhet me shtimin e eksportit të shërbimeve, kryesisht kontrata të software outsourcing (programe me porosi). Për këto kontrata ka kërkesa reale dhe të vazhdueshme nga tregu i huaj, pra kanë potencial të konsiderueshëm rritjeje, por ndërkohë ka një pengesë gjigante që është numri i vogël i profesionistëve dhe inxhinierëve IT cilësor që prodhon sistemi ynë arsimor. Shqipëria prodhon një numër tepër të vogël programuesish. Ndoshta këtu duhet vënë theksi, te rritja e pranimeve në Universitete pa cenuar cilësinë e mësimdhënies për studentët e degëve të shkencave kompjuterike. Është hapi më i rëndësishëm që mund të bëhet.
Pak vite më parë, Shqipëria ishte një destinacion i preferuar sidomos me call center. A është diversifikuar kjo kërkesë nga tregu i huaj, duke eksportuar shërbime të tjera?
Ka një lloj tendence për zhvendosje nga shërbimet bazike të call center në shërbime më profesionale. Kur themi shërbime profesionale, nënkuptojmë ato të natyrës të suportit IT, shërbime të lidhura me tregun financiar, kontabilitetin, FOREX. Mendoj se kjo është diçka shumë e shëndetshme për ekonominë e Shqipërisë, pasi rrit punësimin në shërbime më të kualifikuara, dhe mbi të gjitha, rrit eksportet e Shqipërisë që kanë zero ndikim mjedisor.
Qeveria vendosi që të bënte lehtësim në paketën e fundit fiskale, duke ulur tatimfitimin në 5% për kompanitë që prodhojnë apo zhvillojnë software. A është e mjaftueshme kjo për të nxitur zhvillimin e një sektori?
Duhet të kemi parasysh që sektori i shërbimeve IT ka qenë sektori me zhvillimin më të shpejtë këto tre vitet e fundit. Çdo incentivë që jepet mendoj se i bën vetëm mirë sektorit dhe biznesi e pret me kënaqësi. Edhe nga ana psikologjike jep mesazhin se qeveria po e mbështet këtë biznes. Nga ana reale, se çfarë do të ndodhë, është herët për t’u matur, pasi qëllimi përveçse të stimulojë kompanitë vendase që bëjnë programe për biznesin dhe aplikacione web, është për të tërhequr investitorë të huaj për eksportimin e programeve kompjuterike dhe të shërbimeve të IT. Kështu që rezultati do të shihet në një moment të dytë, duke e matur me sa do të rritet eksporti në 2-3 vitet që vijnë. Lidhur me zbatimin, çdo ligj ka aktet nënligjore dhe udhëzimet e zbatimit.
Është ende e paqartë se si do të veprohet në situatën miks dhe situatat miks janë ato që dominojnë në këtë fushë. Vetëm një pjesë e vogël kompanish e kanë biznes të dedikuar për pjesën e zhvillimit të programeve, duke përfituar në mënyrë të menjëhershme këtë trajtim të diferencuar të tatimfitimit. Për kompanitë që punojnë me projekte IT të integruara, do të jetë e vështirë, ndoshta problematike, se si do të veçohen kontabilizimi i ndërtimit të sistemeve IT nga kontabilizimi i programimit të aplikacioneve. Mbetet për t’u parë se çfarë udhëzimesh do të nxjerrë Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve. Është ende herët dhe e vështirë për të dalë te formula perfekte, por është një hap i mirë përpara.
A mund ta kthejë Shqipërinë kjo në një miniparajsë fiskale ku kompanitë e huaja të vijnë vetëm për të përfituar nga lehtësia?
Thamë që Shqipëria është një vend me një numër të vogël programuesish. Kërkesat që vijnë nga tregu i huaj për të bërë kontrata outsourcing janë shumë më të mëdha se sa përballon tregu ynë. Kështu që atraksioni fiskal do të shtohet në avantazhet e tjera që ka Shqipëria, siç janë pozita dhe kultura europiane, komunikimi i mirë në gjuhë të huaja apo pagat e ulëta, por mbetet minusi i madh që shpjeguam më lartë: kemi pak programues të kualifikuar.
Pranë Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit (AITA) ka shumë kërkesa për të investuar në tregun e programimit në Shqipëri, dhe këto kërkesa mbeten në ngërçin e mungesës së programuesve në nivelet që kërkon tregu botëror. Edhe nëse qeveria i bën zero taksat për software developers mjafton të vijë një kompani e madhe dhe i merr të gjithë punonjësit që ka sot tregu. Pra, bashkë me strategjitë stimuluese fiskale duhet adresuar me urgjencë pjesa e përgatitjes të më shumë programuesve të rinj.
Si ka qenë emigrimi i këtyre profesionistëve jashtë Shqipërisë duke qenë se ka një kërkesë në rritje për të ushtruar profesionin jashtë dhe me kontrata afatgjata?
Pjesa e emigrimit të këtij kontingjenti profesionistësh është një trend global dhe nuk lidhet vetëm me Shqipërinë, është po kaq i mprehtë sa në Shqipëri për të gjithë Ballkanin. Me zhvillimin dinamik të teknologjisë, bota ka më shumë kërkesë për ekspertë IT se sa ofertë. Lëvizjet janë nga Europa Lindore dhe Azia në Europën Perëndimore dhe SHBA si specialistë të IT. Nuk e ndalojmë dot në këtë aspekt, vetëm mund ta zbusim. Diferenca e një page të një developer në rajon dhe në Shqipëri është zvogëluar. Po të shtosh dhe eficencën e punës është bërë pothuajse e barabartë. Pra një IT shqiptar paguhet 30% më pak se në Bullgari apo Maqedoni, por edhe rendimentin e punës e ka 30% më të ulët.
Çfarë lehtësish fiskale ose burokratike rekomandoni që mund të garantojnë zhvillim të zinxhirit të vlerës dhe rritje të kompanive që operojnë në IT dhe që mund të kthehen në eksportuese të shërbimeve?
Nisma që është ndërmarrë është diçka shumë e mirë, por është për një pjesë shumë të vogël të ekonomisë. Ndoshta ajo që do kishte rendimentin më të madh do të ishte plotësimi i legjislacionit administrativ dhe fiskal që ka lidhje me e-Commerce. Është një fushë që zhvillohet shpejt dhe ka vështirësi reale të ndiqet me rifreskime ligjore, por edhe e lënë në mëshirë të fatit po pengon zhvillimin e biznesit. e-commerce, në radhë të parë, do ta bënte më efektive ekonominë, do ta ndihmonte biznesin vendas dhe indirekt do të rriste edhe sektorin e IT-së që i ndërton dhe mirëmban platformat ku zhvillohet e-Commerce.
Si paraqitet situata e eksportit të shërbimeve nga zhvillimi i programeve te Data Centers dhe Cloud Hosting e me radhë, në dijeninë tuaj, cilat janë sfidat që hasen sot?
Pjesa që ka ecur më shumë është ajo e software developer dhe kjo është normale se aty ka më shumë kërkesë nga vende të ndryshme. Përgjithësisht eksportojmë drejt Europës Qendrore (Gjermani, Austri, Zvicër), Itali dhe Amerikë/Kanada. Eksportet e tjera të shërbimeve IT kanë qenë tepër të limituara, të orientuara drejt tregut të Italisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.