Teksa kërkesa e qeverisë për borxh në tregun e brendshëm nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve ka qenë më modeste edhe si efekt i eurobondit, interesi i tregut për të financuar këtë nevojë mbetet i lartë. Kjo ka bërë që interesi me të cilën sigurohet ky borxh të vijë në rënie, një tendencë që vijon prej muajsh dhe që është theksuar edhe më shumë muajve të fundit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në ankandin e fundit për obligacionet 7-vjeçare, interesi shënoi 5.02 për qind ndërkohë që raporti i mbulimit ishte 2.52 çka do të thotë që qeverisë iu ofrua nga tregu 2.52 herë më shumë sesa ajo kërkoi në shumën e shpallur fillimisht.
Ky është interes më i ulët për obligacionet 7-vjeçare për këtë vit, por tendenca e rënies së këtij interesi vijon prej kohësh. Në ankandin e parë të këtij viti, ku u emetuan obligacione 7-vjeçare qeveria kërkoi 4 miliardë lekë, por nga tregu u ofruan 3.6 miliardë. Shuma që në fund qeveria pranoi ishte pak më shumë se 3.3 miliardë, me një interes uniform prej 5.86 për qind.
Ankandi i dytë i obligacioneve 7-vjeçare u zhvillua më 7 qershor ku qeveria shpalli një kërkesë për 3 miliardë lekësh dhe tregu ofroi 3.7 miliardë. Në finale, qeveria do të pranonte 3 miliardë lekë nga tregu me një interes uniform 5.78 për qind.
Ankandi i tretë ishte ai i shtatorit me një kërkesë prej 2.5 miliardë lekësh, me një ofertë 3.6 miliardë lekë nga tregu por që në finale u pranua nga qeveria vetëm 2.5 miliardë lekë, me një interes 5.45 për qind.
Ankandi i fundit i mbajtur në 3 dhjetor për obligacione 7-vjeçare tregon për një interes më të favorshëm dhe për një rënie më të thellë të interesit në krahasim me ankandet paraardhëse me plot 0.43 për qind. Një rënie e interesit te letrat me vlerë dhe obligacionet u lakua edhe më herët nga ekspertet si një efekt i lidhur me eurobondin nën presionin e kërkesës së ulët të qeverisë për të financuar nevojat e saj nga tregu i brendshëm. Qeveria emetoi në muajin tetor një Eurobond me vlerë 500 milionë euro me një kupon fiks prej 3.55 për qind dhe afat maturimi 7-vjeçar. Ky Eurobond, sipas deklaratave, shërbeu për shlyerjen e pjesës së mbetur të eurobondit të vjetër të emetuar në vitin 2015 ndërsa pjesa tjetër si mbështetje buxhetore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.