Nga momenti i emetimit më 17 korrik e deri dje, interesi i obligacionit 5-vjeçar referencë ka rënë në mënyrë vazhdueshme duke shënuar 3.53%, me një rënie 1.48 pikë përqindje nga mesi i vitit të kaluar.
Prej muajit korrik, në kuadër të nismës së fundit të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për të zhvilluar tregjet financiare ka filluar të emetohet obligacioni 5-vjeçar referencë, si një projekt pilot. Ky obligacion kuotohet çdo ditë, duke krijuar një normë referencë për interesat e letrave të borxhit qeveritar.
Kuotimi i përditshëm i yield-it të kësaj letre me vlerë nga zhvilluesit e tregut rrit transparencën mbi normat e interesit dhe bën të disponueshme në treg në kohë reale një informacion mbi çmimin e një instrumenti financiar “pa risk”, i cili është i nevojshëm për përcaktimin e normave të interesit të instrumenteve financiare afatgjata
Siç shihet nga të dhënat e Bankës Qendrore, interesi i obligacionit referencë ra me 0.22pp edhe gjatë vitit 2019. Interesi i djeshëm ishte 3.53%, ndërsa në muajin dhjetor ishte 3.75%.
Ndryshe nga letrat e tjera më vlerë të qeverisë, ky obligacion ka spektër më të kufizuar tregtimi, pasi vetëm pesë banka kanë të drejtë ta blejnë atë të në tregun primar e më pas ta shesin në tregun sekondar. Aktualisht lejen e kanë Banka Amerikane e Investimeve, Banka Credins, Banka Intesa Sanpaolo Albania, Banka Kombëtare Tregtare, Banka e Parë e Investimeve, Albania.
Banka Qendrore pret që emetimi i titujve referencë (benchmark) nëpërmjet Zhvilluesve të Tregut, të rrisë konkurrencën në tregun primar, si dhe likuiditetin e titullit nëpërmjet zhvillimit të tregut sekondar për të. Efekti në borxhin e brendshëm pritet të jetë ulje e kostos së tij.
Për sa i përket aksesit të individëve, institucioneve të tjera financiare që nuk janë Zhvillues Tregu apo të çdo të interesuari për të marrë pjesë në investimin në titujt referencë në tregun primar, Banka e Shqipërisë shpjegon se janë të lirë të marrin pjesë nëpërmjet Zhvilluesve të Tregut, njësoj sikundër marrin pjesë për titujt e tjerë nëpërmjet bankave të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.