Nisma më e re në Kosovë lidhet me faktin se kanë nisur të inkurajohen gratë dhe vajzat që të jenë pjesëmarrëse në ndarjen e pasurisë familjare dhe gjithashtu pronat t’i regjistrojnë në emër të tyre dhe në emër të përbashkët më bashkëshortët, kjo pasi i bën më të pavarura ekonomikisht.
Gjysma e popullatës së përgjithshme në Kosovë përfaqësohet nga gjinia femërore, por pavarësisht nga kjo, mbi 80 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të gjinisë mashkullore, citon Radio Europa e Lirë.
Presidentja Atifete Jahjaga, ka filluar fushata nacionale më moton “Për të mirën tonë”, me synim të përmirësimit të barazisë gjinore në regjistrimin e pronës.
“Ne vazhdojmë të përballemi me realitetin e hidhur ku gratë dhe vajzat përbëjnë shtresën më pak të avancuar ekonomikisht, më pak të përfaqësuara në tavolinat vendimmarrëse, më pak prezente në bankat shkollore, më pak mundësi dhe qasje në çdo fushe të jetës”, tha Jahjaga.
Ndërkaq, Mosregjistrimi i pronës në emër të grave dhe vajzave i vë në pozitë të vështirë edhe në aspektin ekonomik, u shpreh ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Tracey Ann Jacobson, pasi nuk kanë qasje në kredi për shkak të mungesës së hipotekave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.