Nxitja për një luftë Itali-BE

15/09/2018 10:06 PM 0 komente

Rriten tensionet midis Italisë dhe BE-së. Emigrantët dhe ekonomia janë dy prej çështjeve më të nxehta

 

Situata me të cilën u përballën italianët pasi u kthyen nga pushimet në qytetet e tyre nuk ishte aspak e mirë, gjë që sinjalizon se vjeshta nuk do të jetë e lehtë, shkruan The Economist.

Përveç situatës problematike që po krijohet nga flukset e shumta të emigrantëve që vijnë nga Afrika dhe problematikës akoma më të vjetër në lidhje me ekonominë anemike të rrezikshme të Italisë, përballja e kohëve të fundit me BE-në po rritet.
Ministri i Brendshëm i Italisë dhe lideri i Ligës së Veriut, Matteo Salvini, mbajti më shumë se njëqind azilkërkues, në një nga anijet e mbrojtjes bregdetare të Italisë, Ubaldo Diciotti, për pothuajse një javë teksa ai kërkoi të arrinte një marrëveshje me BE-në mbi një politikë të rishpërndarjes së emigrantëve. Pas takimit në Bruksel që përfundoi pa asnjë progres, ndërhyri Kisha Katolike italiane, e cila ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje.

Shumica e azilkërkuesve hynë në Itali nën mbrojtjen e saj; 20 prej të cilëve u dërguan në Irlandë dhe një pjesë tjetër në Shqipëri. Por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Z. Salvini dhe Viktor Orban, Kryeministri i Hungarisë, e shprehën qartë në një takim të zhvilluar në Itali se ata planifikojnë që të ndërtojnë një front kundër emigracionit të BE-së, gjatë zgjedhjeve europiane të vitit të ardhshëm.

Ata planifikojnë të sfidojnë aleancën qendrore që Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përpiqet të krijojë dhe të cilën ata e përkufizojnë si pro emigracionit. Z. Salvini tha se Europa po kalonte një moment të rëndësishëm, një kthesë të rëndësishme historike. Por me konservatorët tradicionalë që gjithnjë e më shumë po përballen me populistët e vijës së ashpër, ai mund të ketë të drejtë.

Megjithatë, z. Salvini është në një situatë më të ndërlikuar sesa ajo që mund të dukej në fillim. Ai është gjithashtu aleat i një partie tjetër populiste, Lëvizja Pesë Yje (M5S), ku kjo e fundit nuk dihet edhe për sa kohë do të vazhdojë të ndikohet nga z. Salvini. Roberto Fico, kryetari i Dhomës së Ulët, kritikoi mënyrën sesi z. Salvini e trajtoi çështjen e emigrantëve në anijen Ubaldo Diciotti, por kritika nuk u mor fare parasysh sepse ajo u rrëzua nga zëvendëskryeministri Luigi Di Maio.

Incidenti nxori në pah mundësinë e një ndarje të partisë ideologjikisht heterogjene “Lëvizja Pesë Yje”, të cilën sipas deklaratave të një prej ligjvënësve të saj, z. Salvini po mundohet që ta nxisë sa më shumë të mundet. Nëse mundësohet, një ndarje e tillë do t’i japë atij një mundësi për të sjellë krahun e djathtë të partisë “Lëvizja Pesë Yjet” në partinë e tij të Ligës, e cila po kalon një rritje të shpejtë. Mosmarrëveshja mbi imigracionin është edhe pjesë e një sfide më të gjerë të qeverisë italiane ndaj rendit të vendosur nga BE-ja.

Më 27 gusht, z. Di Maio kërcënoi se do të refuzonte dhënien e kontributit të Italisë në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, nëse kërkesat mbi emigracionin nuk do të përmbusheshin. Ditën tjetër, ai la të kuptohet se buxheti i Italisë për 2019, që do të zbulohet në shtator, mund të përfshijë një deficit prej më shumë se 3%, kufiri i përcaktuar nga BE-ja.

Kjo i tronditi tregjet e kapitalit, sepse z. Di Maio tha gjithashtu se ai synon të ndërmarrë menjëherë edhe tre masa të rëndësishme, që ishin parashikuar që më parë, si një rritje graduale e të ardhurave për të varfrit dhe të papunët; norma më e ulët të tatimit mbi të ardhurat dhe rikthimin e një reforme për pensionet.

Përveç nivelit të lartë të borxhit publik të Italisë ndaj PBB-së (prej rreth 130%), një deficit i madh do ta zvogëlonte besimin e investitorëve në aftësinë për të përmbushur detyrimet e veta. Nuk është për t’u habitur që primi i riskut mbi obligacionet e Italisë është më shumë se dyfishuar që para formimit të qeverisë, duke rritur koston e huamarrjes së shtetit dhe dobësimin e bilancit të bankave italiane. Z. Di Maio është duke luajtur një lojë tepër të rrezikshme. Por cili është çmimi i një loje të tillë?

 

Çlirimi i demonëve

Përgjigjja e parë dhe e mundshme është se ai po përshkallëzon tensionin me Brukselin për të siguruar një liri më të madhe për të rritur sasinë e parave në ekonomi, duke nxitur në këtë mënyrë edhe rritjen e kësaj të fundit. Por shpërthimi i tij ka ndezur në mënyrë të pashmangshme dyshimet se Liga e Veriut dhe Lëvizja Pesë Yjet, asnjëra prej të cilave nuk është e angazhuar për anëtarësimin në euro, mund të komplotojnë për të nxjerrë Italinë nga monedha e përbashkët, nëse jo nga BE-ja.

Një shpjegim i tretë i mundshëm është se z. Di Maio, partia e të cilit është aleati kryesor në qeverinë e koalicionit, po përpiqet të rifitojë iniciativën, duke e tejkaluar kështu z. Salvini së bashku me ekstravagancën e kërcënimeve dhe kërkesave të tij.

Rreziku është se, duke vepruar kështu, ai do të krijojë shpresa joreale në një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë mendon se ai është caktuar që të merret vetëm me çështjen e emigracionit dhe ku pothuajse të gjithë e kanë pranuar alibinë e paraqitur nga qeveritë e majta dhe të djathta se rritja e ulët ekonomike e Italisë nuk është për shkak të dështimit të saj në drejtim të reformave strukturore, por krejtësisht për shkak të rreptësisë së Komisionit Europian.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz