Në një njoftim për shtyp, Sula tha se pas paketës së masave që mbështesin industrinë e përpunimit aktiv, ose siç e quhet ndryshe industria fasone, në Shqipëri, qeveria mban një tjetër premtim të sajin për këtë sektor.
Sula deklaroi se Këshilli i Ministrave vendosi dje institucionalizimin e krijimit të fondit në mbështetje të industrisë fasone, si fond buxhetor më vete, me synim rritjen e punësimit në këtë degë të ekonomisë dhe zhvillimit të kompetencave profesionale të punonjësve.
“Vitin që vjen për këtë fond janë planifikuar 250 milion lekë. Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave është në radhë të parë, një lajm i mirë për industrinë fasone në Shqipëri, si sektori me më shumë të punësuar në vend: Në proceset e zgjerimit të prodhimit të tyre, ata do të kenë mundësi të punësojnë punonjës të rinj që do t’i kualifikojnë me kosto zero. Po ashtu, do të përfitojnë personel më të aftësuar. Është lajm i mirë për qytetarët e papunë, të cilët do të përfitojnë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit me praktika pune të pagueshme”, u shpreh Sula.
Ajo informoi se aplikimet do të fillojnë nga janari i vitit 2015 dhe ky fond do të mbështesë punëdhënësit e industrisë fasone për nxitjen e punësimit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore për këtë industri, si dhe forma të tjera të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Zv.ministrja e cilësoi si një lajm të mirë për nxënësit e mësuesit e katër shkollave të mesme profesionale me profil konfeksione, që do të jenë përfituese të investimeve në baza prodhuese këtë vit, si dhe për kursantët e qendrës së formimit profesional numër 4, e cila do të pajiset me një bazë moderne prodhuese të plotë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.